Nuk ka qenë gjithçka negative për Ferrarin

Formula 1

Nuk ka qenë gjithçka negative për Ferrarin

Më: 12 dhjetor 2025 Në ora: 15:48
Makina

Nuk ka qenë gjithçka negative për Ferrarin në vitin 2025.

Sa i përket performancës në pistë, rezultatet kanë qenë shumë larg pritshmërive, me të dy pilotët që kanë pasur një sezon zhgënjyes.

Megjithatë, italianët kanë shkëlqyer në një aspekt të vetëm në Formula 1 këtë vit: ndalesat në bokse.

Skuadra nga Maranelos është shpallur fituese e çmimit për “pit stop”-et më të mira të vitit 2025.

Ky vlerësim nuk merr parasysh vetëm shpejtësinë e ndërrimit të gomave, por edhe vazhdimësinë dhe besueshmërinë e punës së mekanikëve.

Duke analizuar ndalesat më të shpejta nga çdo garë, del se në 10 nga 24 garat e kalendarit, gati gjysma e tyre, Ferrari ka qenë skuadra më e shpejtë në bokse. Mesatarja e tyre për vitin 2025 ishte 2.4 sekonda, një të dhjetën më e shpejtë se koha standarde referuese prej 2.5 sekondash.

Ndalesat më të shpejta të “kokëkuqes” zbritën deri në 2.0 sekonda në Arabinë Saudite, Monako dhe Abu Dabi. Në Formula 1, një “pit stop” deri në 3 sekonda konsiderohet optimal për të minimizuar ndikimin në strategji dhe pozicionin në pistë gjatë një gare. Mekanikët e Ferrarit e kanë kaluar këtë kufi vetëm tetë herë përgjatë rreth 60 ndalesave të kryera këtë se zon. Kjo tregon se përveçse të shpejtë, ata kanë qenë mbi të gjitha të qëndrueshëm.

Nga ana tjetër, dy ndalesat më të shpejta të vitit kanë qenë të MekLarenit: 1.91 sekonda në Itali dhe 1.94 sekonda në Hungari.

Megjithëse skuadra e “papaya” ka treguar kapacitet të jashtëzakonshëm në disa gara, problemi ka qenë mungesa e konsistencës.

Me një mesatare prej 2.8 sekondash për “pit stop”, MekLaren ka kaluar pragun prej 3 sekondash plot 27 herë, shpesh për shkak të gabimeve. Situata e Red Bullit ka qenë edhe më kontradiktore.

Edhe pse kanë realizuar “pit stop”-in më të shpejtë në gjashtë gara dhe kanë regjistruar kohën e tretë më të mirë të vitit, 1.95 sekonda në Brazil, mesatarja e tyre për vitin 2025 ka arritur në 3.10 sekonda. Kjo tregon se mekanikët e “Milton Keynes”-it kanë bërë gabime të rënda, duke shënuar në disa raste ndalesa mbi 10 sekonda (pa penalizime).

Kështu, Ferrari mund të gjejë diçka pozitive nga ky sezon dhe ta përdorë suksesin në bokse si pikënisje për projektin e ri në prag të vitit 2026.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat