Norris: Ishte stresuese të garoje me Verstappenin nga pas

Formula 1

Norris: Ishte stresuese të garoje me Verstappenin nga pas

Më: 19 mars 2025 Në ora: 11:52
Pamje nga gara

Pas më shumë se një mijë ditësh, Max Verstappen nuk është më lideri i kampionatit të Formula 1.

Ai e udhëhoqi këtë botëror që nga gara e Spanjës në vitin 2022 deri në fund të sezonit të kaluar, kur dhe u shpall kampion bote për të katërtën herë radhazi.

Tashmë kryesues i botërorit është britaniku i McLaren, Lando Norris, që fitoi garën e parë sezonale në Australi. Ai pati një duel të fortë me Verstappen në xhirot e fundit, por epërsia e McLaren e ndihmoi britanikun që të fitojë garën hapëse të sezonit.

“Ishte një garë e vështirë, ku bëmë disa gabime, por ato ishin të pranueshme pikërisht për vështirësinë e kushteve atmosferike. Shihni gabimet e të tjerëve, 6 pilotë nuk e mbyllën dot garën.

Të tjerët nga jashtë nuk e kuptojnë dot këtë gjë”, tha Norris.

“Kur keni pak diferencë mund të relaksoheni, mund të futeni në një ritëm të mirë.

Por, tre xhirot e fundit, me Max pas meje, ishin stresuese.

Keni një linjë në pistën që thahet dhe sapo lëvizni një metër, paguani menjëherë pasojat dhe gjithçka mund të përfundojë”, u shpreh Norris.

Më tej, britaniku tha: “Duhet rrezikuar por ky është niveli në të cilin duhet të arrish për të provuar të fitosh një garë kundër pilotëve si Oscar Piastri dhe Max Verstappen. Ishte e vështirë, stresuese, por morëm vendimet e duhura në kohën e duhur. Kjo është ajo që më bëri të fitoja garën sot. Kemi mësuar nga gabimet e së kaluarës”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat