Ismajli: Gjithmonë jemi afër qytetarëve të prekur nga pandemia me aq sa kemi mundësi

Gjilani

Ismajli: Gjithmonë jemi afër qytetarëve të prekur nga pandemia me aq sa kemi mundësi

Më: 24 dhjetor 2020 Në ora: 16:28
Kuvendi Komunal i Gjilanit

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në seancën e fundit për këtë vit, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi-Emini, ka shqyrtuar dhe miratuar vendimet për marrjen nën mbrojtje të trashëgimisë natyrore në komunën e Gjilanit, rregulloren komunale për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronës së paluajtshme të komunës për periudhën më pak se një vit, rregulloren për kushtet, kriteret dhe procedurat e ndarjes së subvencioneve, planin e punës së KK-Gjilan për vitin 2021, vendimin për miratimin e orarit të mbledhjeve të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2021 si dhe raportin e punës së KKSB për vitin 2020, përkatësisht planin e punës për vitin 2021.

Po ashtu Kuvendi e miratoi edhe kërkesën e DSHP për riorganizimin e rrugëve dytësore në lagjen Dardania të cilën e paraqiti drejtori Naser Korça.

Njëherësh, Kuvendi u njoftua me raportin e Qendrës Operative Emergjente lidhur me gjendjen e pandemisë në Gjilan, ku opozita insistoi të përfshihet edhe ndarja e një ndihme financiare për rastet e prekura nga virusi, duke qenë se kostoja e shërimit është bukur e lartë.

Xhevat Demiri (AAK) ka kërkuar që Komuna t`i kompensojë me një shumë prej 200 euro qytetarët e prekur nga virusi, kërkesë kjo që parimisht ka hasur në mirëkuptim dhe ka marrë mbështetje edhe nga Riza Abdyli, Nevzad Isufi, Avdyl Aliu, Ibish Ibishi, Bujar Nevzati, Arta Haziri, Shefik Surdulli, Arijeta Rexhepi, Mimoza Kadriu, Isa Agushi, Erlehta Osmani, Shemsedin Ramushi, Arianit Sadiku dhe të tjerë.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka thënë se po punojmë vazhdimisht për të qenë afër qytetarëve të prekur nga pandemia, me aq sa kemi mundësi dhe askush nuk është duke i ikur përgjegjësisë në këtë drejtim.

‘Jemi dakord me diskutua edhe për një ndihmë financiare për familjet e prekura, por sot nuk mund ta marrin atë vendim për shkak të mundësive buxhetore që kemi në fund të vitit, sepse bëhet fjalë për mbi 3 mijë të infektuar’ ka thënë Ismajli, duke premtuar se kjo do të jetë prioritet në fillim të vitit tjetër.

Ndërkohë ai ka prezantuar të dhënat mbi gjendjen aktuale me Covid, i cili deri tani ka marrë 93 jetë. Muaji më kritik ka qenë nëntori, me 1180 raste, ndërsa në dhjetor ka një rënie të dukshme – gjithsej 146 raste, ka thënë Ismajli, i cili ka dhënë edhe shumë detaje të tjera.

Ndërkaq, kryesuesja Shpresa Kurteshi-Emini tha se Komuna, me krejt kapacitetet është e gatshme t`iu dalë në ndihmë qytetarëve të saj, sa iu përket pandemisë, por duhet të dihen paraprakisht mundësitë buxhetore që kemi.

Shefat e grupimeve politike dhe kryesuesja e Kuvendit Komunal u dakorduan që të takohen të hënën, së bashku me nënkryetarin e Komunës, për të diskutuar dhe vendosur tutje për këtë kërkesë.

Këshilltarët komunalë kanë ngritur edhe pyetje, interesime e shqetësime tjera. Kësisoj, Nehat Osmani (LVV) ka ngritur një shqetësim nga fusha e kulturës dhe artit që ka të bëjë me ndarjen e subvencioneve, që sipas tij, po shfrytëzohen për qëllime elektorale dhe ku ka pasur favorizime të organizatave të ndryshme.

Isa Agushi (PDK) ngriti çështjen e vendosjes së tabelave të emërtimeve të rrugëve dhe adresave, e cila është kryer në Kuvend si proces, por nuk është realizuar në terren.

Mimoza Kadriu (Nisma) në emër të banorëve të kompleksit banesor në lagjen Iliria (ish-Kamnik) ka kërkuar rinovimin e kompleksit banesor në këtë zone të qytetit, ku jetojnë 216 familje.

Kompleksi është ndërtuar para 40 vitesh dhe asnjëherë deri tani nuk është rinovuar. Çatia pikon në shumicën e blloqeve të banimit, ndërsa fasada është dëmtuar aq sa nuk përngjan në hapësirë banimi, ka thënë Kadriu.

Nevzat Isufi tha se komuna e Gjilanit është shpërblyer për, siç thuhet, realizimin qind për qind të planit të integritetit, ndërsa unë nuk e di se kemi plan integriteti dhe se një plan i tillë i tillë është sjellë në Kuvend dhe është diskutuar ndonjëherë si dhe përmendi ankesën e një organizate studentore në lidhje me ndarjen e bursave.

Bujar Nevzati e ngriti çështjen e rrugës me katër krosi në qytet, e cila, sipas tij, është bërë pa asnjë plan dhe qytetarët çdo ditë dënohen aty nga policia.

Arijeta Rexhepi ngriti çështjen e vonesave të lidhjes me kohë të kontratave te prokurimi, duke marrë si shembull disa prej tyre, ku tha se ka mangësi.

Shefik Surdulli tha se në komunën e Gjilanit po funksionojnë ende strukturat paralele, gjë që duhet t`i shqetësojë institucionet legjitime, sepse nuk ka asnjë nevojë për ekzistimin e tyre.

Hevzi Xhelili bëri pyetje për mundësitë e ndihmës së bizneseve në këtë kohë pandemi, kurse Krenare Latifi pati vërejtje te anashkalimi i disa qytetarëve nga projektet e përbashkëta në rrugën ‘Ibrahim Pacolli’.

Arianit Sadiku paraqiti një ankesë të një qytetarëve të lagjes Kamnik rreth dhënies së kushteve të ndërtimit të një ndërtese dhe pse nuk kanë marrë përgjigje si dhe një pyetje rreth një projekti të fidanëve në ‘Kodrën e Dëshmorëve’.

Xhelal Hajrullahu ngriti problemin e hapësirës së re të varrezave të qytetit, meqë lokacioni ekzistues nuk ka vend më varre.

Gentrit Murseli tha se ka ardhur një ankesa nga parlamenti studentor në lidhje me bursat dhe ne jemi të gatshëm t`i takojmë dhe dëgjojmë vërejtjet dhe rekomandimet e tyre.

Kryesuesja Shpresa Kurteshi Emini sqaroi se komuna e Gjilanit e ka planin e integritetit, të miratuar në këtë Kuvend në vitin 2015 dhe ka punuar në bazë të atij plani dhe e ka në hartim planin tjetër të integritetit, i cili do të vijë para jush sapo të përfundojë.

Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka dhënë përgjigje në disa prej pyetjeve dhe e ka vlerësuar të drejtë shqetësimin për subvencionet në kulturë, rini dhe sport si dhe vonesat për vendosjen e tabelave të rrugëve dhe adresave.

Sa iu përket projekteve tha se është e vërtetë se ka pasur mangësi në disa prej tyre dhe prandaj është dashur të shikohen dhe rriten vlerat. Mangësi ka pasur te projekti i tregut të gjelbër dhe stadiumi i qytetit, të cilat është dashur të rishikohen, ka thënë Ismajli.

Ndërkaq në lidhje me kërkesën e banorëve të kompleksit banesor “Iliria’, të cilën e prezantoi Mimoza Kadriu, nënkryetari Ismajli tha se është i njoftuar me gjendjen e banimit kolektiv në këtë lagje dhe premtoi se do të shikohet mundësia për të riparuar çatitë dhe bodrumet vitin tjetër, në mënyrë që pastaj mirëmbajtja të vazhdohet prej vetë banorëve.

Naser Korça (DSHP) në lidhje me rreth-rrotullimet, tha se është bërë sinjalizimi dhe shënjimi dhe është çështje tjetër sa e respektojnë qytetarët. Sa i përket rrugës me katër krosi, ajo është planifikuar dhe ka dalë më mirë se sa është pritur dhe është normale që shkelja e rregullave pasohet me dënime nga policia. Sa i përket një anashkalimi nga projekti në rrugën ‘Ibrahim Pacolli’ ai u shpreh i gatshëm me reagua, nëse është ashtu siç tha këshilltarja Latifi.

Sa i përket lokacionit të varrezave, drejtori i Urbanizimit, Bekim Bajrami tha se aktualisht i kemi dy opsione aktive me planin zhvillimor komunal, ndërkaq sa iu përket tabelave të rrugëve, kjo punë do të bëhet përmes një procedure prokurimi dhe pritet të përfundojë në fillim të vitit, tha ai.

Pyetjeve nga fusha e Arsimit iu përgjigj Nazim Gagica, i cili tha se ne po përballemi me rënien e numrit të nxënësve dhe kjo automatikisht nënkupton uljen e normave mësimore, por ne kemi bërë zgjidhje dhe nuk kemi nxjerrë nga puna askënd si tepricë teknologjike.

Kurse Ramiz Ramadani (DBP) tha se në ‘Kodrën e Dëshmorëve’ janë mbjellë 1000 fidanë, të cilat janë donacion i TIKA-s si dhe 720 fidanë që janë siguruar nga buxheti komunal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat