Verstappen triumfon në Azerbajxhan

Formula 1

Verstappen triumfon në Azerbajxhan

Më: 21 shtator 2025 Në ora: 14:48
Pamje nga gara

Max Verstappen me Red Bull fitoi sot garën e Cmimit të Madh të Azerbajxhanit në Formula 1, suksesi i dytë radhazi, që konfirmon përparimet e dukshme që ka bërë makina austriake.

Sukses që mund ta fusë në garën për titullin kampion për pilotë.

Ai bëri një garë më vete, e nisi atë nga “pole” dhe nuk e dorëzoi kreun për asnjë moment, duke e merituar fitoren. Në vendin e dytë u rendit britaniku George Russell me Mercedes, ndërsa në të tretin surpriza Carlos Sainz me Williams. Ky është podiumi i parë i spanjollit me Williams.

Në vendin e katërt u klasifikua italiani Kimi Antonelli me makinën tjetër Mercedes, që la pas Liam Lawson me RB dhe Yuki Tsunoda me makinën tjetër Red Bull. Pra, një paraqitje e mirë e skuadrës Red Bull, që rikthehet protagoniste në botëror.

Në zonën e pikëve u renditën edhe Lando Norris me McLaren, Lewis Hamilton e Charles Leclerc me Ferrari si dhe Isack Hadjar me makinën RB. Dy pilotët e Ferrari ishin larg më të mirëve, duke mos patur asnjë shans të dulonin për podium. Një garë zhgënjyese për “kokëkuqen”.

Një garë e mbyllur pa pikë për kryesuesin e botërorit, australianin Oscar Piastri me McLaren, që u aksidentua që në xhiron e parë. Gjithsesi, Norris nuk përfitoi aq sa duhet dhe tashmë distanca mes tyre në renditje është 24 pikë në favor të australianit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat