Kimi Antoneli synon të rikthehet te fitorja këtë fundjavë në Sepang, pas një gare zhgënjyese në Baku.
Piloti i Mercedesit kryeson Botërorin me 61 pikë avantazh ndaj shokut të skuadrës, Xhorxh Rasëll.
Për italianin, gara në Malajzi do të jetë një sfidë e veçantë, pasi ai nuk ka garuar më parë në këtë pistë. “Qëllimi im këtu në Sepang është të synoj fitoren. Do të jetë e vështirë nga pikëpamja e gomave dhe do të duhet ta menaxhojmë sa më mirë situatën”, deklaroi Kimi.
Ai e cilësoi fundjavën e kaluar në Baku si më të keqen e sezonit për të, por theksoi se ajo garë i dha mësime.
“Pas garës nuk isha i kënaqur me rezultatin, por mësova shumë”, tha piloti i Mercedesit. Sipas tij, mësimi kryesor është nevoja për të qenë gjithmonë në nivelin maksimal. “Duhet të jem gjithmonë 100 % dhe të nxjerr maksimumin nga mundësitë e mia”, theksoi Antoneli.
Mercedesi ka sjellë në Sepang disa përditësime që synojnë të rrisin kapjen dhe forcën aerodinamike të makinës. “Besoj se Sepangu është një provë e mirë, sidomos për shkak të kthesave shumë të gjata. Mezi pres të zbres në pistë dhe të verifikojmë gjithçka në realitet”, u shpreh italiani.