Ministria e Refugjatëve dhe Integrimit e Rheinland-Westfalisë Veriore (NRW) ka korrigjuar deklaratën e saj për një fluturim dëbimi, që ishte kritikuar në gjithë Gjermaninë si "fluturim me një pasagjer". Sipas korrigjimit, në bord ishin edhe 34 persona që u dëbuan në Shqipëri.
Në fillim, ministria kishte bërë të ditur se më 29 shtator ishte marrë me qira një Boeing 737 me 189 vende për ta dëbuar në Bullgari vetëm një person, një shtetas libanez. Raportimi për këtë rast kishte ngjallur debat për kostot e dëbimeve.
Pas rishqyrtimit, një zëdhënëse e ministrisë i tha gazetës "Bild" se informacioni i parë kishte qenë i paplotë. Avioni u nis nga Düsseldorfi, zbriti personin e vetëm në Sofje dhe më pas vazhdoi drejt Tiranës, ku u dorëzuan 34 persona të dëbuar nga Gjermania. Ministria e quajti këtë "dy fluturime në një".
Ministria drejtohet nga Verena Schäffer e Partisë së të Gjelbërve. Partia FDP në parlamentin e landit ka paraqitur një pyetje zyrtare për rastin, ndërsa qeveria e landit ka katër javë kohë për t'u përgjigjur.
Sipas të dhënave të ministrisë, NRW ka marrë me qira gjithsej 15 avionë gjatë vitit 2025 për të dëbuar 130 persona. Rasti ka rikthyer në vëmendje debatin për organizimin dhe koston e dëbimeve në landin më të populluar të Gjermanisë, ku jeton edhe një numër i madh shqiptarësh.