Anulohet seanca gjyqësore në rastin për fajde, gjykatësi pjesë e trupit gjykues në rastin ndaj Qemajl Mustafës e të tjerëve

Gjilani

Anulohet seanca gjyqësore në rastin për fajde, gjykatësi pjesë e trupit gjykues në rastin ndaj Qemajl Mustafës e të tjerëve

Më: 26 maj 2021 Në ora: 16:35
Qemajl Mustafa

Për shkak se gjykatësi Arben Mustafaj është anëtar i trupit gjykues në rastin ku ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe 36 të tjerë po akuzohen për korrupsion me tendera, është anuluar seanca e së mërkurës në rastin ku Shërbim Berisha po akuzohet për fajde.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka bërë të ditur vet gjykatësi Mustafaj, duke shtuar se për seancën e radhës palët do të ftohen sërish me ftesa të rregullta.

“Betimi për Drejtësi” ka raportuar edhe për seancën ndaj Mustafës dhe të tjerëve, të mbajtur sot në objektin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ndryshe, Shërbim Berisha është pjesë e aktakuzës së Prokurorisë së Pejës të ngritur më 13 korrik 2018, e cila akuzon atë dhe 11 të tjerët, Gani Doburna, Arbër Gashi, Ajet Kuqi, Xhevdet Cacaj, Idriz Gashi, Përparim Rexhepi, Blerim Thaqi, Isuf Thaqi, Qamil Pajaziti, Lulzim Kuqi e Faik Rexhep, për veprën penale të fajdesë. Mirëpo për shkaqe procedurale, ndaj Berishës ishte veçuar procedurale penale.

Prokuroria pretendon se i pandehuri Berisha, më 7 mars 2015 e deri më 7 maj 2016, në Deçan, kishte shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të dëmtuarit Rifat Jasiq, duke kontraktuar dhe pranuar për vete shumën jopropocionale të pasurisë në këmbim të shërbimit/dhënies se të hollave të dëmtuarit, e duke realizuar dobi pasurore në shumën prej 11 mijë e 250 euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Shërbim Berisha akuzohet se i kishte dhënë të dëmtuarit shumën prej 15 mijë euro me kamatë mujore prej 5% në muaj apo 750 euro në muaj, ku i dëmtuari në emër të kamatës ka arritur t’ia paguajë të pandehurit shumën prej 750 euro për 15 muaj, apo shumën e përgjithshme prej 11 mijë e 250 euro.

Më këtë, i pandehuri po akuzohet se ka kryer veprën penale të “Fajdesë”, nga neni 343 të KPRK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat