Alarm mbi rrezikun nga mafia në Francë, Holandë e Belgjikë: “oktapodë” ballkanikë, amerikano-jugorë, arabë

Evropë

Alarm mbi rrezikun nga mafia në Francë, Holandë e Belgjikë: “oktapodë” ballkanikë, amerikano-jugorë, arabë

Më: 24 dhjetor 2022 Në ora: 09:06
Foto ilustrim

Në Paris, Bruksel dhe Hagë është ndezur alarmi i kuq. Krimi i organizuar vendas dhe i importuar nga jashtë, po përhapet në masë. Disa ditë më parë në kryeqytetin francez prokurorja publike Laura Beko bëri një deklaratë shumë shqetësuese: “Niveli i kërcënimit është aq serioz sa rrezikon të destabilizojë shtetin tonë të së drejtës, modelin tonë ekonomik. Ne po përballemi me rrjetet kriminale me një shtirje të gjerë, dhe që kanë aftësi të pakufizuara financiare. Falë të ardhurave nga droga, trafikimi i qenieve njerëzore, prostitucioni, këto organizata po imponohen kudo dhe me çdo mjet: me larje hesapesh midis tyre, rrëmbime, kërcënime dhe korrupsion. Depërtimi i mafies në vendin tone e tejkalon imagjinatën e çdo lloj filmi”.

Fjalë të ashpra, të papërpunuara por të vërteta. Situata është shumë e ndërlikuar. Emergjenca është reale. Krimi po gllabëron Francën, Belgjikën, Holandën dhe Luksemburgun. Tre vjet më parë për t’u përballur me “oktapodët” e shumtë – ballkanikë, amerikano-jugorë, arabë, kinezë etj – qeveria e Makron themeloi një departament të posaçëm, “Juridiction NationaleChargée de la lutte contre la kriminalité organisée” (JUNALCO); një koordinim midis policisë, xhandarmërisë dhe shërbimeve sekrete, të cilat bashkëpunojnë ngushtësisht me kolegët nga Belgjika dhe Holanda, dy vende të tjera të infiltruara shumë nga krimi por edhe me EUROPOL-in.

Një bashkëpunim që ka çuar në rezultate të rëndësishme, siç është zbulimi më 15 shkurt 2021 nga policia belge e famëkeqit “Sky ECC”, një sistem bisedash i koduar i ofruar nga kompania kanadeze “Sky Global”, e specializuar në ofrimin e sistemeve “të sigurta” të komunikimit.

E konsideruar si e papërgjueshme, platforma (me koston e abonimi mujor prej 2.200 euro), ishte mjeti i përsosur për trafikantët e drogës të magjepsur nga “kill switch”, pra nga vendosja e një fjalëkalimi të “panikut”, që nëse futet në përdorim shkakton fshirjen e menjëhershme e të pakthyeshme të të gjitha të dhënave që gjenden në pajisje.

Një mjet shumë efikas në rast rreziku: mjafton që të futet kodi për të zhdukur gjithçka komprometuese në telefonat e trafikantëve. Por siç dihet, “Djalli bën tenxheren por jo kapakët”. Pasi u dekodua sistemi, para hetuesve u hap një botë e errët dhe mizore.

Ata analizuan gjysmë milionë mesazhe në ditë (të ndërlidhura me video dhe foto) të shkëmbyera midis 164.000 klientëve – kryesisht nga Ballkani – dhe patën mundësi të  kuptonin gjeografitë e brendshme të krimit të organizuar, identifikojnë krimet tashmë të kryera apo të planifikuara dhe të rindërtonin një skenar hetimi.

Më 9 mars, erdhi lëvizja e parë. Policia belge ndërmori një operacion masiv duke arrestuar 48 persona, dhe sekuestruar 17 ton kokainë dhe arsenale të tëra armësh. Në të njëjtën kohë në Francë ndodhën 64 arrestime të tjera. Dhe kjo ishte vetëm maja e ajsbergut.

Siç kujton zonja Beko: “Dekodimi i sistemit ‘Sky ECC” ishte një mundësi e jashtëzakonshme për ne. Zbulimi i një terreni të panjohur deri më tani, në të cilin kriminelët konsideroheshin të padukshëm dhe të padëgjuar, na ka dhënë një sasi të madhe të dhënash, mbi të cilat ne do të vazhdojmë të punojmë”.

Deri më sot, JUNALCO po shqyrton ende 400.000 komunikime, teksa ka hapur 67 dosje për trafikun e narkotikëve. Fitore të rëndësishme, me goditje serioze edhe për mafien shqiptare që vepron në Itali, por gjithsesi të kufizuara. Trafikantët dhe miqtë e tyre po përdorin tashmë sisteme të tjera edhe më të sofistikuara, ndaj gjuetia ndaj tyre vazhdon.

Por ajo që shqetëson shumicën e prokurorëve dhe drejtuesve të policisë në Francë është “përshkrueshmëria” e institucioneve dhe organeve të policisë. Thënë shkurt korrupsioni. Më 24 shtator, 5 ish-zyrtarë francezë të doganave u dënuan me burgime të gjata sepse kishin qenë të lidhur me mafiozët.

Gjithsesi infiltrimi i këtyre të fundit duket i pandalshëm. Në çdo nivel:kryetarë bashkie, administratorë, dhe ndoshta edhe deputetë. Për Beko, ky është një kërcënim fatal për të cilin Franca nuk është aspak e përgatitur dhe për më tepër “në dritën e përvojave të huaja nuk ka asnjë arsye objektive pse duhet të kursehet vendi ynë”./ “Il Giornale” – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat