Inaugurohet Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj

Ferizaj

Inaugurohet Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj

Më: 7 qershor 2019 Në ora: 14:24
Pamje gjatë hapjes

Ferizaj është bërë me qendrën e parë të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila pritet të ndikojë në rritjen e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, e po ashtu edhe në përkrahjen e të rinjve nëpërmjet teknologjisë informative.

Në ceremoninë e përurimit të kësaj qendre, ministri i Inovacionit dhe Ndermarrësië, Besim Beqaj, tha se Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj do të jetë një dritare e së ardhmes për rininë që garanton perspektivë zhvillimore ekonomike dhe sociale në qytetin e Ferizajt dhe rrethinën.

“Kosova është një nga vendet më të reja të Evropës, me një pjesë në rritje të popullsisë në moshë pune dhe të edukuar në masë të madhe, ky fakt, përbën një avantazh konkurrues në raport me ndryshimet globale ekonomike që po ndodhin. Misioni im është që Kosova të jetë qendër rajonale e zhvillimit digjital dhe teknologjik”, tha ministri Beqaj.

Sipas tij, ndërmarrësia është garantuese e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik duke u bazuar në ekonominë e dijes dhe shfrytëzimit të teknologjisë.

“Ne kemi rini kreative, me ide të shkëlqyera biznesore, që lexojnë të ardhmen drejtë dhe ofrojnë zgjidhje për problemet komplekse”, theksoi Beqaj.

Në ceremoninë e inaugurimit të kësaj qendre, ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili ka shkruar në Facebook se kjo qendër është një hapësirë më shumë që të rinjtë tanë të krijojnë e zhvillojnë idetë e tyre.

“Kjo qendër, e hapur falë një vizioni dhe përkushtimi të Ministrisë së Inovacionit dhe Komunës së Ferizajt, është mesazh se agjenda ekonomike duhet të kthehet në agjendën kryesore të shtetit. Të rinjtë tanë, me idetë dhe potencialin e tyre, i duhen Kosovës. Si dje, edhe sot, ata do ta bëjnë ndryshimin”, ka shkruar ai.

Ndryshe, Qendra e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Ferizaj, është bashkëfinancim i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Komunës së Ferizaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat