Ministri spanjoll kritikon

Formula 1

Ministri spanjoll kritikon

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 18:40
Pamje

Oskar Puente, Ministri i Transportit dhe Lëvizshmërisë së Qëndrueshme i qeverisë spanjolle, dha opinionin e tij për një nga ngjarjet më të mëdha sportive të zhvilluara së fundmi në territorin spanjoll: Çmimin e Madh të Spanjës në pistën e re Madring.

Bëhet fjalë për një pistë që solli një koncept të ri në Formula 1, me një konfigurim që të kujton disa prej cirkuiteve të tjera të zhvilluara mes muresh, si Monako apo në Xhedah të Arabisë Saudite. Gara e parë në Madring u mbyll me Andrea Kimi Antonelin si fituesin e parë në historinë e kësaj piste.

Pas përfundimit të garës, Puente komentoi atë që kishte ndodhur në pistë, duke iu përgjigjur një postimi në “X” të Viktor Abad, drejtor i revistës Fium. “Dallimi mes cirkuitit të Katalonjës dhe Madring është se i pari u ndërtua për të zhvilluar gara, ndërsa ky është ndërtuar për të gjeneruar të ardhura. Urime organizatorëve që arritën ta çojnë përpara këtë projekt, por është e qartë se këtu aspekti sportiv është gjëja më pak e rëndësishme. Gara të mërzitshme”, shkroi Abad.

Puente nuk u përmbajt në reagimin e tij. “Pa hyrë në polemika politike, vetë Çmimi i Madh ka qenë një katastrofë e vërtetë, kryesisht për shkak të projektimit të pistës, i cili e bën pothuajse të pamundur parakalimin. Është Monako 2, por më i shpejtë. Një varg makinash nga fillimi deri në fund dhe lëvizje vetëm përmes strategjisë”, komentoi ministri spanjoll. Nga “paddock”-u, vlerësimi për Madring ka qenë përgjithësisht pozitiv.

Nga pikëpamja logjistike, organizimi është konsideruar një sukses. Në Madrid nuk munguan personalitetet e rëndësishme të shoqërisë spanjolle, ndërsa në aspektin sportiv mbeten ende disa çështje për t’u përmirësuar. Megjithatë, pista ka mundësi të pësojë ndryshime në zona të caktuara.

Këtë e ka bërë të ditur edhe Karlos Sainz, ambasadori i Madring, duke lënë të kuptohet se konfigurimi mund të modifikohet për të përmirësuar spektaklin dhe mundësitë për parakalime. Kjo nuk është polemika e parë e Oskar Puentes.

Ai është bërë prej kohësh një zë i njohur edhe në komentet dhe analizat e tij rreth garave të Formulë 1. Puentes nuk e ka fshehur asnjëherë preferencën e tij për Fernando Alonson. “Është piloti i shekullit. Do të kishte tetë tituj botërorë nëse nuk do të ishte për makinën”, kishte deklaruar Puente në vitin 2023, në kulmin e paraqitjeve të pilotit asturian me Aston Martin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat