​Haziri ia dorëzon çmimin letrar “Beqir Musliu’ laureatit të sivjetmë, Nasi Lera

Gjilani

​Haziri ia dorëzon çmimin letrar “Beqir Musliu’ laureatit të sivjetmë, Nasi Lera

Më: 24 qershor 2021 Në ora: 14:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një ceremoni të veçantë, i ka dorëzuar sot shkrimtarit nga Shqipëria, Nasi Lera, çmimin letrar “Beqir Musliu”, për arritje të larta letrare.

Duke e uruar fituesin e sivjetmë, kryetari Haziri tha se ky çmim bashkon sot dy cepa të tokave tona, ku kufiri akoma i ndan shqiptarët mes vete, por duke ecur përpara drejt një bashkimi.

“Sabit Rrustemi, tash e tridhjetë vjet, Gjilanit i ka dhëne epitetin një qendre kulturore dhe emrat sikur i juaji kanë bërë që ne, përmes shkrimeve shqip dhe në rasti tuaj, edhe përmes përkthimit të autorëve të mëdhenj, ta kuptojmë më mirë veten tonë, gjë që dëshmon se libri dhe dija mbeten gjithmonë kërkesë e jetës”, tha ai.

Laureati Nasi Lera, duke u falënderuar për këtë vlerësim, mes mallëngjimit dhe lotëve, tha se njoftimin e ka përjetuar me një emocion të veçantë, emocion që e kishte provuar vite më parë, kur në Prishtinë ishte botuar romani i tij i parë “Të jetosh kohën”.

‘Gjithmonë kam dashur të vija në Kosovë, por ko ishte e pamundur, sepse dëshira ime nuk varej nga unë, por varej nga dikush tjetër dhe i tillë ishte kufiri shtetëror që na ndante, pavarësisht se ky kufi nuk mundi të ndajë kurrë dhe as nuk do të mund ta ndajë ndonjëherë komunikimin shpirtëror mes nesh”, tha Lera.

Fitues të mëhershëm të këtij çmimi, i cili jepet në bashkëpunim me klubin letrar ‘Beqir Musliu’ janë Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Musa Ramadani, Visar Zhiti, Ibrahim Kadriu, Rexhep Qosja, Ramadan Mehmeti, Nehas Sopaj, Anton Nikë Berisha, Ramadan Musliu, Shaip Beqiri, Ramadan Rexhepi, Edi Shukriu dhe Agim Gjakova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat