Rëndohet gjendja me COVID-19 në Ferizaj: 51 pacientë të shtrirë me oksigjenoterapi

Ferizaj

Rëndohet gjendja me COVID-19 në Ferizaj: 51 pacientë të shtrirë me oksigjenoterapi

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 00:07
Foto ilustrim

Sipas raportit 24 orësh të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, tre nga 14 vdekjet e raportuar nga COVID-19 janë nga komuna e Ferizajt.

Në pulmologu Hajdin Lata në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt ka treguar se momentalisht në spital janë të shtrirë 51 pacientë me oksigjenoterapi.

“Në 24 orët e fundit në Spitalin e Ferizajt kemi pasur dy raste të vdekjeve nga COVID-19 ndërsa numri i përgjithshëm e personave të shtrirë momentalisht është 51 dhe të gjithë janë në oksigjeno-terapi të rregullt dhe gjendja klinike e tyre është realitivisht stabile”, deklaroi Lata.

Pulmologu theksoi se prej fillimit të pandemisë sot ka qenë dita më e vështirë e punës për shkak të mungesës së furnizimit me oksigjenoterapi.

“Kemi pasur numër më të madh të hospitalizimeve në pjesën e dytë të pandemisë. Mirëpo, momentalisht nuk janë të shfrytëzuara të gjitha kapacitetet për arsye se kemi pasur lirime për në shtëpi ndërkohë dhe sot kemi pasur disa transferime për shkak të vështirësive të furnizimit me oksigjenoterapi”.

“Kemi qenë të detyruar që pacientët që kanë qenë në nivel më të lartë të furnizimit të oksigjenoterapisë të transferohen në QKUK”.

“Prej se merremi me COVID-19 në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt sot ka qenë dita më e vështirë e jona si mjekë për arsye se kemi pasur vështirësi më të mëdha për furnizim me oksigjenoterapi e për këtë kemi bërë edhe transferimin e pacientëve”, deklaroi Lata.

Mes tjerash pulmologu tregoi se fatmirësisht nuk ka mosha të reja që janë të hospitalizuar.

“Moshat janë të përziera, nuk kemi moshta të reja fatmirësisht ndërsa problemet janë pothuajse të ngjashme”.

“Numri i personave që kanë probleme më të rënda shëndetësore është më i vogël”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat