Qindra banorë evakuohen nga rajoni rus Voronezh, pas zjarrit në një depo armësh

Evropë

Qindra banorë evakuohen nga rajoni rus Voronezh, pas zjarrit në një depo armësh

Më: 7 shtator 2024 Në ora: 13:40
Zjarrfikësit duke punuar për ta shuar zjarrin në një depo nafte në Zoronezh të Rusisë, korrik 2024.

Një zjarr i madh në një depo armësh ka bërë që autoritetet lokale t’i evakuojnë rreth 600 banorë nga rajoni Voronezh në jugperëndim të Rusisë.

Guvernatori Aleksandr Gusev tha në Telegram se zjarri në qarkun Ostrogoz të këtij rajoni u shkaktua nga rënia e dronëve të shkatërruar mëngjesin e së shtunës.

Ai tha se banorët e disa vendbanimeve u evakuuan në vende të sigurta dhe shtoi se nuk ka të lënduar.

Disa video që u postuan në rrjetet sociale shfaqën një zjarr të madh. Në to u dëgjuan qartazi edhe disa shpërthime.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke raportuar për dronët ukrainas që u rrëzuan mbi rajonet jugperëndimore të vendit, Belgorod dhe Kursk, nuk përmendi sulmet me dronë në rajonin Voronezh.

Gusev njoftoi në fund të gushtit evakuimin e rreth 60 banorëve nga Ostrogozi i rajonit Voronezh, pasi rrëzimi i dyshuar i dronëve shkaktoi zjarre dhe shpërthimin e eksploziveve që zgjatën dy ditë.

Në Ukrainë, Forcat e Mbrojtjes Ajrore raportuan më 7 shtator se janë duke bërë përpjekje të mbrohen në gjithë vendin nga sulmet masive ruse.

Sipas tyre, 67 dronë me rreze të gjata veprimi u rrëzuan gjatë mbrëmjes.

Mbrëmjen e 6 shtatorit u vra një person në qytetin juglindor Pavlohard të rajonit Dnipropetrovsk, si pasojë e sulmeve raketore, ndërsa 64 të tjerë u plagosën.

Forcat ruse janë duke carë përpara në drejtim të qytetit strategjik Pokrovsk në rajonin Donjeck të Ukrainës, ku ekipi i shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë nga afërsia e vijës së frontit e xhiroi fshatin Novohrodivka duke u djegur.

Tre njerëz u vranë dhe tre të tjerë u plagosën në Kostiantynivka, që ndodhet në verilindje të Pokrovsk, thanë autoritetet rajonale më 7 shtator.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, më 6 shtator u bëri thirrje partnerëve aleatë në një takim të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës në Gjermani ta lejojnë Ukrainën t’i përdorë armët e tyre për të goditur më thellë brenda tokës ruse.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha pas takimit se asnjë armë e vetme ushtarake nuk është vendimtare për Ukrainën për t’u mbrojtur nga pushtimi i plotë rus, dhe se përdorimi i armëve amerikane për sulme thellë brenda në Rusi nuk do ta kthente luftën në dobi të Ukrainës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat