Ura e Mülheimit në Këln u ndërtua në vitin 1929, u shkatërrua në luftë dhe u ngrit sërish në vitin 1951. Kur Nazmi Kupa erdhi në Gjermani në vitin 1968, ura ishte vetëm 17 vjeç. Sot, gati gjashtë dekada më vonë, 78-vjeçari punon në rinovimin e saj, krah djalit dhe nipit të tij.
Një urë me histori të trazuar
Ndërtimi i urës nisi në maj të vitit 1927. Në tetor të vitit 1929 e hapi kryetari i atëhershëm i Këlnit, Konrad Adenauer, i cili vendosi edhe ngjyrën e saj të gjelbër. Kjo ngjyrë u bë më vonë shenjë dalluese e urave të qytetit.
Jeta e parë e urës zgjati vetëm 15 vjet. Më 14 tetor 1944, ajo u shkatërrua në një bombardim. Rindërtimi nisi në vitin 1949, dhe në shtator të vitit 1951 ura u hap sërish, përsëri me Adenauerin, këtë herë si kancelar i Gjermanisë Perëndimore.
Brezi që erdhi për të ndërtuar
Ishin vitet kur Gjermania Perëndimore, e dalë nga rrënojat, kishte nevojë për duar pune. Në vitin 1968 erdhi edhe Nazmi Kupa, me vizë pune dhe pa zanat. Profesionin e marangozit të ndërtimit e mësoi në kantier, me ndihmën e kolegëve gjermanë. Edhe sot ai thotë se u është mirënjohës.
Ndërkohë, ura u përshtat me qytetin që rritej. Në vitet 1976–1977 iu shtua një korsi e veçantë në mes për tramvajin e qytetit, si dhe nga dy korsi për automjete në secilin drejtim. Në vitin 2004 u shpall monument i mbrojtur.
Një kantier që po zgjat më shumë se sa pritej
Në prill të vitit 2018 nisi rinovimi i përgjithshëm i urës, që sot është rreth një kilometër e gjatë dhe lidh lagjet Riehl dhe Mülheim mbi Rin. Gjatë punimeve u zbuluan dëmtime më të mëdha se sa ishte parashikuar. Rampa në bregun e djathtë, e mbetur nga viti 1929, u shemb dhe po ndërtohet nga e para. Sipas qytetit, kostoja ka arritur rreth 498 milionë euro, ndërsa kompania ndërtuese Implenia e parashikon përfundimin në vitin 2029.
Pikërisht për Implenian punojnë edhe Nazmiu, djali i tij 50-vjeçar Kabili dhe nipi 21-vjeçar Zejadini. Babai dhe djali janë marangozë ndërtimi dhe ngrenë kallëpet e drurit ku derdhet betoni. Nipi ka mësuar zanatin e betonit të armuar dhe, krahas punës, po studion në këtë fushë. Historia e tyre u bë e njohur këtë tetor, pas një reportazhi të televizionit publik gjerman WDR.
Nga kantieri në shtëpi
Të tre jetojnë me familjet e tyre nën të njëjtën çati. Puna nuk u prish punë në shtëpi, sepse kanë një rregull: çfarëdo që ndodh në kantier, mbetet aty.
„Kur një burrë ka familje, i ka të gjitha”, tha Nazmiu në reportazhin e WDR-së. Pensioni, të paktën tani për tani, nuk është në planet e tij. Ai thotë se do të vazhdojë derisa ta mbajnë këmbët.
Tri breza për një urë
Kur të përfundojë rinovimi, Nazmi Kupa do të jetë rreth 82 vjeç. Zejadini do ta ketë nisur karrierën me një nga projektet më të vështira të Këlnit.
Ura është ndërtuar, shkatërruar dhe rindërtuar nga brezat e Gjermanisë së shekullit të kaluar. Sot, një pjesë e saj po ndërtohet nga duart e një familjeje që erdhi si punëtore dhe mbeti si pjesë e qytetit. Kjo është edhe historia e diasporës shqiptare në Gjermani: brezi që erdhi për të ndërtuar, brezi që e vazhdoi zanatin dhe brezi i ri që po e çon përpara me shkollim.