Përmirësohet gjendja pas vërshimeve në Ferizaj

Ferizaj

Përmirësohet gjendja pas vërshimeve në Ferizaj

Më: 13 janar 2021 Në ora: 15:14
Ferizaj

Gjatë dy ditëve të fundit ekipet emergjente të Komunës së Ferizajt kanë qëndruar vazhdimisht në terren me qëllim të përmirësimit të gjendjes nga vërshimet.

Kjo komunë ka vënë në dispozicion disa kompani me eskavatorë të ndryshëm për hapje të kanaleve, ndërkohë gjendja është përmirësuar edhe në nënkalimin e shumëpërfolur në fshatin Varosh.

Arben Halili, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Ferizajt, ka thënë se të gjitha rrugët janë të kalueshme në territorin e komunës. Sipas tij, ekipet emergjente vazhdimisht po qëndrojnë në terren edhe gjatë ditës së sotme.

“Të gjitha rrugët janë të kalueshme ndërkohë edhe nënkalimi është pastruar. Ne si komunë në të kaluarën kemi blerë sistemin e pompimit për raste të tilla por edhe sistemin e tërheqjes së veturave siç e patëm rastin te nënkalimi. Ekipet tona emergjente së bashku edhe me kompanitë e ndryshme kemi përmirësuar gjendjen e vërshimeve në gjithë territorin”, ka thënë Halili.

Sipas tij, vërshime më të mëdha ka pasur në fshatin Tërrn, Koshare, Bibaj dhe Varosh.

“Situata ka mundur të jetë edhe më keq sepse ka pasur të reshura të vazhdueshme, mirëpo ne si komunë gjatë viteve 2019 dhe 2020 kemi bërë hapja e 150 kilometrave kanale ujor për të parandaluar vërshimet, andaj kjo i ka treguar rezultate të mira dhe mbrojtje të qytetarëve në ekonomi familjare”, ka thënë Halili.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat