Mercedes-i mbron Kimi Antonellin

Formula 1

Mercedes-i mbron Kimi Antonellin

Më: 2 dhjetor 2025 Në ora: 15:40
Kimi Antonelli,

Piloti i ri italian, Kimi Antonelli, është bërë qendra e një stuhie të vërtetë urrejtjeje ‘online’ pas garës së Çmimit të Madh të Katarit, ku u akuzua padrejtësisht për favorizim të Lando Norrisit në momentet e fundit të garës.

Shkëndija e polemikës u ndez nga deklaratat e nxituara të dy figurave të rëndësishme të Red Bull-it, Giampiero Lambiase dhe Helmut Marko, të cilët kritikuan manovrën e parakalimit ndaj Antonelli-t nga lideri i Botërorit. Më vonë, Red Bull-i kërkoi falje zyrtare.

Sipas të dhënave të mbledhura nga sistemet e monitorimit të Mercedes-it, situata eskaloi me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në një “gjyq publik” pa asnjë rregull. Vetëm në profilin e Kimi Antonelli-t u regjistruan më shumë se 1.100 komente fyese, një rritje mbi 1000% krahasuar me një të diel të zakonshme gare.

Shumë prej këtyre mesazheve përmbanin kërcënime serioze me vdekje dhe thirrje për dhunë fizike ndaj pilotit 19-vjeçar. Edhe llogaritë zyrtare të Mercedes-it u bombarduan me rreth 330 mesazhe agresive të së njëjtës natyrë.

Mercedes i drejtohet FIA-s me një dosje të plotë

Përballë kësaj vale dhune digjitale, Mercedes-i nuk qëndroi pasiv. Skuadra përgatiti dhe i dorëzoi FIA-s një dosje të detajuar mbi abuzimet e dokumentuara, duke kërkuar ndërhyrje dhe masa konkrete. FIA, e cila prej kohësh zhvillon fushata kundër abuzimeve ‘online’, reagoi menjëherë me një qëndrim të fortë, duke dënuar kategorikisht sulmet dhe duke shprehur mbështetje të plotë për Antonelli-n.

Në shenjë proteste dhe për t’u distancuar nga klima toksike në rrjet, Kimi Antonelli ka zëvendësuar imazhin e tij të profilit në rrjetet sociale me një ekran tërësisht të zi, duke dërguar një mesazh qartë kundër urrejtjes digjitale.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat