Gjermania e qorton ambasadorin iranian

Evropë

Gjermania e qorton ambasadorin iranian

Më: 3 mars 2026 Në ora: 16:25
Foto ilustrim

Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se e ka thirrur në një takim ambasadorin iranian në Berlin dhe u ka kërkuar zyrtarëve në Teheran t’i ndalin sulmet ndaj vendeve të rajonit.

Më 3 mars, Ministria njoftoi në një mesazh në platformën X se u ka bërë thirrje udhëheqësve iranianë t’i “ndalin menjëherë sulmet e pamatura ndaj vendeve të rajonit”.

Ministria e Jashtme gjermane deklaroi gjithashtu se dënon sulmet me raketa dhe dronë të Iranit, të cilat i cilësoi si “arbitrare dhe joproporcionale”, përfshirë edhe sulmet ndaj objektivave civile.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, e priti më 3 mars kancelarin gjerman, Friedrich Merz, në takimin e tij të parë me një lider të huaj qëkurse Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën sulmet ndaj Iranit.

Takimi i planifikuar prej kohësh mes Trumpit dhe Merzit ishte parashikuar të përqendrohej në luftën në Ukrainë dhe në marrëdhëniet e tensionuara tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, por përshkallëzimi i konfliktit me Iranin raportohet se ka ndikuar në agjendën e takimit.

Merz, një kritik i vendosur i udhëheqësve të republikës islamike, ka deklaruar se Berlini e kupton “lehtësimin” e popullit iranian që “po i vjen fundi sundimit nga mullahët”.

Megjithatë, ai ka refuzuar të komentojë mbi legjitimitetin juridik të sulmeve amerikane dhe izraelite ndaj Iranit.

Gjermania, Franca dhe Britania kanë njoftuar se do të marrin pjesë vetëm në veprime “mbrojtëse” përkrah aleatëve të tyre në rajonin e Gjirit. / REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat