Berlin: aleatët e Ukrainës premtojnë mbështetje dhe kërkojnë vend në bisedimet e paqes

Gjermani

Berlin: aleatët e Ukrainës premtojnë mbështetje dhe kërkojnë vend në bisedimet e paqes

Nga: Bota sot Më: 21 nëntor 2026 Në ora: 11:38
Fotoilustrim

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka pritur në Berlin samitin e të ashtuquajturit Koalicion i Vullnetarëve, grupit të vendeve që mbështesin Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër Rusisë. Sipas qeverisë gjermane, në takimin e së enjtes në Kancelarinë Federale morën pjesë përfaqësues nga 37 vende, si dhe krerët e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

Samiti u organizua bashkë me Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa Ukraina pati rol të veçantë. Sipas agjencisë AFP, në Berlin ishin edhe të dërguarit amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff, si dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Paqja, ndihma dhe garancitë
Në qendër të takimit ishin rrugët drejt paqes, mbështetja e mëtejshme për Ukrainën dhe garancitë e sigurisë për të. Evropianët kërkojnë të jenë pjesë e çdo negociate të ardhshme për paqen. Takimi u mbajt menjëherë pas samitit të presidentit amerikan Donald Trump me presidentin rus Vladimir Putin dhe atë kinez Xi Jinping.

45 miliardë euro të reja
Komisioni Evropian propozoi më 18 nëntor ndihmë shtesë financiare deri në 45 miliardë euro, mbi kredinë mbështetëse prej 90 miliardë eurosh për vitet 2026 dhe 2027. Sipas AFP-së, Merz ka këmbëngulur që të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së të marrin pjesë në financim, pasi Ukraina përballet vitin e ardhshëm me një mungesë prej rreth 70 miliardë eurosh. Qeveria gjermane bëri të ditur gjithashtu se koalicioni po zhvillon stërvitjen e parë ushtarake të përbashkët, të quajtur "Koalicja", në të cilën merr pjesë edhe Gjermania.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha në rrjetin X se takimi duhet të sjellë rezultate dhe se mbështetje e re është në rrugë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat