Red Bull prezanton makinën e re

Formula 1

Red Bull prezanton makinën e re

Më: 10 shkurt 2022 Në ora: 11:47
Red Bull prezanton makinën e re

Red Bull ka zhvilluar ceremoninë e prezantimit të makinës së re që do të garojë këtë sezon të Formula 1. Njëvendëshja e re do të quhet RB18 dhe do të pilothet nga kampioni i botës, holandezi Max Verstappen e meksikani Sergio Perez, të pranishëm në këtë ceremoni.

Një makinë që pritet të vijojë rezultatet e mira të vitit të kaluar, në kërkim të një triumfi të dyfishtë, për konstruktorë dhe pilotë. Kjo njëvendëshe do të jetë arma e Verstappen, që synon të rikonfirmohet kampion bote. Red Bull do të vazhdojë të përdorë motorin Honda, tashmë të zhvilluar nga “Red Bull Powertrains”.

Ngjyrat e makinës do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar, ndërkohë që ndryshimet, për shkak të rregullores së re të garës, janë të dukshme. Gjithsesi, njëvendëshja e vërtetë Red Bull do të shihet më 23 shkurt, në testet e para dimërore në Barcelona, pasi makina do të ketë edhe disa modifikime të tjera.

Duket se Red Bull nuk ka dashur t’i hapë të gjitha kartat, duke parë se dy rivalët e saj për titull, Mercedes e Ferrari, do të zbulojnë makinat e tyre javën e ardhshme. Gjithsesi, të gjithë janë kuriozë të shohin se si do të jenë këtë sezon makinat e reja, pasi mund të ketë ndonjë skuadër që ka arritur të gjejë ndonjë “marifet” brenda rregullores.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat