Verstappen “kërcënon” britanikun

Formula 1

Verstappen “kërcënon” britanikun

Më: 30 prill 2023 Në ora: 11:59
Verstappen - djathtas

Gara e parë Sprint e këtij sezoni që u zhvillua në pistën e Baku në Azerbajxhan u fitua nga ana e Sergio Perez. Pas meksikanit u rendit Charles Leclerc ndërsa në vend të tretë e mbylli Max Verstappen.

Ky i fundit u bë protagonist që në start ku pati një duel në limitet e rregullores me George Russell të Mercedes. Britaniku e parakaloi holandezin në xhirot e para, por dukshëm mes tyre pati një kontakt me Russell që e shtyu Verstappen.

Dy herë Kampioni i Botës u ankua në komunikimet me radion, por organizatorët nuk morën asnjë masë duke e konsideruar si një kontakt gare.

Gjithsesi, gjatë xhirove të mbetura, Verstappen e parakaloi Russell duke u ngjitur në podium.

Por, pasi mbaroi gara të dy patën disa sekonda konfrontim, me Verstappen që ja bëri të qartë Russell se gaboi dhe se në rastin e parë do t’ia kthente reston në pistë.

“Më vjen keq, nuk e bëra me qëllim”, ishin fjalët e Russell, por që nuk e “zbutën” Verstappen.

“Duhet t’i lejojmë më shumë hapësirë njëri-tjetrit, ndaj nëse unë të bëj të njëjtën gjë në pistë mos u habit. Idiot”, ia ktheu Verstappen.

Tashmë, mbetet për t’u parë si do të vijojë dueli mes dyshes teksa në garën e së dielës, dy pilotët janë larg njëri-tjetrit me Verstappen që niset i dyti dhe Russell i 11-ti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat