Qeveri e skandaleve, Thaçi nuk mund të flasë në emër të Kosovës - Bota Sot
Qeveri e skandaleve, Thaçi nuk mund të flasë në emër të Kosovës

Intervista

E martë, 23 tetor 2018

Qeveri e skandaleve, Thaçi nuk mund të flasë në emër të Kosovës

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 gusht 2018 Në ora: 10:19
Dardan Sejdiu

Shefi i Grupit Parlamentar të PSD-së, Dardan Sejdiu, ka thënë se duke mos qenë i autorizuar nga Kuvendi i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mund të flasë në emrin e Republikës së Kosovës për dialogun final me Serbinë.

Në këtë intervistë ekskluzive, dhënë për gazetën “Bota sot”, Sejdiu ka theksuar se Partia Socialdemokrate qëndron prapa asaj që e ka thënë nga fillimi se Kuvendi duhet ta mandatojë ekipin negociues dhe platformën për dialogun.

Ai ka bërë me dije se nuk kanë të qartë prej nga burojnë idetë e Thaçit për korigjim të kufijve, mirëpo Sejdiu ka thënë se ajo që e kanë më së të qartë është se ky njeri nuk është i mandatuar për ta udhëhequr këtë proces.

Në këtë intervistë, shefi i GP PSD-së poashtu ka thënë se Kosova duhet të njihet para së gjithash nga Serbia me kufijtë aktualë të saj, siç është njohur nga mbi 100 shtete të botës dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. 

Ndërsa, duke komentuar manipulimet me listat e veteranëve, Sejdiu ka thënë se dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj e riaktualizoi këtë çështje dhe nxorri sheshazi parregullsitë e shumta, madje edhe këtë shifër prej 19 mijë veteranëve që e morën këtë status kundërligjshëm.

“Bota sot”: Si e komentoni idenë për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë? Cili është qëndrimi i Partisë Socialdemokrate (PSD), lidhur me këtë çështje?

Dardan Sejdiu: Partia Socialdemokrate është e vetmja e cila po e trajton me seriozitetin e duhur çështjen e dialogut. PSD qysh nga fillimi i gushtit ka bërë thirrje që të mblidhet Kryesia e Kuvendit për ta ndërprerë pushimin dhe për t’u dakorduar që të thirret seancë e veçantë në lidhje me fazën finale të dialogut. Këtë kërkesë, e cila z. Veseli i ka shkuar edhe si shkresë zyrtare, nuk e ka marrë parasysh ky i fundit. Ne kemi vazhduar t’i shfrytëzojmë mekanizmat e tjerë që Kuvendi të mblidhet për të diskutuar për dialogun, me ç’rast iu kemi kërkuar dy partive opozitare, LDK dhe VV, nënshkrimet që bëjnë të mundur mbajtjen e kësaj seance. Nënshkrimet nuk janë dhënë, me ç’rast Kuvendi vazhdon të mbetet në pushim derisa presidenti Thaçi vazhdimisht është i pranishëm nëpër media duke dhënë deklarata kontradiktore.

Kam përshtypjen se në lidhje me deklarimet për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, as vetë Thaçi nuk është i qartë se për çka e ka fjalën. Sepse po flasim për njeriun që një ditë del e thotë se duhet të korrigjohen kufijtë, ndërsa të nesërmen kur dikush nga ndërkombëtarët del kundër kësaj ideje, ai shpreh pajtueshmëri edhe me të, d.m.th del kundër vetes.

PSD i qëndron prapa asaj që e ka thënë nga fillimi: Kuvendi duhet ta mandatojë ekipin negociues dhe platformën për dialogun. Vetëm atëherë bëhet i mundur diskutimi i opsioneve, verdiktin final të së cilave duhet ta japë Kuvendi. Sepse jemi republikë parlamentare dhe duhet të sillemi si e tillë.

Republika e Kosovës duhet të njihet para së gjithash nga Serbia me kufijtë aktualë të saj, siç është njohur nga mbi 100 shtete të botës dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Njëherëshduhet të sovranizohemi dhe të na njihet integriteti i tanishëm territorial edhe nga shtetet që nuk na kanë njohur ende. Nga ana tjetër, kriteret etnike kanë sjellur dje shumë fatkeqësi në njerëz dhe sot po prodhojnë shtete disfunksionale. Ne besojmë se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen të çlirohen nga modelet e shteteve (multi)etnike dhe të ndërtohen në të ardhmen si Republika qytetare, përfshirë edhe Serbia.

“Bota sot”: Si i shihni reagimet e vendeve të fuqishme lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor? 

Dardan Sejdiu: Para se të flasim për reagimet nga jashtë, duhet theksuar se propozimet e dhëna nga Thaçi në konferencat e shumta të mbajtura këtyre ditëve, nuk është që kanë gjetur mbështetje as nga dikush prej faktorit të brendshëm. Ne nuk e kemi të qartë prej nga burojnë idetë e Thaçit për korigjim të kufijve, por ajo që e kemi më së të qartë është se ky njeri nuk është i mandatuar për ta udhëhequr këtë proces. Ne përsërisim atë që e kemi thënë vazhdimisht se duke mos qenë i autorizuar nga Kuvendi, Hashim Thaçi nuk mund të flasë në emrin e Republikës së Kosovës për dialogun. Po ashtu në shprehim shqetësim që Thaçi nuk heziton të instrumentalizojë qytetarët e Luginës. I njëjti njeri që nuk e parashtroi çështjen e Luginës në asnjë palë negociata. Derisa, gjendja e tyre vazhdon të mbetet e rëndë dhe të drejtat që gëzojnë janë larg atyre që iu takojnë, ai jep deklarata populiste duke mos ndërmarrë asnjë veprim që do të mundësonte përmirësimin e pozitës së tyre. Nga ana tjetër, qartazi shihet se shtetet më me ndikim nga bashkësia ndërkombëtare nuk po e mbështesin idenë e Thaçit. 

“Bota sot”: Kush, sipas jush, duhet të udhëheqë dialogun final me Serbinë?

Dardan Sejdiu: Para se të flasim për personin që duhet ta udhëheq dialogun me Serbinë duhet të flitet për platformën. Dua të them se duhet strategji për një proces aq të rëndësishëm, duhet të ekzistojë platforma me ato çfarë do të mund të shtroheshin si tema në tavolinë dhe sigurisht edhe vijat e kuqe. E, pastaj, të diskutohet edhe personi apo ekipi që do ta drejtonte këtë proces. Thaçi nuk ka legjitimitet për ta drejtuar dialogun pa mbështetjen e shumicës së kualifikuar të kuvendit.

Si PSD, ne kemi rekomanduar që këto vendime të merren me 2/3 e Kuvendit sepse kjo krijon legjitimitetin e duhur dhe pamundëson që qeveria të shpërfillë opozitën. Por, kjo për fat të keq po pamundësohet edhe nga vetë opozita, sepse LDK dhe VV, deri tani nuk kanë mbështetur kërkesën tonë për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për fazën finale të dialogut. Derisa të mos ndodhë kjo, sigurisht që do të mbesin aktuale deklaratat kontradiktore të presidentit Thaçi. Duket se LDK dhe VV nuk po duan ta ndalin Thaçin si kryenegociator, por vetëm ta kritikojnë për përfitime votash në të ardhmen.

“Bota sot”: Subjekti tjetër opozitar, Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar protesta popullore për ta ndalur presidentin Hashim Thaçi në dialogun me Serbinë. A do t’i bashkohet partia juaj këtyre protestave?

Dardan Sejdiu: Partia Socialdemokrate angazhohet dhe promovon të drejtën e protestës si formë të veprimit politik. Para se të ketë vendim për përkrahje apo jo të një proteste, duhet të ketë diçka zyrtare në këtë drejtim dhe të njoftohemi për qëllimet dhe kërkesat. Por duhet sjellë në vëmendje një absurditet me të cilin po ballafaqohemi. Këtu e kam fjalën për një situatë kur si opozitë i kemi 58 deputetë në Kuvend, konstalacion ky që e ka përballë një qeveri të pakicës. Me këta numra është fort e mundshme që Thaçit t’i pamundësohet të jetë kryenegociator. Për PSD-në është shumë më me rëndësi që Thaçit t’i pamundësohet ta drejtojë dialogun sesa të krijohet përshtypje se ka kundërshtim ndaj tij. Unë nuk e kam të qartë pse LDK dhe VV nuk po duant’i shfrytëzojnë këta mekanizma aktualisht. Nuk është aspak e dobishme të mbesim duke kritikuar ndërkohë që dialogohet dhe bëhet faktike ndonjë marrëveshje e dëmshme. PSD angazhohet për ta ndalur Thaçin para se me shkuar në dialog. Përvoja e deritanishme ka dëshmuar se nuk mjafton vetëm kritika përderisa dialogohet dhe pasi të firmoset marrëveshja me Serbinë. 

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Dardan Sejdiu: Gjendja nuk është aspak e mirë. Qeveria e Kosovës po tregon një performancë jashtëzakonisht të dobët. Brishtësia e kësaj qeverie për shkak të varshmërisë nga Lista Sprska po prodhon pasoja të vazhdueshme, kurse manovrimet e kësaj të fundit janë pengesë për ecurinë e shumë proceseve. Përbërja e kësaj qeverie që për bosht ka PDK-në që nga fillimi ka qenë garancë e mirëmbajtjes së gjendjes së rëndë në rrafshin politik dhe socio-ekonomik që mbretëron gjatë gjitha viteve të pasluftës.

Për një vit të kësaj qeverisjeje skandalet e saj kanë qenë dukshëm më të mëdha sesa punët e mira. Prej fillimit pazaret për ndarjen e pushtetit kanë bërë që buxheti i shtetit të dëmtohet tejet shumë me numrin aq të madh të ministrive e veçanërisht të zëvendësministrave.Nuk kemi parë asnjë projekt zhvillimor që ndihmon ekonominë dhe përmirëson mirëqenien qytetare, derisa 53 milionë i jepen Bechtel Enkas e në anën tjetër kemi një marrëveshje shumë të dëmshme me “Contour Global” për Termocentralin “Kosova e Re”. Politika e jashtme është në nivel katastrofal, ku në vend që të flitet se cila njohje e re po vjen për shtetin e Kosovës, diskutohet se a e tërhequr apo jo ndonjë shtet njohjen e pavarësisë. Ndërsa, në anën tjetër në arsim e shëndetësi nuk ka kurrfarë progresi.

“Bota sot”: LDK në vazhdimësi përmend mocion të mosbesimit për "Qeverinë Haradinaj”, si i vlerësoni këto thirrje dhe a do ta përkrahni një nismë të tillë?

Dardan Sejdiu: Aktiviteti opozitar i LDK-së gjatë këtij viti të parë të qeverisjes aktuale është karakterizuar pothuajse vetëm me flamurin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Deklarativisht. Dhe vetëm kaq. Pasivitetin e saj është munduar ta kamuflojë duke e akuzuar PSD-në që po e mbanë në jetë qeverinë duke mos e përkrahur këtë mocion. Kjo është e pavërtetë. PSD me 26 korrik ia ka dhënë LDK-së 12 nënshkrimet për këtë mocion dhe sot e asaj dite nuk kemi parë asnjë nënshkrim nga ana e tyre. Iu kemi thënë se pa i pasur 61 vota, s’mund të ketë mocion. Tash edhe vetë po e thonë. Duket se LDK dhe VV nuk po duan ta rrëzojnë sot qeverinë, por të duken sa më të zëshëm kundër saj për përfitime votash në të ardhmen. 

“Bota sot”: Së fundi raportohet se janë 19 mijë persona që jashtëligjshëm kanë fituar statusin e veteranit dhe marrin benefite nga shteti. A po i kushtojnë shtetit dhe kush fshihet prapa këtij skandali?

Dardan Sejdiu: Manipulimet me listat e veteranëve kanë qenë një sekret publik.Të gjithë kanë qenë në dijeni se ato lista janë të fryera dhe si të tilla natyrisht që i kushtojnë jashtëzakonisht shumë buxhetit të shtetit. Tashmë dorëheqja e prokurorit Elez Blakaj e riaktualizoi këtë çështje dhe nxorri sheshazi parregullësitë e shumta, madje edhe këtë shifër prej 19 mijë veteranëve që emorën këtë status kundërligjshëm. Është mjaft zhgënjyes fakti që në hetim e sipër të këtij rasti, një prokuror detyrohet të dorëhiqet. Kjo flet më së miri sa i kapur është sistemi ynë i drejtësisë. Kurse, fryerja e këtyre listave përveç dëmit të buxhetit, është një goditje e madhe ndaj vlerave të luftës.

“Bota sot”: A do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme këtë vit?

Dardan Sejdiu: Kosovës i duhet një qeveri e re me orientim socialdemokrat! Çdo ditë nën këtë qeveri është regres për vendin. Kosova po mbetet me sovranitet të cunguar, pa zhvillim ekonomik, e zhytur në varfëri e korrupsion dhe komplet joserioze në rrafshin e politikës së jashtme. Qeveria Haradinaj nuk po dëshmon kapacitet për ta ndryshuar gjendjen.

“Bota sot”: Qeveria “Haradinaj” shpreh optimizëm se liberalizimi i vizave do të ndodh gjatë vitit 2018. A mendoni se do të ndonjë një gjë e tillë?

Dardan Sejdiu: Liberalizimi i vizave është proces me të cilin është manipuluar tepër shumë. U tha se kjo çështje është punë e kryer kur të bëhet ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi. Nuk ndodhi liberalizimi edhe pse u votua demarkacioni. Megjithatë, tashmë ka një rekomandim pozitiv për këtë çështje, por që s’është garancë që liberalizimi do të bëhet këtë vit. Ka edhe një varg procedurash që nuk janë aspak të lehta. 

Por, kjo padrejtësi ndaj qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund sa më parë. Ata duhet të jenë të barabartë me qytetarët e vendeve të tjera të rajonit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test