​Profili i kryetarit të ri të Gjilanit, Alban Hyseni

Gjilani

​Profili i kryetarit të ri të Gjilanit, Alban Hyseni

Më: 15 nëntor 2021 Në ora: 10:49
Alban Hyseni

Vetëvendosje për të parën herë do të qeverisë me Komunën e Gjilanit. Tani në krye të Komunës së Gjilanit, do të jetë kandidati i Vetëvendosjes, Alban Hyseni.

Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 14 nëntor, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) fitoi besimin e 21 mijë e 374 qytetarëve apo 51,03% të votave. Duke lënë kështu mbrapa kundërkandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, i cili në këto zgjedhje mori 20 mijë e 515 vota. Jo të mjaftueshme sa për ta vazhduar edhe për një mandat qeverisjen.

Kujtojmë që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, Alban Hyseni kishte siguruar 19 mijë e 57 vota, ndërsa, Lutfi Haziri 18 mijë e 546 vota.

Por kush është Alban Hyseni?

Më poshtë sjellim profilin e të parit të Komunës të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni

Alban Hyseni ka lindur më 23 tetor të vitit 1990 në Gjilan. E ka të përfunduar Fakultetin Juridik dhe mbanë titullin master në programin Juridik Penal.

Në vitin e katërt të studimeve ka filluar punën si tutor studentësh, për të vazhduar më pas si asistent në lëndët e fushës juridiko-penale përgjatë viteve 2013-2015.

Ka qenë i angazhuar edhe në pozitat e Zyrtarit për Marrëdhënie me Jashtë (2013-2014), Zyrtar i Cilësisë (2014-2016), pastaj edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Kolegjit “ARBËRI” dhe Koordinator i UBT-së në Gjilan. Ai poashtu është pjesë e stafit akademik në kuadër të Fakultetit Juridik për lëndët e fushës Penale. Vazhdon të jetë i angazhuar me orar të kufizuar në Kolegjin UBT.

Alban Hyseni i është bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! në vitin 2010. Ka qenë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes për dy mandate dhe aktualisht është koordinator i Qendrës së Lëvizjes në Gjilan.

Në zgjedhjet e vitit 2019 u zgjodh deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku u angazhua në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, dhe Rregullore të Kuvendit, si dhe Mbikqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat