Mbyllen nëntë lokale në Ferizaj – dyshohen për trafikim me qenie njerëzore

Ferizaj

Mbyllen nëntë lokale në Ferizaj – dyshohen për trafikim me qenie njerëzore

Më: 17 shtator 2020 Në ora: 16:07
Foto ilustrim

Inspektorati i Komunës së Ferizajt ka mbyllur mbrëmë nëntë lokale, me dyshim se ushtronin veprimtari deviante.

Në njoftimin e bërë për media nga Komuna e Ferizajt thuhet se këto lokale nuk kishin as dokumente përkatëse.

“Mbrëmë, pas një aksioni të mirë koordinuar mes Inspektoratit të Komunës, Njësisë së Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore, inspektorëve të ATK-së dhe inspektorëve të punës, pas inspektimeve që u zhvilluan në rrugët “Kemajl Hetemi”, “Qamil Ilazi”, “Mejdi Xhaferi”, “At Nik Prela” dhe “Shën Tereza” në 11 subjekteve gastronomike, 9 prej tyre u mbyllën si pasojë e mos posedimit të dokumenteve përkatëse, kushteve higjieno-teknike, mosrespektimit të udhëzimeve mbrojtëse ndaj COVID-19 dhe mbi të gjitha mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm për zhvillimin e veprimtarive deviante”, thuhet në njoftim.

Më tej në njoftim thuhet se ky aksion i inspektorëve do të vazhdojë edhe ditëve në vijim.

“Ky aksion i Inspektorëve të Ferizajt do të vijoj edhe ditëve e javëve në vijim, në gjithë territorin tonë, për të vënë ligjshmërinë e zbatimin e rregullit në subjekte afariste që nuk përmbushin këto kushte. Për këtë aksion dhe të tjera të zhvilluara në vazhdimësi, Inspektorati i Komunës, falënderon Policinë e Kosovës, Njësinë e Hetimit të Trafikimit me Qenie Njerëzore, Stacionin Policor në Ferizaj, inspektorët e ATK-së dhe inspektorët e punës për asistimin e vazhdueshëm në kontrolle të tilla”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat