Në fund të vitit 2025, në Gjermani punonin 568 mjekë me shtetësi të Kosovës. Shumica dërrmuese e tyre ishin të angazhuar në spitale, ndërsa statistikat nuk përfshijnë profesionistët me prejardhje nga Kosova që kanë marrë shtetësinë gjermane.
Numri i mjekëve me shtetësi të Kosovës që punojnë në Gjermani ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare të Dhomës Federale të Mjekëve të Gjermanisë, më 31 dhjetor 2025 në vend ishin të regjistruar gjithsej 611 mjekë me shtetësi të Kosovës. Prej tyre, 568 e ushtronin profesionin, ndërsa 43 nuk figuronin si profesionalisht aktivë.
Pjesa më e madhe e mjekëve aktivë punonin në spitale. Nga gjithsej 568 profesionistë, 500 ishin të angazhuar në sektorin spitalor, 38 punonin në shërbimet mjekësore jashtë spitaleve, ndërsa 30 në fusha të tjera profesionale.
Kjo do të thotë se rreth 88 për qind e mjekëve aktivë me shtetësi të Kosovës në Gjermani punonin në spitale.
Rritje prej afro 24 për qind
Në fund të vitit 2023, në Gjermani punonin 459 mjekë me shtetësi të Kosovës. Numri i tyre u rrit në 518 gjatë vitit 2024 dhe arriti në 568 në fund të vitit 2025.
Brenda dy vjetësh janë shtuar 109 mjekë, që përfaqëson rritje prej rreth 23,7 për qind.
Vetëm gjatë vitit 2025, numri i tyre u rrit me 50, ose 9,7 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kjo rritje ishte pothuajse dyfish më e lartë se ajo e numrit të përgjithshëm të mjekëve të huaj në Gjermani.
Të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2025 numri i mjekëve të huaj në sistemin gjerman u rrit me rreth pesë për qind, duke arritur në 71.480. Ata përbënin afërsisht 16 për qind të të gjithë mjekëve aktivë në vend.
Numri real mund të jetë më i lartë
Shifrat zyrtare bazohen në shtetësinë e profesionistëve dhe jo në prejardhjen e tyre. Për këtë arsye, në kategorinë e shtetasve të Kosovës nuk përfshihen mjekët me prejardhje nga Kosova që ndërkohë kanë marrë shtetësinë gjermane.
Statistikat nuk tregojnë as se në cilin vend mjekët i kanë përfunduar studimet ose e kanë marrë diplomën.
Për rrjedhojë, numri real i mjekëve me prejardhje nga Kosova që punojnë në Gjermani mund të jetë më i lartë se ai i paraqitur në statistikat zyrtare.
Rritja dëshmon integrimin e profesionistëve nga Kosova në sistemin shëndetësor gjerman. Në të njëjtën kohë, ajo rikthen shqetësimin për largimin e personelit të kualifikuar dhe pasojat që ky zhvillim mund të ketë për sistemin shëndetësor të Kosovës.
Burimi: Statistikat zyrtare të Dhomës Federale të Mjekëve të Gjermanisë.