Prokuroria ende nuk ka pranuar raportin mbi shkaqet e djegies së supermarketit në Ferizaj

Ferizaj

Prokuroria ende nuk ka pranuar raportin mbi shkaqet e djegies së supermarketit në Ferizaj

Më: 16 shkurt 2022 Në ora: 16:27
Ferizaj.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Shukri Jashari, tha sot se nuk e kanë pranuar akoma raportin mbi shkaqet e zjarrit të supermarketit në Ferizaj.

Edhe pse ishte planifikuar që raporti të ishte gati për sot, Jashari tha se është e mundshme që deri javën e ardhshme nuk do të dihen shkaqet e zjarrit të madh që shpërtheu në supermarket, pasi përmendi se nesër është edhe festë dhe nuk punohet.

“Nuk e kemi pranu raportin”, tha Jashari.

Edhe pse dje kishte deklaruar se raporti do të ishte i gatshëm për sot, Jashari tha se ashtu kanë besuar por ende nuk e posedojnë raportin e ekzaminimit.

Kryeprokurori Jashari ka konfirmuar dje se ekzaminimet në vendin e ngjarjes janë kryer nga njësiti i rrymës dhe njësitët e tjera relevante.

Jashari ka thënë se rasti i djegies së supermarketit është hapur në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, ndërsa nuk është intervistuar asnjë person, kjo për shkak se po e presin raportin.

Ekipit të zjarrëfikësve i është dashur të qëndrojnë deri në orët e mëngjesit të djeshëm për të shuar tërësisht zjarrin që ka kapluar një ditë më parë objektin e “Viva Fresh Store” në Ferizaj.

Policia ka konfirmuar se si pasojë e zjarrit ka dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa nuk ka njerëz të lënduar.

Shkaktarët e zjarrit mbeten akoma të panjohur, teksa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e shkaqeve që çuan deri te djegia e këtij supermarketi.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat