Paraburgim për të dyshuarin që keqpërdori seksualisht dhe la shtatzënë të miturën

Ferizaj

Paraburgim për të dyshuarin që keqpërdori seksualisht dhe la shtatzënë të miturën

Më: 24 janar 2019 Në ora: 17:51
Ilustrim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit A.Rr. nga Komuna Ferizaj. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi seksual i personit nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet.

I pandehuri A.Rr. dyshohet se në dhjetor të vitit të kaluar në Ferizaj, ka ndalur veturën e tij në rrugën “Reçaku” duke i thënë të dëmtuarës e moshës 15 vjeçare, se nëna e saj i kishte thënë që ta merrte atë dhe ta dërgonte te dajtë e saj dhe e dëmtuara kishte pranuar edhe pse nuk e kishte njohur të pandehurin.

Sipas gjykatës, ai e kishte dërguar në fshatin Pleshinë, në një hapësirë të pyllëzuar ku edhe kishte kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur.

Nga kjo marrëdhënie e mitura kishte ngelur shtatzëne dhe më pas kishte lindur më 22 gusht të vitit që lamë pas, ku nga raporti i ekspertimit është konstatuar se gjasat që i pandehuri të jetë baba biologjik i foshnjës ishin 99.99%.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat