Verstappen triumfon edhe në Montecarlo

Formula 1

Verstappen triumfon edhe në Montecarlo

Më: 28 maj 2023 Në ora: 18:21
Max Verstappen me makinën e tij

Piloti holandez Max Verstappen fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Monaco në Formula 1, zhvilluar në pistën qytetase të Montekarlo. Një garë e dominuar nga kampioni i botës në fuqi, që nuk e dorëzoi për asnjë moment kreun e renditjes.

Ai thelloi edhe më shumë diferencën në renditjen e përgjithshme pas kësaj gare, teksa shoku i tij i skuadrës Sergio Perez u klasifikua në vendin e 16-të. Në podium u ngjitën sot edhe spanjolli Fernando Alonso me Aston Martin (i dyti), ndërsa në vendin e tretë u rendit Esteban Ocon me Alpine.

Një garë zhgënjyese për makinat Mercedes dhe Ferrari, jashtë podiumit edhe pse patën një mundësi për ta kapur atë, kur në 25 xhirot e fundit nisi shiu.

Por edhe këtë herë nuk përfituan dot, duke konfirtmuar krizën që kalojnë këto dy skuadra.

Hamilton u rendit në vendin e katërt, duke lënë pas shokun e tij të skuadrës Russell. Ndërsa dy pilotët e “kokëkuqes” u klasifikuan në vendet 6-8, me Leclerc e Sainz. Mes tyre u rendit Gasly, ndërkohë që në “top-10” edhe Norris e Piastri me McLaren.

Për sa i përket garës, ajo ishte e mërzitshme për 50 xhiro, por në momentin që nisi shiu ajo u bë më interesante, pasi pilotët kishin vështirësi për të pilotuar makinat. Gjithsesi në krye nuk pati shumë surpriza dhe Verstappen e meritoi fitoren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat