Ministri italian i Kulturës, Gennaro Sangiuliano, i dorëzoi kryeministres Giorgia Meloni “dorëheqjen e parevokueshme” pasi iu zbulua lidhja jashtëmartesore me një blogere, Maria Rosaria Boccia.
Pas largimit, ai është shprehur se do të veprojë “në të gjitha mjediset ligjore ndaj kujtdo që më ka shkaktuar këtë dëm, duke filluar nga një ankesë e afërt në Prokurorinë Publike, të cilën kam ndërmend ta paraqes”.
Më tej shton: “Do të marr masa ndaj atyre që kanë publikuar lajme të rreme ditët e fundit. Kam nevojë për qetësi personale, të jem pranë gruas sime që dua”.
Kryeministrja e falënderoi Sangiuliano duke e cilësuar si “një person të aftë dhe një njeri të ndershëm, për punën e jashtëzakonshme të bërë deri tani, e cila i ka lejuar qeverisë italiane të arrijë rezultate të rëndësishme të rinisjes dhe vlerësimit të trashëgimisë së madhe kulturore italiane, edhe jashtë kufijve kombëtarë”.
Në vend të Sangiulianos do të jetë Alessandro Giuli. Presidenti i Republikës italiane, Sergio Mattarella, priti sot pasdite në Pallatin Quirinale, Melonin.
Presidenti i Republikës nënshkroi dekretin me të cilin me propozim të Melonit u pranua dorëheqja e paraqitur nga Gennaro Sangiuliano nga posti i ministrit të Kulturës. Me të njëjtin dekret, me propozim të kryeministrit, Ministër i Kulturës u emërua Alessandro Giuli.