Hamilton: Vetëm 1% e njerëzve me ngjyrë në këtë sport

Formula 1

Hamilton: Vetëm 1% e njerëzve me ngjyrë në këtë sport

Më: 3 maj 2022 Në ora: 14:25
Hamilton: Vetëm 1% e njerëzve me ngjyrë në këtë sport

Lewis Hamilton është një nga pilotët që ka shkruar histori në botën e Formula 1 teksa është pjesë e këtij sporti prej 16 vitesh ndërsa ka fituar shtatë tituj kampionë bote duke e ndarë këtë rekord me një legjendë si Michael Schumacher. Së fundmi, britaniku ka folur gjatë për kohën e kaluar në Formula 1 ndërsa ka theksuar se shpeshherë është ndjerë i vetmuar pasi ka qenë nga të vetmit persona me ngjyrë.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë në Formula 1 për mua, unë dhe familja ime kemi qenë të vetmit me ngjyrë. Prej 29 vitesh merrem me gara dhe kur e kthej kokën pas e kuptoj sa shumë kohë kam kaluar në pistë pasi tashmë jam 37-vjeç.

Megjithatë, si profesionist garoj prej 16 vitesh. Jam munduar të tregohem gjithnjë profesionist edhe duke qenë personi i vetëm me ngjyrë në një dhomë. Dhe, kur kam pyetur pse ndodh kjo nuk kam marrë një përgjigje konkrete ndaj vendosa të krijoj “Hamilton Comission” diçka që ka të bëjë me mirëkuptimin dhe edukimin.

“Hamilton Comission” është krijuar për të përmirësuar përfaqësimin e njerëzve me ngjyrë në sportet e shpejtësisë në Mbretërinë e Bashkuar. Kam zbuluar se në industrinë e Formula 1 ka 40.000 vende pune, por vetëm 1% e njerëzve me ngjyrë punojnë aty”, u shpreh Hamilton.

Kujtojmë se ky sezon ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme për Hamilton edhe për shkak të problemeve të Mercedes, ndërsa në këtë fundjavë, Formula 1 zhvendoset në Amerikë dhe britaniku do të pretendojë të rikthehet në formën e sezonit të kaluar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat