E pranon vetë drejtori austriak: Jemi takuar

Formula 1

E pranon vetë drejtori austriak: Jemi takuar

Më: 3 maj 2023 Në ora: 16:23
Lëklerk

Sezoni i Formulës 1 ka filluar nën shenjën e dominimit të Red Bullit, por në garën e fundit, në Çmimin e Madh të Azerbajxhanit, Ferrari arriti të ngrejë sërish kokën, duke regjistruar podiumin e parë të sezonit. Rezultat i arritur nga Sharl Lëklerk, i cili i nisur nga “pole position” e përfundoi garën në vend të tretë prapa makinave të Red Bull të Serxho Perezit dhe Maks Vershtapenit.

Piloti Monegask ka treguar vazhdimisht cilësitë e tij në pistë dhe pa dyshim në të ardhmen mund të tundohet edhe nga skuadra të tjera. Kohët e fundit janë shtuar zërat për një transferim të mundshëm të 25- vjeçarit në radhët e Mercedesit.

Ndërkohë tashmë po vijnë edhe konfirmimet e para për një lëvizje të tillë. Konfirmime që vijnë nga vetë shefi i skuadrës Mercedes, Toto Volf. Austriaku nuk i ka kursyer elozhet për pilotin e Ferrarit, për të cilin thotë është në radarët e skuadrës së tij, por për një të ardhme të largët.

Kështu drejtori i ekipit të Mercedesit, pas thashethemeve të fundit, nuk e ka fshehur interesin e tij për Sharl Lëklerkun: “Ai është një djalë i shkëlqyer”, thotë fillimisht Volf, teksa më pas shton:

“E vetmja herë që kam biseduar me Sharlin ishte kur u takuam në aeroportin e Melburnit.

Ai është një superdjalë, që duhet mbajtur në radarë për të ardhmen afatgjatë, por jo afatshkurtër dhe afatmesëm. Askush nuk i vë në dyshim aftësitë e Lëklerk, pasi ai është dhe një djalë dhe pilot i mrekullueshëm.

Por Lëklerk është 100% i përkushtuar ndaj Ferrarit dhe ne jemi 100% të përkushtuar për të hedhur të zezën mbi të bardhë me pilotin tonë, Luis Hamilton”, deklaroi Toto Volf.

Fjalë këto që konfirmojnë interesin e Mercedesit për pilotin monegask, edhe pse skuderia me bazë në Shtutgart thekson se për momentin fokusi kryesor është për të rinovuar me shtatë herë kampionin e botës, Luis Hamilton.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat