E hëna ka qenë një ditë e mbushur me takime, dhe nuk ka përfunduar ende.
Trump pritet të takohet me liderët evropianë që po presin në sallën e darkës shtetërore të Shtëpisë së Bardhë, duke filluar në orën 20:15 me kohën lokale në Kosovë, megjithatë ky takim do të jetë i mbyllur për media.
Liderët evropianë do të mblidhen pastaj me Trumpin për një fotografi rreth orës 20:30.
Pas kësaj, do të ketë një takim shumëpalësh midis Trumpit dhe homologëve të tij evropianë, rreth orës 21:00.
Dhe, në fund, Zelensky do të mbajë konferencë për shtyp, e cila pritet të nisë në orën 22:00.
Zelensky: Ukraina ka nevojë për “të gjithë” mbështetjen nga SHBA-ja
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u pyet në Shtëpinë e Bardhë se çfarë i duhet vendit të tij nga Shtetet e Bashkuara për të garantuar sigurinë e Ukrainës: Trupa, informata të inteligjencës, apo pajisje?
“Të gjitha”, u përgjigj Zelensky.
Ukraina ka nevojë për një ushtri të fortë ukrainase. Bëhet fjalë për armë, personel, misione trajnimi, informata të inteligjencës, tha ai.
Ai tha se do ta diskutojë këtë me “partnerët tanë”, “vendet e mëdha”, duke përfshirë SHBA-në.
Trump thotë se Putini e “pret telefonatën time” pas takimeve
Presidenti amerikan Donald Trump tha se sapo ka folur me homologun e tij rus, Vladimir Putini, në mënyrë indirekte, duke shtuar se do ta ketë një bisedë telefonike me të më vonë.
“Sapo kam folur me presidentin Putin në mënyrë indirekte.
Do të kemi një bisedë telefonike menjëherë pas këtyre takimeve sot, dhe mund të kemi ose jo një takim trepalësh”, tha Trump.
Trump shtoi se Putini “po pret thirrjen time kur të përfundojmë këtë takim”.
Trump në takimin me Zelensky: Gjërat do shkojnë mirë, Putin dëshiron fundin e luftës
Në takimin që po zhvillon presidenti amerikan Donald Trump me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ka cilësuar se ky takim do të shkojë mirë, duke dhënë kështu sinjale pozitive lidhur me qëllimin për të cilin janë mbledhur, për paqe.
“Ne kemi pasur një takim dhe mendoj se gjërat do të shkojnë mirë sot”, tha ndër të tjera presidenti amarikan Donald Trump.
Trump u pyetet nga mediat nëse kjo është dita e fundit që SHBA ofron mbështetje ndaj Ukrainës.
Presidenti amerikan Trump u përgjigj duke thënë se: “Nuk mund ta them kurrë këtë, ka njerëz dhe fëmijë që vriten dhe dua ta ndaloj këtë. Kemi hyrë në vitin e katërt të luftës dhe shumë njerëz janë vrarë, edhe javën e kaluar u vranë shumë njerëz, nga të dyja palët. Unë e njoh presidentin Putin, njoh edhe veten time gjithashtu dhe e di që edhe ai e dëshiron fundin e luftës. Kjo nuk është lufta ime por e nisur nga Joe Biden. Ne duam ta përfundojmë këtë në të mirën e të gjithëve”, deklaroi Trump, transmeton kp.
Trump s’e përjashton mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë si pjesë e garancive të sigurisë
Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk e ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e një marrëveshjeje të mundshme për paqe.
“Do t’ju njoftojmë, ndoshta më vonë sot”, tha Trump.
Trump tha se Evropa do të jetë ajo që udhëheq përpjekjet për sigurimin e paqes, por se SHBA do të jetë e përfshirë.
“Ata janë vija e parë e mbrojtjes, sepse janë aty, Evropa. Por, ne do t’i ndihmojmë. Gjithashtu, do të jemi të përfshirë”, tha ai.
Trump tha se nëse arrihet marrëveshje për paqe, ajo do të jetë e qëndrueshme.
“Unë mendoj se nëse arrijmë paqen, ajo do të funksionojë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë”, tha ai.
Zelensky thotë se mbështet synimet e Trumpit për “zgjidhje diplomatike”
Presidenti ukrainas Zelensky u pyet nëse do të shqyrtonte dorëzimin e territoreve.
Lideri ukrainas tha se "na duhet ta ndalim luftën, ta ndalim Rusinë".
Zelensky theksoi se ukrainasit janë të fortë dhe se ata mbështesin planet e Trump për ta përfunduar luftën në "mënyrë diplomatike".
Ai tha se dëshiron të zhvillojë një takim trepalësh.
Trump thotë se “po bëhet përparim” për t’i dhënë fund luftës
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nisur një takim me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale, ku po u drejtohen gazetarëve.
Trump falënderoi Zelenskyn për praninë e tij sot në SHBA dhe tha se "po bëhet përparim" për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës.
Ai tha se pati një takim "shumë të mirë" me Putinin dhe se ka "një mundësi të mirë që diçka të dalë prej tij".
Trump theksoi se shtatë liderë botërorë ndodhen gjithashtu në kryeqytetin amerikan dhe ai do të flasë me ta pas bisedës me Zelenskyn.
Zelensky i sjell Melania Trump-it një mesazh personal nga Ukraina
Presidenti Volodymyr Zelensky i dorëzoi personalisht një letër nga zonja e parë e Ukrainës, Oleksandra Zelenska, ish-presidentit amerikan Donald Trump – më saktë, për bashkëshorten e tij, Melania Trump, shkruan BBC, përcjell "Bota sot".
“Nuk është për ju, është për gruan tuaj,” tha Zelensky me humor, duke ia dorëzuar letrën Trump-it.
Komenti shkaktoi të qeshura të dyanshme, duke lehtësuar për një moment atmosferën serioze të takimit.
Presidenti Zelensky falënderoi Donald Trump-in për ftesën dhe për “përpjekjet e tij personale” për të ndihmuar në ndalimin e luftës në Ukrainë.
Nis takimi Trump-Zelensky
Takimi midis Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky është duke u zhvilluar.
Të dy udhëheqësit janë ulur përsëri gjashtë muaj pas takimit të fundit.
Zelensky shpreson të fitojë mbështetjen dhe veprimin e udhëheqësit amerikan, pasi Trump u takua me Vladimir Putin të premten.
Kjo vjen përpara takimit të Trump me udhëheqësit evropianë më vonë këtë mbrëmje.
Trump jep mesazh të shkurtër për Ukrainën
Nga: Bota sot
Presidenti amerikan Donald Trump priti presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në një takim të shumëpritur.
Teksa e përshëndeti Zelenskyn në derë, gazetarët e pranishëm nisën të bërtisnin pyetje, në përpjekje për të marrë një deklaratë të rëndësishme nga Trump, shkruan BBC, përcjell "Bota sot"..
Një nga pyetjet që u dëgjua më qartë ishte: “Cili është mesazhi juaj për popullin ukrainas?”
Trump u përgjigj shkurt, por me ton të qartë: “I duam,” tha ai, ndërsa pozonin për fotografi para se të hynin brenda për takimin.