KKSB u bën thirrje qytetarëve që të përmbahen nga daljet e panevojshme, për të lejuar më shumë hapësirë për mërgimtarët

Gjilani

KKSB u bën thirrje qytetarëve që të përmbahen nga daljet e panevojshme, për të lejuar më shumë hapësirë për mërgimtarët

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 16:13
Ilustrim

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë gjendjen e sigurisë në komunën e Gjilanit, ndërkohë që ka kërkuar nga qytetarët rezident që të përmbahen nga daljet pa nevojë në qytet, gjatë kohës derisa janë këtu mërgimtarët, për t`iu lënë më shumë hapësirë e mundësi atyre që t`i shijojnë pushimet në vendlindja.

Përndryshe, Naser Rrahmani, zëvendës komandat i Stacionit Policor në Gjilan, ka thënë se gjendja e mirë e sigurisë është rezultat i kontributit të qytetarëve të kësaj komune, angazhimit të organeve të rendit si dhe i bashkëpunimit të policisë me komunitetin.

Ai rikujtoi se tani që jemi në kohën e pushimeve dhe si rezultat i lehtësimit të masave anti-Covid, kemi një fluks të mërgimtarëve, të cilët kanë ardhur dhe po vazhdojnë të vijnë në vendlindje për pushime dhe kjo po vërehet nga tollovitë që po krijohen në rrugë dhe trafik.

Rrahmani tha se në lidhje me këtë situatë, Stacioni Policor ka përgatitur erdhe planin operativ, të cilin do ta zbatojnë në terren dhe ka të bëjë me ngasjen e veturave, shpejtësinë, ndalimin në vendet e ndaluara, përdorimin e alkoolit, përdorimin e telefonit dhe masave tjera që ndikojnë në sigurinë e komunikacionit.

Ndërkaq, sa i përket veprave penale, Rrahmani tha se gjatë muajit korrik janë regjistruar 13 raste të dhunë në familje, ndërsa ‘vjedhje’ dhe ‘vjedhje të rënda’ janë raportuar 24 raste, përfshirë edhe fshatin Malishevë, ku policia është duke vazhduar me zbatimin e planit operativ dhe kohëve të fundit nuk ka pasur raste të reja të vjedhjes atje.

Si rezultat i punës hetimore, janë arrestuar 2 persona, ndërsa 2 të tjerë janë në kërkim, në lidhje me vjedhjet masive që kanë ndodhur në komunën e Gjilanit dhe dyshohet se të njëjtit janë të përfshirë edhe në fshatin Malishevë.

KKSB konstatoi se komuna e Gjilanit, nuk ballafaqohet momentalisht me ndonjë problem ekstrem, por ka një rritje të vëllimit të punëve në polici dhe organet komunale për shkak të kohës së pushimeve vjetore, ardhjes së mërgimtarëve, vaksinimit.

Halit Rexhepi, kryesues i KKSB tha se i bashkëngjitet propozimit të imamit Agim Hyseni që ky mekanizëm i sigurisë, t`u bëjë ftesë qytetarëve, jo me qëllim të kufizimit të lirisë së lëvizjes, por me qëllim të krijimit të mundësive për shfrytëzim sa më të mirë të hapësirës nga mërgimtarët tanë, që të mos dalin pa nevojë në qytet.

Po ashtu KKSB iu bëri thirrje institucioneve komunale që t`i plotësojnë sa më parë vendet e lira të punës, të cilat kanë ngelur të tilla pas pensionimit, ose vdekjes së ndonjë zyrtari komunal, në mënyrë që të mund të ofrohen shërbime e nevojshme për qytetarë.

Sa i përket numrit të rasteve të dhunës në familje, ku vazhdimisht ka dilema mbi gjendjen reale, Rexhepi tha se duket se shifrat nuk kanë të bëjnë të bëjnë me një rritje të dhunës, por janë tregues i një ngritje të vetëdijes së qytetarëve për t`i raportuat rastet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat