Kosova ka nevojë për patriotizëm shtetëror dhe jo për pazare!

Intervista

Kosova ka nevojë për patriotizëm shtetëror dhe jo për pazare!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 30 dhjetor 2018 Në ora: 12:29
Jusuf  Buxhovi

Kështu vlerëson në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” historiani Jusuf  Buxhovi, i cili është kritik ndaj nismës së presidentit Thaçi “për pajtim historik” me Serbinë si dhe qasjes që kjo të arrihet “me kompromise” që nënkuptojnë edhe korrigjimin e territoreve! Sipas Buxhovit, formula e vetme e Kosovës në bisedimet me Serbinë duhet të jetë njohja e shtetit të Kosovës, sovranitetit të tij territorial dhe asnjë opsion tjetër. Historiani Buxhovi është shprehur kritik ndaj klasës politike shqiptare në Maqedoni, e cila, për interesa të përfitimeve, është kthyer në një nomenklaturë të pushtetit, duke pranuar rolin e pakicës. Kritik, po ashtu, Buxhovi është shprehur edhe ndaj përpjekjeve që bashkëpunimi kulturor midis Kosovës dhe Shqipërisë t’i nënshtrohet paternalizmit arrogant të Tiranës ndaj vlerave shpirtërore të Kosovës!

“Bota Sot”: Pse sipas jush LDK-ja mund të shpëtojë vendin nga “kurthet dhe pazaret” politike në Kosovë?

J. Buxhovi: Kur flitet për “kurthet dhe pazaret” me të cilat ballafaqohet sot Kosova shumanshëm si dhe “shpëtimin e vendit” prej tyre, siç janë ato që kanë të bëjnë me çështjet që kohëve të fundit u hapen rreth “normalizimit të raporteve me Serbinë” dhe të tjera që rrezikojnë sovranitetin e vendit deri aty sa të kthehet te pika zero, LDK-ja është apostrofuar qëllimisht dhe ka të bëjë me  rolin historik që ka luajtur  në procesin e shtetformimit nga themelimi i saj më 23 dhjetor 1989 e deri në qershor të vitit 1999, kur pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s ndaj forcave ushtarake jugosllave, me rezolutën 1244 të OKB-së, Kosova vihet nën administrimin ndërkombëtar me  çka i hapet rruga shtetit të pavarur të Kosovës. Natyrisht se një parti e tillë nuk mund të largohet nga  përgjegjësia me të cilën ajo ngarkohet  veçmas kur  ka të bëjë me mbrojtjen e kësaj të arriture historike ndër më të mëdhatë e këtij shekulli për të cilat ajo ka merita të mëdha. Krahas përgjegjësisë historike deri te faza e protektoratit ndërkombëtar, LDK-ja ka përgjegjësi politike edhe për ato që kanë ndodhur gjatë viteve të protektoratit, meqë, në dy koalicionet qeverisëse me PDK-në, jo vetëm që i ka ndihmuar kësaj partie të forcojë pozitat në pushtet prej nga ajo me anën e grupeve kriminale dhe metodave të tjera ka vepruar në dëm të shtetit, por ka ndihmuar edhe zgjedhjen e Thaçit për president prej nga sot vijnë shumica e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, ndër të cilat janë edhe ato që lidhen me dialogun me Serbinë prej dhjetë vitesh, gjoja për normalizimin e raporteve midis dy vendeve, që në të vërtetë, kanë mundësuar rikthimin politik të Serbisë në Kosovë deri te ndërhyrjet e brendshme.

 “Bota Sot”: Ndërkohë që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar, është hapur edhe çështja e kufijve. Çfarë mendoni ju për “korrigjimin e kufijve” mes të dyja vendeve?

J. Buxhovi: Me sa di, dialogu nuk është pezulluar, edhe pse si ka rrjedhë prej vitesh dhe dëmet që ia ka sjellë Kosovës (fusnota, pengimi i njohjeve të Kosovës si dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare e të tjera, e mbi të gjitha eliminimi i serbëve të Kosovës nga integrimi në jetën institucionale e të tjera), moti është deshtë të pezullohet ose të ndalet fare deri te një riformatizim i plotë në përputhje me në platformë që do t’i ndalte këto veprime të dëmshme për shtetin e Kosovës. Në vend të kësaj, pa kurrfarë platforme shtetërore, dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është kthyer në një muhabet jozyrtar midis presidentit Thaçi dhe atij serb Vuçiq, i përcjellë me konfuzitet, spekulime dhe veprime të tjera, ku nuk ka munguar edhe implikimi “i tërthortë” ndërkombëtar, veçmas i komisarëve të BE-së, po edhe i disa këshilltarëve të presidentit amerikan, “në formën e sugjerimeve” dhe “këshillave” për arritjen “e një marrëveshjeje midis dy vendeve”, e cila quhet edhe “historike”, që nënkupton edhe “kompromise të ndjeshme nga të dy anët”. Ndonëse animimi i kësaj çështje nga ana e Presidentit të Kosovës përherë ngatërrueshëm dhe është përcjellë me “premtime” se “Kosova po fiton”, pra “po e merr Luginën e Preshevës” madje pa dhënë gjë, e gjitha ka nxjerrë në pah skenarin e ndarjes së Kosovës në përputhje me interesat serbe, që Beogradi vazhdimisht e ka kërkuar, me çka, me një perfiditet të madh  politik, kthen në lojë skenarin e kamotshëm për Serbinë e Madhe, viktimë e së cilës parashihet të jetë zhbërja e shtetit të Kosovës si dhe e Bosnjës dhe Hercegovinës. Pra, opsioni i korrigjimit të kufijve në emër të “arritjes së pajtimit historik” , veprim ky antikushtetues nga ana e Presidentit, të cilit do të duhej t’i jepej përgjigjja e menjëhershme nga institucionet shtetërore,  jo vetëm që nuk do të sjell paqe dhe pajtim, siç trumbetohet, por realisht hap rrugën një konflikti të ri të programuar të përmasave të paparashikueshme, që për çmim pashmangshëm do ta ketë viktimizimin apo sakrifikimin e shtetit të Kosovës, paçka se kjo dikujt do t’i duket “edhe e arsyeshme”  ngaqë “krijon rrethana për bashkim kombëtar”!

“Bota Sot”: Si duhet të përfundojë konflikti Kosovë-Serbi, a mund të arrihet “marrëveshja historike”?

J.Buxhovi: Nuk ka konflikti Kosovë-Serbi, siç po quhet dhe thuhet.  Ka vetëm përpjekje perfide të Beogradit dhe padronëve të tij për zhbërjen e shtetit të Kosovës. Kjo duhet të kuptohet një herë e mirë. Ndërsa konflikti i shpifur ka përfunduar çastin që NATO-ja i ka dhënë fund fushatës së armatosur kundër forcave ushtarake dhe policore jugosllave më 12 qershor 1999 dhe ato janë larguar nga Kosova. Me futjen e NATO-s në Kosovë dhe marrjen e përgjegjësisë për sigurinë e brendshme dhe të jashtme, Serbia detyrimisht është pajtuar me këtë gjendje, por është pozicionuar që në forma të ndryshme në rrethanat e protektoratit ndërkombëtar (me strukturat paralele dhe ato paramilitare në Veri) ta frenojë ose sabotojë procesin e shtetndërtimit të Kosovës me të gjitha mënyrat dhe mjetet dhe në përputhje me hapësirën që i është lejuar. Shpallja e shtetit të pavarur të Kosovës, më 17 shkurt 2008 e ka mbyllur këtë kapitull. Kështu që ne mund të flasim për mospajtime politike midis dy shteteve, për mosnjohje e të tjera, që janë edhe të natyrshme pas fazave të tilla çfarë ishin raportet midis dy popujve gjatë shekullit të fundit, por assesi për “konflikte të hapura”, ose “të ngrira” të cilave u duhen “marrëveshjet historike” dhe broçkulla të ngjashme. Pra, midis Kosovës dhe Serbisë kemi probleme të natyrës politike, që nënkuptojnë përgjigje politike, që për parakusht kanë njohjen e ndërsjellë shtetërore, me çka Serbia duhet ta heqë nga Kushtetua e vet Kosovën, ndërsa Kosova të përmbush detyrimet për zgjidhjen e statusit të pakicës serbe në Kosovë dhe integrimit të saj në përputhje me pakon e Ahtisarit. Këtu dhe te këto çështje duhet parë referencat e asaj që quhet “marrëveshje historike” dhe assesi te ndryshimi i kufijve, korrigjimi dhe sloganet tjera që janë futur në qarkullim. Këtu dhe te këto çështje duhet kërkuar përcaktimin e qartë të Kosovës, që bisedimet me Serbinë të nisin dhe të sosin mbi këtë pozicionim, pra njohjen e shtetit të Kosovës si realitet i pakthyeshëm historik dhe assesi ndryshe. Ky pozicionim duhet të theksohet dhe të mbrohet madje edhe me fanatizëm dhe para ndërkombëtarëve, miqve, aleatëve dhe të tjerëve edhe kur kërkohen edhe “kompromise historike në emër të pajtimeve”. 

“Bota Sot”: A duhet opozita (LDK dhe VV) t’i bashkohen ekipit negociator në Bruksel?

J. Buxhovi: Parimisht edhe LDK-ja dhe VV-ja, si parti më të mëdha që përbëjnë bllokun e opozitës, do të duhej të ishin aktive te kjo çështje, edhe pse me Kushtetutë kjo problematikë i takon Qeverisë e ku e ka vendin edhe Presidenti, por jo ashtu siç po vepron ai duke i kthyer të tjerët në marionetë. Çështjet, megjithatë janë ashpërsuar nga shkaku i punës së gabuar të ekipit negociator, krijimit të tij pa legjitimitet parlamentar si dhe mungesës së një koncepti gjithëpërfshirës, që zgjidhja e statusit të pakicës serbe në Kosovë dhe të integrimit të tyre institucional dhe shoqëror të kërkohet në dialog me serbët e Kosovës dhe jo nëpërmes Beogradit, siç është vepruar, që për pasojë ka pasur ndikimin e drejtpërdrejt politik të Serbisë në Kosovë për qëllime të caktuara politike, me çka është zhvendosur konteksti nga ai i zgjidhjes së statusit të pakicës serbe te pretendimet e Serbisë për pengimin e shtetndërtimit të Kosovës, ose të kthimit te pika zero, siç po veprohet me formulën “e pajtimit historik”, me çka i hapet rruga zhbërjes së shtetit të Kosovës.  Këtu dhe te këto çështje duhet parë refuzimin e LDK-së dhe VV-së kundër grupit negociator si dhe “arrnimit” të tij, nga druajta e arsyeshme se ekipi i formuar nga Kuvendi nuk ka legjitimitet të duhur nga shkaku se nuk përfaqësojnë shumicën parlamentare (gjë që edhe është e vërtetë) e mbi të gjitha, se ky ekip mund t’i shërbejë si dekor pazareve të Thaçit me Serbinë. Edhe përkundër dyshimit të drejtë të opozitës se Thaçi ka instrumentalizuar gjithë procesin dhe vazhdon që të veprojë kryenëvete pa ngurruar që ta nëpërkëmb edhe Kushtetutën dhe parimet bazë të shtetit, LDK-ja dhe VV-ja nuk duhet të ikin nga përgjegjësia dhe të presin deri sa puna të vijë në parlament për ta frenuar çfarëdo marrëveshje me votë. Këto parti duhet të dalin me platformë dhe koncept aktiv për të parandaluar çfarëdo aventure që rrezikon shtetin e Kosovës. Ky veprim aktiv duhet të pasqyrohet në parlament, po edhe në organizimin e protestave popullore dhe formave të tjera të kundërshtimit publik, që  për moto duhet të ketë patriotizmin shtetëror.

“Bota Sot”: Çfarë mund të na thoni për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni?

J. Buxhovi: Nga pikëpamja kushtetuese, pozita e shqiptarëve në Maqedoni është më e keqe së me Kushtetutën e vitit 1974, kur si kombësi ishin pjesë e sovranitetit shtetëror. Me shpalljen e shtetit të pavarur maqedonas mbi parimet shtet-komb, në vitin 1991, shqiptarët u degraduan në pakicë kombëtare. Me marrëveshjet e Ohrit të vitit 2001, që u arrit pas një konflikti të armatosur, formalisht Maqedonia nga shteti-komb kthehet në shtet demokratik multietnik. Por, ky ishte një mashtrim, ngaqë simbolet, gjuha dhe etnia zyrtarizonin karakterin e shtetit nacional maqedonas, ndërsa shqiptarët i trajton si grup i shkëputur etnik, ku gjuha dhe të drejtat e tyre rregullohen në përputhje me përqindjen etnike, dhe jo si etni historike me të drejtën e shetformimit.  Një pjesë të mirë të fajit për këtë gjendje e ka edhe klasa politike shqiptare në Maqedoni, e cila në vend se të luftojë për pozitën e barabartë të etnisë shtetformuese, siç parashihte edhe referendumi i vitit 1992, është akomoduar në strukturat qeverisëse dhe institucione, të shumtën në rolin e ndihmaçarit të pushtetit maqedonas. Madje, edhe lufta e UÇK-së, në vitin 2001, që filloi me kërkesën për një Maqedoni dy-etnike (shqiptare dhe maqedonase), pas pak u kthye në kërkesë për Maqedoni shumetnike, gjë që vuri në dyshim edhe qëllimet e një kryengritje të tillë të armatosur që përfundon me asgjë! Sidoqoftë, Maqedonia në NATO dhe jashtë tutelës së Beogradit dhe Moskës, është në interes edhe të shqiptarëve, me kusht që të sigurohet pozita e  etnisë shtetformuese dhe assesi ndryshe.

“Bota Sot”: Hapësirë të madhe në librin tuaj “Kosova” i keni dhënë problemit të Luginës së Preshevës. Pse Lugina është ende një problem i pazgjidhur shqiptar?

J. Buxhovi: Lugina e Preshevës dhe ajo e Maqedonisë është përfshirë në librin VI të “Kosovës”  në kuadër të ngjarjeve 1999-2002, si pjesë e zhvillimeve që lidhen me gjendjen në trekëndëshin etnik shqiptar Kosovë-Maqedoni-Serbi, që ndonëse i ndarë në tri shtete (Serbi, Maqedoni dhe Kosovë), në shekullin e fundit kishte një të përbashkët historike, që edhe në rrethanat e pushtimeve jugosllave, arriti shkallën e një identiteti të caktuara shoqëror dhe politike, siç kishte të përbashkët edhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që ndonëse protektorati ndërkombëtar në Kosovë që erdhi pas ndërhyrjes së NATO-s e çmilitarizoi, la të ndezura idealet shqiptare për zgjidhjen e çështjeve të hapura (kërkesës për autonomi politike të vitit 1992 në Luginë të Preshevës dhe asaj në Maqedoni) me anën e mjeteve të luftës, siç kishte ndodhur edhe me rastin e Kosovës, kur me rezolutën 1244 ajo ishte çliruar nga pushtimi serb. Këto luftëra, megjithatë, nuk morën përgjigjen politike. Përkundrazi, ajo e Luginës së Preshevës, jo vetëm që u shua, por pas një marrëveshje shterpe (në Konçull) riktheu ushtrinë jugosllave brenda zonës së ndaluar prej pesë kilometrash bashkë me një bazë ushtarake jugosllave në Preshevë. Sidoqoftë, kjo luftë dhe ajo në Maqedoni ishin pjesë e luftërave që u zhvilluan në këto pjesë nga viti 1912 dhe 1944/45 për t’u mbrojtur tërësia kombëtare dhe për t’i rezistuar okupimit sllavo-komunist.  Si të tilla, ato mbesin të papërfunduara.

“Bota Sot”: Pse thoni se shqiptarët kanë nevojë për neo-shqiptarizëm?

J. Buxhovi: Në rrethanat e dy shteteve shqiptare në Ballkan (Shqipërisë dhe Kosovës) dhe të perspektivës që edhe etnia shqiptare në Maqedoni të fitojë statusin shtetformues, shfaqet nevoja që ky pozicionim i favorshëm i faktorit shqiptar të bashkohet dhe integrohet nga aspekti shoqëror dhe politik, drejt një tërësie, në mënyrë që ajo të faktorizohet në përmasat me shtrirjen e gjithëmbarshme etnike. Kjo mund të bëhet me anën e unionit të shteteve shqiptare , në rrugë demokratike dhe me mjete demokratike dhe në bashkëpunim me Perëndimin, sidomos me SHBA-të dhe NATO-n dhe assesi ndryshe. Pra, përcaktimi që bashkimi dhe integrimi shqiptar të  kërkohet në kuadër të unionit shtetëror dhe jo me formulën tradicionale të bashkimit kombëtar në një shtet të përbashkët, që i takon ideologjisë së shekullit të kaluar, kërkon edhe redifinimin e kësaj formule nga ideologjia te pragmatizmi politik, esenca e së cilës është ruajtja e dy shteteve shqiptare dhe assesi sakrifikimi i shtetit të Kosovës për të, që më së shumti do ta dëshironte Beogradi.  

“Bota Sot”: Si i komentoni zhvillimet kulturore dhe bashkëpunimet gjatë këtij viti në të dy anët e kufirit Kosovë-Shqipëri?

J. Buxhovi: Heqja e perdes së hekurt ideologjike midis shqiptarëve para njëzet vitesh, nuk është përcjellë as me njohje të ndërsjellë të vlerave kulturore e as me ndonjë “bashkim”, që do të çonte kah unifikimi në përputhje me identitetet e ndërsjella që kanë prodhuar rrethanat e ndarjes po edhe realitetet e ndryshme shoqërore dhe politike. Përkundrazi, rënia e murit ideologjik midis shqiptarëve ka bashkuar elitat kriminale dhe ato politike, por assesi ato shpirtërore dhe kulturore.  Kështu që, mund të thuhet lirisht se sot, midis Kosovës dhe Shqipërisë, kemi ndasi kulturore dhe shpirtërore që po thellohen në saje të logjikës së “amzës” i takon roli i vendosjes së  balanseve të  shkëputura kulturore dhe shpirtërore me “pakicën”  mbi kriteret “e paternalitetit të natyrshëm integraliste”, gjë që ka sjellë një qëndrim arrogant dhe injorant të disa qarqeve të caktuara kulturore dhe intelektuale të Shqipërisë ndaj krijimtarisë së Kosovës si dhe krijuesve të saj, që me të drejtë nuk janë pajtuar me këtë gjendje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat