Rreziku që i kanos PAN-i Kosovës është më i dëmshëm se çdo rrezik tjetër

Intervista

Rreziku që i kanos PAN-i Kosovës është më i dëmshëm se çdo rrezik tjetër

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 17 prill 2019 Në ora: 07:49
Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa

Zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka thënë se procesi zgjedhor në LDK është duke u menaxhuar me përpikëri si vazhdim i traditës demokratike të ushqyer brenda strukturave të LDK-së që nga themelimi më 1989.

Mustafa në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se i tërë ky proces, do të kulmojë me Kuvendin e LDK-së ku, sipas rregullave të njëjta, do të zyrtarizohen kandidaturat për kryetar të partisë dhe do të zgjidhet edhe kryetari i kësaj partie.

Ndërsa, duke folur për ekipin negociator, ai ka thënë se koalicioni aktual qartazi ka vënë interesin familjar mbi interesin shtetëror të Kosovës, dhe sipas tij, rreziku që i kanos ky koalicion Kosovës është më i dëmshëm se çdo rrezik tjetër, i brendshëm apo i jashtëm.

“Bota sot”: Z. Mustafa, zgjedhjet e brendshme në LDK tashmë janë shpallur. Si e vlerësoni këtë proces?

Besian Mustafa: Zgjedhjet në LDK janë shpallur zyrtarisht nga 15 marsi për zgjedhjen e kryetarëve dhe kryesive të 931 nëndegëve dhe 38 degëve dhe, në fund të procesit, Kryetarin dhe Kryesinë e LDK-së. I tërë procesi, nën kryesimin e kryetarit Mustafa në nivel qendror dhe të kryetarëve të degëve dhe nëndegëve në nivel lokal, është duke u menaxhuar me përpikëri dhe çiltërsi, si vazhdim i traditës demokratike të ushqyer brenda strukturave të LDK-së që nga themelimi më 1989.

Ky është një proces që kërkon kohë të mjaftueshme për të garantuar votim të rregullt, të hapur dhe demokratik. Deri tani ka përfunduar procesi në nëndegët dhe degën e Deçanit dhe në disa nëndegë të degëve tjera. Konform Statutit të LDK-së, kandidaturat për kryetarë të degëve dhe nëndegëve shpallen zyrtarisht në Kuvendet e nëndegëve dhe degëve dhe miratohen me votim të hapur me 50 % + 1 të delegatëve të pranishëm.

Konform parimeve demokratike të Statutit, kryetar zgjidhet kandidati që fiton 50% + 1 të votave apo, në të kundërtën, kandidati që fiton më së shumti vota. Tërë ky proces, do të kulmojë me Kuvendin e LDK-së ku, sipas rregullave të njëjta, do të zyrtarizohen kandidaturat për kryetar të partisë dhe do të zgjidhet kryetari i LDK-së.

“Bota sot”: Pasi jemi tek zgjedhjet e brendshme, si e parashihni të shkojë procesi zgjedhor në LDK?

Besian Mustafa: LDK, këto tri dekada që nga themelimi, ka konfirmuar se është parti e hapur, ka potenciale të kuadrove dhe zhvillon procese zgjedhore plotësisht demokratike. LDK është partia e parë anti-komuniste demokratike në ish-Jugosllavi dhe ndër të parat në tërë ish Bllokun Lindor, e themeluar vetëm pak javë pas shembjes së Murit të Berlinit, duke i dhënë një ndër goditjet e para komunizmit në Evropë për të vënë gurthemelin e demokracisë në Kosovë. LDK, qysh më 1989-90, pati instaluar elementet e para demokratike pluraliste në Kosovë, të cilat më vonë u përdorën si udhërrëfyes për demokracinë pluraliste për shqiptarët në Shqipëri dhe jashtë kufijve të saj. Prandaj, ky historik i LDK-së është indikator determinues për demokracinë e brendshme në parti që garanton mbarëvajtje gjithëpërfshirëse, të hapur dhe demokratike të procesit zgjedhor brenda LDK-së.

“Bota sot”: Partia e juaj dhe Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi po bëjnë thirrje për zgjedhje të parakohshme. Mendoni se zgjedhjet janë alternativa e vetme për të dalë nga kjo situatë?

Besian Mustafa: Medoemos, vendi duhet të shkoj në zgjedhje sa më parë. Politika që po udhëheqë koalicioni PAN është një politikë shterpë nga parimet, idetë, kreativiteti, përkushtimi dhe sensi historik i vendimeve dhe veprimeve të tyre. E tyre është një politikë e fuqisë së numrave që nuk i ka opozita shqiptare në Kuvendin e Kosovës. Në demokraci kërkohet shumica e votave për të qeverisur vendin, e jo për të qenë në opozitë; pushteti duhet të ketë të paktën 61 vota në Kuvend, jo opozita. Koalicioni PAN, në mungesë të 61 votave, nuk ka legjitimitet demokratik, të dalë nga votat e qytetarëve, për të qeverisur vendin. Për të arnuar gjendjen, kanë krijuar një monstruozitet politik PAN+PSD, pushtet e opozitë pushtetarë bashkë, duke delegjitimuar tërësisht veten para popullit dhe institucionet shtetërore të Kosovës para komunitetit ndërkombëtarë. Po të ishte koalicioni PAN i përgjegjshëm, do të i shpallte zgjedhjet vet, për të kërkuar legjitimitetin demokratik për të udhëhequr me vendin, siç bëhet rëndom në shtetet demokratike perëndimore.

“Bota sot”: Në anën tjetër, Qeveria po insiston se do ta çojë mandatin e saj deri në fund. Mendoni se do ta realizojë këtë qëllim?

Besian Mustafa: Skandalet e koalicionit PAN janë të përditshme, gjithnjë e më të shumta dhe nuk duket që do të kenë të ndalur. Krimi dhe korrupsioni kanë arritur nivele të papara deri tani në Kosovë. Qëllimi i PAN-it, natyrisht, është që të çojnë mandatin deri në fund. Por, për Kosovën dhe qytetarët e saj kjo do të ishte katastrofale dhe shkatërruese.

“Bota sot”: Z. Mustafa, keni deklaruar se prisni që edhe një pjesë e partive në pushtet të votojnë për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Ka ndonjë shenjë se mund t’ju bashkëngjiten këto parti?

Besian Mustafa: Brenda secilës parti, fatmirësisht, ka njerëz që, qysh në fillim të aktivitetit të tyre politik, e kanë vënë interesin shtetëror të Kosovës mbi çdo interes tjetër. Të njëjtit, partinë politike të cilës i përkasin nuk e shohin si qëllim në vete, por thjeshtë si një organizim politik, me ide e program politik, për të avancuar interesat e shtetit të Kosovës, jo të partisë apo anëtarëve të saj. Politikanët e tillë, nga radhët e partive aktualisht në pushtet, kanë filluar të shfaqin, gjithnjë e më zëshëm, pakënaqësitë e tyre me veprimet e papërgjegjshme dhe të dëmshme të PAN-it. Në mos u bashkofshin partitë në pushtet, të paktën jemi të sigurt që politikanët e mësipërm do na bashkohen në largimin e kësaj Qeverie skandaloze. Asnjë politikani apo partie politike nuk i duhet pushteti në dëm të shtetit.

“Bota sot”: Lëvizja Vetëvendosje ka bërë thirrje për protesta gjithë popullore. A do t’i bashkohet Lidhja Demokratike e Kosovës këtyre thirrjeve?

Besian Mustafa: Në kuadër të procesit zgjedhor brenda LDK-së po zhvillohet debat i thellë mbi dështimet e koalicionit qeverisës, për shkallën e lartë të krimit dhe korrupsionit dhe skandalet e përditshme të Qeverisë, të cilave nuk po u shihet fundi askund. Ky debat brenda LDK-së, përbën një mobilizim të natyrshëm dhe përmbajtjesor të strukturave, votuesve dhe përkrahësve të LDK-së për rrëzimin e këtij koalicioni qeverisës, që është një qëllim i përbashkët me LVV-në, që do të kulmojë me zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme për udhëheqjen e institucioneve shtetërore me legjitimitetin e plotë të votës së lirë të qytetarëve.

“Bota sot”: Punësimet partiake nëpër institucione, ka qenë top tema e ditëve të fundit, duke e bërë kështu që të tërhiqet vëmendja e opinionit edhe nga taksa dhe dialogu. Cili është qëndrimi i LDK-së sa i përket këtyre zhvillimeve?

Besian Mustafa: Në dekadën ’89-99, LDK kishte pozitë dominuese në skenën politike shqiptare në Kosovë. Si themeluese e të gjitha institucionet paralele atëbotë, LDK u sigurua që në këto institucione të përfshiheshin ekspertët dhe profesionistët më të mirë që dinin dhe mundnin të kryenin punën më së miri. Angazhimi dhe avancimi i ekspertëve është shtyllë përbërëse e kulturës politike të LDK-së që nga themelimi. Edhe sot, LDK vazhdon inkuadrimin e ekspertëve më të mirë të vendit në strukturat partiake përmes Këshilleve të Ekspertëve. Të drejtat për bindje politike dhe kontribut politik janë të mbrojtura me Kushtetutë dhe ligj në Kosovë, prandaj nuk është problematike kur ekspertët dhe profesionistët e përfshirë në institucione rastisin të kenë edhe bindje politike dhe të japin kontribut politik në formë të organizuar; është problem kur kartela e anëtarësisë në parti politike është e vetmja “aftësi” e të punësuarve në institucione. Si kjo të mos ishte mjaftueshëm e dëmshme për institucionet, PAN e ngriti abuzimin në nivel të paparë më parë: për punësim në institucione nuk ka kriter profesionalizmin por certifikatën e lindjes, duke mënjanuar profesionalistët dhe duke punësuar në institucione tezakët, nipat, mbesat, vjehërrinë, burrat, gratë, tezet, hallat, etj., e të fortëve të partive të PAN.

“Bota sot”: Kryeministri i vendit ishte për një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konsideroni se janë rregulluar raportet mes tyre me këtë vizitë, apo dëmet ekzistojnë dhe ato nuk riparohen më një vizitë?

Besian Mustafa: Kabineti i Kryeministrit edhe vet deklaroi se në ShBA shkoi në vizitë private. Nuk u prit nga asnjë zyrtar i shtetit Amerikan. Në fund, drekoi me Ambasadoren Çitaku, të cilën ditë më parë e quajti ambasadore të Thaçit, e kur u kthye në Kosovë deklaroi se i kishte shkuar në drekë e paftuar.

“Bota sot”: Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, nuk ndalet së ripërsërituri qëndrimin për taksën vendosur ndaj mallrave serbe. Vlerësoni se duhet të pezullohet taksa?

Besian Mustafa: Tri institucionet më të larta në Kosovë, Kryeparlamentari, Presidenti dhe Kryeministri kanë pranuar katër letra dhe disa vizita nga institucionet e ShBA-së ku u kërkohet në mënyrë decidive dhe urgjente pezullimi i tarifës. Aq i pakoordinuar është koalicioni PAN saqë, përkundër kërkesave të ShBA-së dhe katër shteteve tjera të Kuintit, nuk mund të pajtohen të marrin një vendim për të ndalur izolimin ndërkombëtar të vendit. I tërë procesi i vendosjes së tarifës është një dështim eklatant në qeverisje dhe koordinim. Në fillim, pa u konsultuar as me dy partitë më të mëdha në vend, që ndodhen në opozitë, e as me partnerët ndërkombëtar, partnerët e PAN vendosën tarifën dhe menjëherë filluan luftën mediatike se kush kishte meritat për tarifën. Kur u dështoi strategjia rrahagjokse, duke ju shitur vendimmarrës sovran atyre pa të cilët nuk do të kishim shtet të pavarur, bënë kthesën 180 shkallëshe duke akuzuar njëri tjetrin për mospezullimin e tarifës. Tash, u takon të marrin përgjegjësinë për të gjitha vendimet rreth tarifës dhe, mbi të gjitha, për pasojat e acarimit me partnerët ndërkombëtar.

“Bota sot”: Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, dy bashkëkryesuesit e të ashtuquajturit Ekipi negociator i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, kanë vendosur që me vetë t’i marrin edhe nipat dhe tezakët e tyre. A ka nevojë Kosova për një përfaqësim të tillë?

Besian Mustafa: Në Qeveri u munduan të arsyetojnë inkuadrimin e tezakëve, nipërve dhe familjarëve tjerë në zyrën administrative e të ashtuquajturit ekip negociator si përfaqësim politik i partive politike. Por, vet i ashtuquajturi ekip negociator përbëhet nga përfaqësues politik të disa partive kosovare dhe zyra administrative u krijua, kinse, për ta mbështetur këtë ekip me ekspert e profesionist të fushave të ndryshme. As këtu, ky koalicion qeverisës, nuk arriti të largohet nga tradita e vjetër e tyre e mënjanimit të profesionistëve të vërtetë për të rrogëzuar edhe ndonjë nip apo tezak që u kishte mbetur pa rrogë shteti. Koalicioni PAN qartazi ka vënë interesin familjar mbi interesin shtetëror të Kosovës. Rreziku që i kanos PAN-i Kosovës është më i dëmshëm se çdo rrezik tjetër, i brendshëm apo i jashtëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat