Qeveria gjermane pritet të diskutojë sot projektrregulloren që i ul përgjysmë lejet e punës sipas të ashtuquajturës “Westbalkanregelung”. Kjo rregullore u ka hapur rrugën për punë në Gjermani dhjetëra mijë qytetarëve nga Kosova dhe Shqipëria.
Projektrregullorja vjen nga Ministria Federale e Punës. Nga 1 janari 2027 do të lejoheshin vetëm 25.000 miratime të para në vit, në vend të 50.000 që lejohen sot. Pas qeverisë, rregullorja shkon për miratim në Bundesrat, ku pritet të shqyrtohet më 18 dhjetor.
Rregullorja vlen për Kosovën, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Për të aplikuar duhet një ofertë pune e detyrueshme nga një punëdhënës në Gjermani dhe pëlqimi i Agjencisë Federale të Punës (BA). Nuk kërkohet njohja e diplomës, me përjashtim të profesioneve të rregulluara, si mjekët.
Kuota ishte 25.000 në vit dhe u dyfishua në qershor 2024. Koalicioni CDU/CSU–SPD e kishte vendosur kthimin në 25.000 qysh në marrëveshjen e koalicionit, dhe komisioni i koalicionit e miratoi ndryshimin më 1 korrik 2026. Sipas MiGAZIN, qeveria synon të kufizojë imigracionin pa kualifikime formale dhe t’u japë përparësi punëtorëve vendas.
Ndryshimi po has kundërshtime të forta. Agjencia Federale e Punës kërkon që kuota të mbetet 50.000. Sipas saj, kërkesat e vitit 2025 e tejkaluan kuotën ekzistuese dhe kuota e 2026-s pritet të shterohet para fundit të vitit. Në një deklaratë të 3 nëntorit, Bashkimi Qendror i Ndërtimtarisë Gjermane (ZDB) paralajmëroi se sektori do të mbetet pa gati 9.000 punëtorë, sipas llogaritjeve të veta. Drejtori i tij, Felix Pakleppa, tha se qeveria nuk duhet ta “nënshkruajë thjesht” kufizimin. Sipas ZDB-së, rreth 35 për qind e vizave u shkojnë kompanive të ndërtimit dhe 98 për qind e të ardhurve fillojnë punë.
Kushdo që ka një ofertë pune ose një procedurë të nisur sipas kësaj rregulloreje duhet ta ndjekë nga afër vendimin përfundimtar. Ndryshimi është planifikuar të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.