​Çdo ditë të jetë dita e tokës

Gjakova

​Çdo ditë të jetë dita e tokës

Më: 22 prill 2021 Në ora: 14:18
Foto nga vendi i ngjarjes

Në vazhdën e aktiviteteve të sotme për shënimin e Ditës së Tokës, komuna e Gjakovës ka organizuar aksionin "Ta pastrojmë Shkugzën", me ç'rast kryetari Ardian Gjini ka paralajmëruar edhe pastrimin e lumit Erenik.

Në fjalën e tij para nxënësve të cilët ishin mbledhur për të pastruar një pjesë të Shkugzës, i pari i Gjakovës tha se dita e sotme duhet të shërbejë si mesazh vetëdijesimi për të gjithë qytetarët që të mos hedhin mbeturina në rrugë dhe nëpër hapësira të tjera publike.

Ai tha se Shkugëza më parë ka qenë në gjendje më të keqe, porse sot është shumë më mirë. Mëgjithatë, hedhja e vazhdueshme e mbeturinave aty, sipas Gjinit po vazhdon dhe si e tillë duhet të ndalet.

Gjini: Mos të hedhim mbeturina

"Hedhja e mbeturinave, krijimi i deponive ilegale është gabim, është keq. Ne që jemi këtu, nuk jemi vetëm me i heq mbeturinat sot, jemi këtu me e dhënë një mesazh për bashkëqytetarët tanë... që është vendi jonë, është toka jonë dhe të gjithë kemi qejf me e pa më ndryshe dhe mundi që duhet ne ta bëjmë për me qenë më ndryshe është krejt i vogël, vetëm mos me hedh mbeturina. Tani ne shumë shpejt, bashkë me organizata tjera do të vazhdojmë edhe pastrimin e lumit Erenik, një pjesë që me vite e vite ka dalë në media, është një dekor brutal i qeseve të plastikës aty. Ne do ta nisim pastrimin, por nuk mjafton nëse keni prapë hedhje të mbeturinave, kështu që le të jetë sot një moto, një mesazh, një porosi për të gjithë bashkëqytetarët tanë, nuk kanë nevojë me hedhë mbeturina", tha ai.

Drejtoresha ekzekutive e Pamkos-it, Merlina Beu Muçaj tha se po përkrahin këtë nismë me të gjitha kapacitetet për të bërë më të pastër komunën e Gjakovës.

Meu-Muçaj: Jemi mbledhur për ta ruajtur ambientin

"Jo më kot jemi mbledhur të gjithë këtu, për të dhënë mesazhin më të mirë për t’u kujdesur dhe për të ruajtur mjedisin ku jetojmë dhe veprojmë. Në kuadër të bashkëpunimit me komunën e Gjakovës dhe KRM 'Çabrati', Pamkos përkrahë nismat dhe organizimet në komunën e Gjakovës, duke i mbështetur me të gjitha kapacitetet për të bërë një mjedis më të pastër në këtë komunë... Ju ftoj që çdo ditë të jetë dita e tokës për të gjithë", tha ajo.

Se kompania rajonale e mbeturinave "Çabrati" do të jetë e përkushtuar për një ambient sa më të pastër premtoi drejtori i kësaj kompanie, Behar Ferizi, i cili shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet përkatëse.

Ferizi: Do të përkrahim çdoherë një ambient sa më të pastër

"Ne do të jemi gjithë kohën vigjilent, do të jemi gjatë gjithë kohës përkrahës për një ambient sa më të pastër", u shpreh ai.

Në kuadër të këtij aktiviteti, të pranishmit lidhën nga një mesazh sensibilizues në fidanët dhe pemët në Shkugëz.

Për të shënuar Ditën e Tokës, komuna e Gjakovës të enjten ka zhvilluar disa aktivitete, në mesin e të cilave ishte edhe mbjellja e 400 fidanëve në Kompleksin Memorial në Mejë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat