Shkollat në Gjilan nderojnë Epopenë e UÇK-së në orën e parë mësimore

Gjilani

Shkollat në Gjilan nderojnë Epopenë e UÇK-së në orën e parë mësimore

Më: 5 mars 2025 Në ora: 08:17
Foto ilustrim

Në shenjë nderimi dhe kujtimi për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të gjitha shkollat e Komunës së Gjilanit nesër, gjatë orës së parë mësimore, do t’i kushtojnë vëmendje kësaj ngjarjeje historike.

Drejtori i shkollës “Abaz Ajeti”, Arsim Bejtullahu ka përcjellë një mesazh me rastin e kësaj dite.

Nesër ora e parë i kushtohet Epopes së UÇK-së. Kujtojmë me krenari komandantin legjendar të UÇK-së Adem Jasharin, dëshmorët, veteranët, të cilët i dhanë kuptimin lirisë që po gëzojmë sot e të cilën duhet ta kultivojmë ndër breza. Ai komb që harron është i destinuar të shuhet”, tha ai.

Në këtë përvjetor, nxënësit dhe mësimdhënësit do të reflektojnë mbi rëndësinë e sakrificës për liri, duke rikujtuar aktin heroik të familjes Jashari dhe gjithë luftëtarëve të UÇK-së, të cilët u bënë themeli i pavarësisë së Kosovës.

Ndryshe, përvjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) shënon njërën nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e Kosovës. Kjo epopë lidhet ngushtë me sakrificën heroike të Adem Jasharit dhe familjes së tij, të cilët më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u përballën me një sulm brutal nga forcat serbe në Prekaz.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat