Bundestagu gjerman shqyrton sonte, në orën 18:40, një nismë të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), që sipas titullit kërkon që refugjatëve t'u jepet vetëm mbrojtje e përkohshme dhe jo natyralizim. Sipas rendit të ditës, pas një debati gjysmëorësh, nisma pritet t'u kalojë komisioneve parlamentare, ku përgjegjës kryesor do të jetë Komisioni për Punë të Brendshme.
Të enjten, në orën 14:35, AfD-ja sjell në seancë edhe një nismë tjetër, kundër asaj që e quan "migracion i varfërisë" brenda Bashkimit Evropian.
Rregullat aktuale mbeten në fuqi
Për bashkatdhetarët në Gjermani, debati i sotëm nuk sjell asnjë ndryshim. Nismat e kësaj lloji janë kërkesa politike drejtuar qeverisë dhe, për t'u kthyer në ligj, do t'u duhej shumicë në parlament.
Sipas Zyrës Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF), për natyralizim kërkohen pesë vjet qëndrim i rregullt në Gjermani, njohja e gjermanishtes në nivelin B1, angazhimi për rendin kushtetues demokratik dhe mungesa e dënimeve penale. Tarifa është 255 euro për person. Që nga qershori i vitit 2024, gjatë natyralizimit lejohet edhe mbajtja e shtetësisë së mëparshme.
AfD-ja dështoi edhe në mars
Kjo nuk është përpjekja e parë e AfD-së për të shtrënguar rregullat. Në mars të këtij viti, Bundestagu rrëzoi me 439 vota kundër dhe 135 për propozimin e saj për ta rikthyer afatin e natyralizimit në tetë vjet. Në tetor, partia paraqiti një paketë tjetër, që kërkon natyralizim jo më herët se pas dhjetë vjetësh dhe heqjen e shtetësisë së dyfishtë, e cila deri tani nuk është miratuar.