Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka zhvilluar një vizitë te mjeku i njohur shqiptar, Dr. Agron Lumiani, në Gjermani.
Përmes një postimi në Facebook, Aliu ka ndarë emocionet nga kjo vizitë, duke vlerësuar lart profesionalizmin, përvojën dhe personalitetin e mjekut shqiptar, i cili ka ndërtuar një emër të njohur në mjekësinë gjermane dhe atë ndërkombëtare.
Ai ka bërë të ditur se Dr. Lumiani e ka pritur ngrohtësisht së bashku me familjen e tij në shtëpinë e tyre, ku kanë kaluar momente të veçanta, të shoqëruara me biseda, emocione dhe kujtime.
Aliu e ka cilësuar këtë vizitë si një përvojë të veçantë, duke theksuar mikpritjen dhe fisnikërinë e bashkatdhetarit të tij.
“Një vizitë që do ta ruajmë gjatë në kujtesë si mikpritje e fisnikëri shembullore të bashkatdhetarit tonë suksesplotë në Gjermani”, ka shkruar Aliu.
Ai ka shprehur vlerësimin për Dr. Lumianin, duke e cilësuar atë si një personalitet që me kompetencën profesionale dhe përvojën e tij shumëvjeçare përfaqëson me dinjitet shqiptarët në Gjermani.