LIVE: Paralajmërimi i frikshëm i ish-shefit të NATO-s: Ky është plani i Putinit, rreziku edhe tek ne!

Evropë

LIVE: Paralajmërimi i frikshëm i ish-shefit të NATO-s: Ky është plani i Putinit, rreziku edhe tek ne!

Nga: Bota sot Më: 26 janar 2024 Në ora: 09:17 Përditësuar në ora: 20:26 më 26.01.2024
Volodymyr Zelenskyy dhe Vladimir Putin

Rrëzimi i avionit rus, Putin akuza Kievit: Ishin në dijeni se të burgosurit ishin nga Ukraina!

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka deklaruar se Agjencia e inteligjencës ushtarake e Ukrainës kishte dijeni se kishte të burgosur lufte në një aeroplan ushtarak rus të rrëzuar së fundmi nga forcat e Kievit.

Avioni transportues ushtarak IL-76 u rrëzua mbi rajonin Belgorod të Rusisë të mërkurën në mëngjes. Të gjithë personat në bord, 65 të burgosur, gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre ushtarë rusë vdiqën.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se avioni u rrëzua nga raketat anti-ajrore ukrainase ndërsa ishte nisur drejt pikës së shkëmbimit të të burgosurve në qytetin Belgorod, që ndodhet afër kufirit Rusi-Ukrainë.

“I gjithë regjimi i Kievit bazohet në krimet e kryera çdo ditë, duke përfshirë edhe kundër qytetarëve të tij. Ata e dinin se ne po transportonim 65 ushtarë ukrainas. Duke ditur këtë ata sulmuan avionin”, tha Putin.

Lista e plotë e furnizimeve të ardhshme gjermane për Ukrainën

Gjermania po planifikon të furnizojë Ukrainën me sistemet e mbrojtjes ajrore IRIS-T dhe me mbi 80 tanke luftarake Leopard 1 A5, ka njoftuar Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Së bashku me furnizimet e reja, ushtria gjermane pritet të trajnojë 10 mijë ushtarë ukrainas në terrenet e saj stërvitore këtë vit.

Gjithashtu, është paralajmëruar  edhe dorëzimi i gjashtë helikopterëve multifunksional Sea King Mk41, si dhe trajnimi i pilotëve, duke filluar nga tremujori i dytë i vitit 2024.

Këto veprime vijnë pasi mbrojtja ajrore është përparësi kryesore për Ukrainën, dhe ashpërsia e sulmeve ruse vetëm sa vjen e shtohet, shkruan yahoonews.

Gjermania planifikon të furnizojë Ukrainën me;

Sistem të imazhit me rreze infra të kuqe IRIS-T SLM;

Tanke kundërajrore Gepard;

Mbi 80 tanke kryesore luftarake Leopard 1A5;

Sisteme shtesë artilerie me mbi 230 mijë fishekë;

Transportues të blinduar;

Tanke inxhinierike;

Tanke për vendosjen e urave;

450 automjete të blinduara;

Dronë;

Sisteme të radarëve;

Sisteme të zbulimit. 

Paralajmërimi i frikshëm i ish-shefit të NATO-s: Putini nuk do të ndalet në Ukrainë, rreziku edhe tek ne

Ish-sekretari i përgjithshëm NATO-s, George Robertson ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të mjaftohet vetëm me pushtimin e Ukrainës.

Ai gjithashtu i bëri thirrje kryeministrit britanik Rishi Sunak që të ofrojë mbështetje shtesë ndaj Ukrainës përballë agresionit të Rusisë.

“[Ne duhet] ta mbajmë Ukrainën në krye të axhendës sepse ata po luftojnë për ne atje”, tha Lord Robertson.

Ajo që dua është një angazhim shumëvjeçar”, deklaroi ai, duke potencuar gjithashtu se Pushtimi rus ka përmbysur plotësisht rendin ndërkombëtar.

“Nëse Putini pushton një vend prej prej 44 milionë banorësh pikërisht në zemër të Evropës, ku do të ndalet ai?Ai nuk do të ndalet në Ukrainë”, potencoi ish shefi i NATO-s.

“Si rezultat, do të jemi në rrezik edhe ne të tjerët, sepse ai do të ushqehet nga çdo sukses që do të ketë në Ukrainë”.

Ditëve të fundit, paralajmërime të frikshme ka pasur nga ekspertët perëndimorë lidhur me Rusinë. Një zyrtar i NATO-s gjithashtu edhe një ministër gjerman thanë se një luftë gjithpërfshirëse mund të ndodhë me Rusinë brenda disa viteve.

“Makthi” i një sulmi nga Rusia dhe rikthimi i Trump, Evropa mund të mbetet në “qiell të hapur”, shtetet më të fuqishme po përgatiten për çdo skenar

Tani që fitorja e Donald Trump duket gjithnjë e më e mundshme, çfarë mund të ndryshojë për Evropën nëse manjati mund Joe Biden në nëntor? Për sigurinë e Kontinentit të Vjetër që po përballet me konfliktin midis Ukrainës dhe Rusisë, do të lindnin skenarë shqetësues. Nuk është e mundur, në fakt, të nënvlerësohen pasojat e kthimit të mundshëm në Shtëpinë e Bardhë të një presidenti, i cili ka deklaruar në të kaluarën se nuk dëshiron të nxitojë për të shpëtuar aleatët e tij historikë në rast të një sulmi nga Moska. Madje është përmendur edhe mundësia e një tërheqjeje të mundshme të Shteteve të Bashkuara nga NATO.

Një perspektivë e marrë në konsideratë nga Politico, e cila, duke imagjinuar një konflikt me rusët, vë në dyshim se sa e gatshme është Evropa për t'u përballur me Vladimir Putin pa ndihmën e Uashingtonit.

Evropa e pambrojtur

Për momentin Evropa është e pambrojtur. Siç shpjegon Benjamin Tallis, një ekspert në qendrën DGAP, "evropianët jo vetëm që nuk janë të përgatitur për luftë, por as nuk po përgatiten për një eventualitet të tillë”. Një rrethanë e konfirmuar nga Daniel Fried, ish-ambasador amerikan në Poloni, për të cilin Kontinenti i Vjetër" nuk ka aftësinë për të mbrojtur veten " dhe për të mbrojtur vendet baltike pa SHBA. Sipas shefit të mbrojtjes norvegjeze, gjeneral Eirik Kristoffersen "duhen tre vjet për të investuar edhe më shumë në sektorin e mbrojtjes". Për më tepër, në nivel numerik, por jo në cilësi, Rusia ia kalon Evropës në tanke, artileri dhe avionë, duke ndarë 4.4% të PBB-së për shpenzimet ushtarake. Që nga viti 2006, vendet e NATO-s kanë nënshkruar angazhimin për të arritur objektivin e shpenzimeve prej 2% të PBB-së për mbrojtjen, por vetëm 11 nga 31 vende kanë arritur objektivin e premtuar.

“Ombrella bërthamore”

Përballë rikthimit të mundshëm të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, Manfred Weber, lideri i grupit më të madh politik në BE, u bëri thirrje evropianëve që të përgatiten për luftë pa mbështetjen e SHBA-së, por edhe të ndërtojnë ombrellën e tyre bërthamore. Weber është kreu i Partisë Popullore Evropiane (EPP), një grup që përfshin HDZ, CDU dhe një numër partish të qendrës së djathtë dhe aktualisht parashikohet të fitojë numrin më të madh të mandateve përsëri në zgjedhjet e PE në qershor. “Ne duam NATO-n, por gjithashtu duhet të jemi mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur veten pa të ose me të në kohën e Trump”, tha Weber në një intervistë telefonike me “Politico” në rrugën e tij nga një udhëtim me tren në Kiev. “Pavarësisht se kush zgjidhet në Amerikë, Evropa duhet të jetë në gjendje të qëndrojë më vete në aspektin e politikës së jashtme dhe të jetë në gjendje të mbrohet në mënyrë të pavarur”, tha konservatori gjerman. NATO aktualisht mbështetet në kokat bërthamore amerikane, të vendosura në Belgjikë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Turqi.

Propozimi i Francës

Brenda BE-së, i vetmi vend që mund të luajë një rol më të madh në këtë rast është Franca, e cila posedon rreth 300 koka bërthamore. Në vitin 2020, presidenti francez Emmanuel Macron nxori idenë e një parandalimi bërthamor evropian të udhëhequr nga vendi i tij dhe më pas bëri thirrje për një "dialog strategjik mbi rolin e parandalimit bërthamor francez në sigurinë kolektive evropiane". Megjithatë, Gjermania në atë kohë nën udhëheqjen e Angela Merkelit nuk e pranoi atë ofertë dhe dy vjet më parë, Franca e ftoi sërish Berlinin për të biseduar, duke kujtuar se “oferta është ende në tavolinë”.

Sipas Weber, tani është koha për të rikthyer idenë e ndërkombëtarizimit të "Force de frappe" ose "forca goditëse", emri i forcave bërthamore franceze të zhvilluara në vitet 1960 nga Presidenti Charles de Gaulle për të treguar se vendi i tij nuk është i varur nga SHBA. Ky është gjithashtu vizioni i Weberit: "Ne duhet të pranojmë ofertën e Macron dhe të mendojmë se si armët bërthamore franceze mund të inkorporohen edhe në strukturat europiane."Ai kujtoi se edhe pse nuk është më anëtare e BE-së, fuqia e dytë bërthamore evropiane është Britania e Madhe, me pak më pak se 260 koka luftarake, me të cilën është koha që BE të bashkëpunojë.

Rrëzimi misterioz i aeroplanit rus - vetëm pesë trupa u dorëzuan në morg

Ukraina thotë se ka marrë informacione që tregojnë se vetëm pesë trupa u sollën në një morg nga vendi i rrëzimit të një aeroplani transporti ushtarak rus, duke hedhur dyshime mbi pretendimin e Rusisë se dhjetëra të burgosur lufte ukrainas u vranë gjatë ‘sulmit ukrainas’.

Moska dhe Kievi paraqitën raporte kontradiktore për rrëzimin e Yushin Il-76, i cili u rrëzua të mërkurën në rajonin Belgorod të Rusisë.

Rusia pretendon se aeroplani bartte të burgosur lufte të Ukrainës, ndërsa ukrainasit thonë se kishte raketa ruse.

Andriy Yusov, zëdhënës i Shërbimit Informativ të Mbrojtjes të Ukrainës (DI), i tha CNN se numri i trupave të transportuar në morg korrespondon me numrin e ekuipazhit ushtarak në aeroplan. “Ata nuk gjetën trupa të tjerë”, tha ai.

Rusia tha se 74 persona vdiqën në rrëzimin e aeroplanit; mes të cilëve ishin gjashtë anëtarë të ekuipazhit, tre rusë dhe 65 ushtarë ukrainas. Guvernatori rajonal rus publikoi një listë me emrat e ekuipazhit prej gjashtë anëtarësh.

Moska nuk arriti të sigurojë prova vizuale që do të konfirmonin pretendimet se ushtarë ukrainas ishin në bord. Pamjet e para nga vendi i aksidentit, disa prej të cilave u transmetuan në mediat shtetërore ruse, tregojnë disa trupa të pajetë në tokë. Deri më tani nuk është publikuar asnjë video që do të tregonte për dhjetëra të vdekur.

Komiteti hetues rus publikoi dje një tjetër video, e cila pretendon se është nga vendi i aksidentit. Ajo tregon mbetje njerëzore në dëborë, si një dorë e përgjakur. Në video shfaqen edhe pamjet ajrore të vendit të rrëzimit dhe mbetjet e aeroplanit në video të veçanta. Nuk është e qartë nëse mbetjet njerëzore në video janë në të njëjtin vend me rrënojat e aeroplanit.

Rusia pretendon se Ukraina rrëzoi një aeroplan që bartte të burgosur lufte për shkëmbim. Komanda ushtarake ukrainase njoftoi se aeroplani ushtarak rus që po i afrohej Belgorodit konsiderohej si objektiv legjitim, por nuk konfirmoi se ka qëlluar në drejtim të tij.

Moska pretendon se aeroplani ushtarak Ilyushin Il-76 bartte 65 ushtarë të burgosur ukrainas dhe se pala ukrainase ishte informuar zyrtarisht për këtë. Megjithatë, Yusov deklaron se Ukraina nuk ka marrë njoftim se të burgosurit do të transportohen me aeroplan apo përmes rrugëve tokësore.

Ai tha gjithashtu se IL-76 përdoret shpesh për të transportuar raketa S-300 dhe se Rusia po dërgon municion shtesë në rajonin e Belgorodit për shkak të disa sulmeve në qytetin e afërt ukrainas të Kharkiv.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) nisi një hetim penal për incidentin. Autoritetet kërkuan gjithashtu një hetim ndërkombëtar, duke thënë se “nuk ka prova që një shtetas ukrainas të jetë vrarë në incidentin me aeroplanin”.

Ai paralajmëroi se lufta mund të shpërthejë në çdo moment – kush është Rob Bauer, admirali dhe kreu ushtarak i NATO-s

Paralajmërimet se janë vite të vështira përpara admiralit holandez Rob Bauer, i cili kryeson komitetin ushtarak të NATO-s, po dëgjohen gjithnjë e më shumë në media.

Në vetëm pak ditë, Bauer paralajmëroi se pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të ketë pasoja edhe për pjesën tjetër të Evropës.

Ai u bëri thirrje sektorëve publikë dhe privatë në Perëndim që të përgatiten për një epokë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë, përfshirë luftën.

“Ne kemi nevojë për një transformim të NATO-s gjatë kohës së luftës”, tha ai në hapjen e fundit të takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel.

“Anëtarët e NATO-s duhet të përshtaten me pushtimin rus të vitit 2022 në një epokë në të cilën çdo gjë mund të ndodhë në çdo kohë, një epokë në të cilën ne duhet të presim të papriturën, në të cilën ne duhet të fokusohemi te efikasiteti që të jetë vërtet efektiv”, tha ai.

Bauer, kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s, deklaroi gjithashtu se ekziston rreziku real që Rusia të sulmojë një nga anëtarët e NATO-s.

Ushtaraku thotë se ambiciet e Rusisë nuk do të ndalen në kufijtë e Ukrainës. “Prandaj është e rëndësishme që ata të mos e fitojnë këtë luftë dhe ta ndalojmë atë ambicie. Ne duhet të përgatitemi për vetëmbrojtje. Nëse jeni të përgatitur për luftë, shanset për të ruajtur paqen janë shumë më të mëdha sesa nëse nuk jeni. Nuk po them se do të ndodhë nesër, por duhet të përgatitemi më mirë për luftën me Rusinë”, tha holandezi.

Së fundmi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, ai deklaroi se është mirë që suedezët, vendi i të cilëve dëshiron të bëhet anëtar i NATO-s, të përgatiten mendërisht për luftë.

“Duhet të keni ujë, një radio me bateri dhe një elektrik dore me bateri në shtëpi për të funksionuar për ditët e para. Këto janë gjërat themelore. Nuk po them se nesër gjërat do të shkojnë keq, por nuk mund të jemi të sigurt se paqja do të zgjasë përgjithmonë. Kjo është arsyeja pse ne kemi plane mbrojtëse”, tha Bauer.

Ky i fundit theksoi gjithashtu se ushtria ruse “mund të përbëjë ende një kërcënim të madh dhe nuk duhet të nënvlerësohet” për shkak të aftësive të saj të përgjithshme.

Robert Peter Bauer ka lindur më 11 nëntor të vitit 1962 në Holandë.

Ai është një admiral me katër yje në Marinën Mbretërore të Holandës.

Bauer u diplomua në Kolegjin Mbretëror Detar në vitin 1981 dhe më pas iu bashkua Marinës Mbretërore të Holandës.

Që nga qershori i vitit 2021, ai është kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s, pasi pasoi Shefin e Forcave Ajrore, Marshall Stuart Peach.

Bauer ishte më parë Shef i Mbrojtjes nga tetori i vitit 2017 deri në prill të vitit 2021, Zëvendës Shefi i Mbrojtjes i Forcave të Armatosura të Holandës nga 1 shtatori i vitit 2015 deri më 13 korrik të vitit 2017.

Ai ishte i përfshirë në operacione anti-terroriste dhe kundër piraterisë në Detin Mesdhe dhe në Bririn e Afrikës.

Gjatë pushtimit rus të Ukrainës, Bauer inicioi masa që synonin forcimin e masave mbrojtëse të NATO-s në Evropën Lindore, siç janë shtetet baltike dhe ish-anëtarët e Paktit të Varshavës.

Forca e Reagimit të Shpejtë u zgjerua nga 40 mijë deri në 300 mijë ushtarë dhe ai është përgjegjës për krijimin dhe vendosjen e katër grupeve të reja beteje në Rumani, Sllovaki, Bullgari dhe Republikën Çeke.

Bauer ka bërë gjithashtu përpjekje për të përshpejtuar aplikimin e Finlandës në NATO dhe po ndihmon Suedinë të bashkohet me Aleancën.

Bauer, fitues i një duzinë çmimesh dhe medaljesh, vjen nga një familje inxhinierësh.

Ai është i martuar me Mike Bauer dhe kanë tre fëmijë.

Putin “vizitë blic” në Kalingrad, çfarë fshihet pas lëvizjes së presidentit rus, ja mesazhi i fshehur për NATO-n

Kur Vladimir Putin del nga “kështjella e rrethuar”, duke thyer imazhin e tij të një lideri graniti dhe të palëvizshëm, diçka e fortë po ndodh ose do të ndodhë. Ose ka një mesazh urgjent për të dërguar. 

Vizita e liderit rus në “enklavën e nxehtë” të Kaliningradit, mund të gjykohet me këtë lente: megjithëse Moska e mohon. Këtë e bën Dmitry Peskov, i cili saktësoi se udhëtimi i tij “ absolutisht nuk është një mesazh i drejtuar vendeve të NATO-s ”. Ka edhe shumë kuptime të brendshme që vizita e Putinit synon të nxjerrë në pah.

Në “vitin më elektoral në histori”, zgjedhjet presidenciale ruse do të jenë një moment i nxehtë, me sytë e gjithë botës të përqendruar te Moska. Megjithëse rezultati është i dukshëm, Kremlini i frikësohet çdo ngjarjeje të paparashikuar që mund të prishë disi rendin e gjërave, në funksion të rizgjedhjes së Carit.

Në fakt, javët e fundit, opozita ruse duket se po ngre sërish kokën, veçanërisht përballë kandidaturës së pacifisit Boris Nadezhdin: në këtë drejtim Peskov dje deklaroi se Kremlini nuk do ta konsideronte këtë të fundit rival. të kreut aktual të shtetit. Nadezhdini, me qëndrime të hapura kundër luftës, njoftoi se kishte mbledhur më shumë se 100 mijë nënshkrime nga 150 mijë që nevojiteshin për të paraqitur kandidaturën e tij: për më tepër, elementë të ndryshëm të opozitës ruse bien dakord për emrin e tij, përfshirë lëvizjen e Aleksei Navalny.

Pra, "Blitz" i vogël në Kaliningrad mund të shërbejë gjithashtu si një mjet për rindërtimin e mitit të liderit të fortë, i cili udhëton nga një skaj i perandorisë së tij në tjetrin, i forcuar nga rezultati fitues i "operacionit special" dhe pa frikë për t'u përballur ballë për ballë me NATO-n.

Rreziku nga Rusia, Britania prezanton konceptin e një “ushtrie qytetare” - çfarë planesh ka Rishi Sunak?

Ushtria britanike aktualisht po diskuton se si të krijojë një forcë deri në gjysmë milioni njerëz, e cila do të përfshinte civilë, për të mbrojtur Mbretërinë e Bashkuar në rast të një lufte në shkallë të gjerë, veçanërisht me vende të tilla si Rusia, raporton “Sunday Times”. Gjenerali Sir Patrick Sanders, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, theksoi nevojën për të trajnuar dhe pajisur civilët për të formuar një "ushtri të re qytetare" në rast të një konflikti.

Në tre vitet e ardhshme, qëllimi është që të kemi një ushtri më të madhe prej 120,000 personeli, duke përfshirë ushtarë të rregullt, rezervistë dhe një rezervë strategjike të ish-personelit ushtarak që mund të thirret në raste urgjente”, tha Sanders. Ai theksoi se vetëm kjo nuk do të mjaftonte për të fituar luftën, por nevojitet një ushtri e tillë në mënyrë që publiku të jetë në "bazë lufte kur të jetë e nevojshme".

Lufta e vazhdueshme midis Ukrainës dhe Rusisë ka nxitur shqyrtimin e krijimit të një vale të dytë të forcave që mund të dislokohen nëse ushtria e rregullt përballet me disfatë në fushën e betejës.

Ndër të tjera, trajnimi i civilëve ukrainas në tokën e Mbretërisë së Bashkuar po konsiderohet si një “mision provë” për përgatitjen e një ushtrie qytetare në forcat britanike.

"Ne kemi nevojë për një ushtri të krijuar për t'u zgjeruar me shpejtësi për të mundësuar skalonin e parë, për të siguruar burime për skalonin e dytë dhe për të trajnuar dhe pajisur ushtrinë qytetare," tha Sanders, duke folur në Konferencën Ndërkombëtare të Mjeteve të Blinduara në Twickenham.

Aktualisht, asnjë politikë konkrete e nuk përshkruan se si Britania e Madhe do të mobilizonte një forcë mjaft të madhe për t'i bërë ballë Rusisë.

Një luftë me NATO-n? Reagon Kremlini dhe shpërthen në akuza ndaj Perëndimit

Alarmet e oficerëve të ndryshëm të lartë evropianë për një luftë të ardhshme me Rusinë janë për faktin se “evropianët priren gjithmonë të kërkojnë një armik të jashtëm në kohë të vështira dhe për ta, natyrisht, ne jemi armiku i jashtëm më i vjetër”.

Kështu tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Pas deklaratave të ngjashme të zyrtarëve të NATO-s, ishte shefi i Shtabit të Britanisë, Patrick Sanders, i cili deklaroi ditën e djeshme se bashkëqytetarët e tij “mund të thirren” për të luftuar kundër Rusisë në një të ardhme jo shumë të largët.

Sipas Peskov, cituar nga agjencia Interfax, vendet evropiane kanë nevojë për një armik të jashtëm për të “shkëputur vëmendjen e qytetarëve” nga problemet ekonomike me të cilat po përballen.

Sa i përket stërvitjes së nisur ditët e fundit nga NATO me pjesëmarrjen e 90 mijë ushtarëve, më e madhja që nga Lufta e Ftohtë, Peskov tha se synon të frikësojë Rusinë.

“Kjo tregon – shtoi zëdhënësi – se Rusia kishte të drejtë kur, edhe para fillimit të operacionit special ushtarak (në Ukrainë), Presidenti Putin foli për shqetësimet tona të thella për sigurinë tonë gjatë procesit zvarritës për të sjellë infrastrukturën e NATO-s pranë kufijve tanë“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat