FSK ka kuadro të mjaftueshme, për tu bërë ushtri e mirëfilltë i duhen edhe 7 vite - Bota Sot
FSK ka kuadro të mjaftueshme, për tu bërë ushtri e mirëfilltë i duhen edhe 7 vite

Intervista

E mërkurë, 14 nëntor 2018

FSK ka kuadro të mjaftueshme, për tu bërë ushtri e mirëfilltë i duhen edhe 7 vite

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 3 nëntor 2018 Në ora: 20:35
Kadri Kastrati

Ish Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneral Kadri Kastrati, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me procesin e shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. Ai ka sugjeruar që plani për bërjen e ushtrisë së mirëfilltë të shkurtohet dhe mos të jetë më i gjatë se 7 vite. Ai ka tregtuar se gjatë rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë 2012-2014 është bërë një studim i thellë nga ekspertët e Ministrisë së FSK-së, dhe ekspertëve të SHBA-ve se çfarë i duhen kësaj force ushtarake: -armatim -pajisje ushtarake –automjete –infrastrukturë -buxhet dhe -pajisje tjera të nevojshme.

“Bota sot” :Sa kohë nevojiten për tu formuar Ushtria e Kosovës meqë është thënë se nevojiten 10 vite? A mendoni se është kohë e gjatë për të pritur 10 vite, deri në formimin apo finalizimin e Ushtrisë së Kosovës?

Kadri Kastrati: Për të ngritur kapacitetet operacionale dhe për të qenë e gatshme që të kryej të gjitha detyrat që dalin nga misioni i ri që do ta ketë forca ushtarake duhet një kohë 10 vjeçare sipas planit i cili ka dalë pas rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë i cili është bërë nga viti 2012, e deri në vitin 2014. Mirëpo, unë kisha sugjeruar dhe rekomanduar që ky plan të shkurtohet dhe mos të jetë më i gjatë se 7 vite. Për ti ngritur kapacitetet ushtarake të mjaftueshme, për ti kryer të gjitha detyrat dhe obligimet që dalin nga misioni, Kosova nuk ka kapacitete të mjaftueshme buxhetore, infrastrukturore dhe njerëzore, për ti ngritur të gjitha këto kapacitete të nevojshme sot shpejt se 7 vite, për arsye se duhet të rekrutohen 2.500 ushtarë shtesë aktiv, 3.000 rezervë, armatimi, pajisjet, infrastruktura, automjetet dhe të gjitha mjetet e tjera që nevojiten për ushtrinë e Kosovës.

“ Bota sot” : A mendoni se ka kuadro të mjaftueshëm FSK-ja për ta çuar përpara Ushtrinë? Cili është komenti juaj?

Kadri Kastrati: Unë personalisht mendoj që FSK-ja ka kuadro të mjaftueshme për ta çuar përpara këtë proces, por unë jam shumë i bindur që FSK-ja dhe kuadrat e saja do të ndihmohen nga partnerët tanë strategjik, në krye me partnerin tonë kryesor SHBA-të si dhe NATO-ja nëpërmjet KFOR-it të cilët do të ndihmojnë në aspektin profesional duhet ngritur këtë forcë në standardet e NATO-s ashtu siç është ngritur edhe FSK-ja deri më tani. FSK-ja ka kuadrat të cilët janë shkolluar, trajnuar, stërvitur, në qendrat më prestigjioze të NATO-s në Evropë dhe SHBA-në.

“Bota sot”: Sa ju keni qenë komandant, në vitin 2013, zyrtarë të NATO-s patën thënë së FSK-ja ka plotësuar të gjitha kapacitetet. E tash kur FSK-ja shndërrohet në Ushtri, çfarë kapacitetesh duhet ti plotësoje?

Kadri Kastrati: Në vitin 2013 FSK-ja ka përmbushur kapacitetet operacionale në bazë të misionit që ka, mirëpo me këto 3 draft ligje FSK-së i jepet mandat ushtarak dhe i jepet kompetenca shtesë bazuar në misionin që do ta ketë me ligjin e ri. 

FSK-ja si forcë ushtarake do të ketë detyrat:

 a)Mbrojtja e Integritetit Territorial të Republikës së Kosovës

.b)Mbrojta e qytetarëve të Republikës së Kosovës,

 c)Mbështetja ushtarake e autoriteteve civile

 d)Pjesëmarrja në operacionet ndërkombëtare.

Për ti përmbushur të gjitha këto detyra FSK-ja, duhet ti ngritë edhe 2.500 pjesëtarë të rinj aktiv dhe 3.000 rezervë, po ashtu duhet edhe armatimi i nevojshëm për ti përmbushur këto detyra, pajisje dhe gjëra tjera të nevojshme, si dhe duhet trajnuar e stërvitur kapacitetet e reja njerezore me standarde të NATO-s.

“ Bota sot”: A do ta kemi mbështetjen e NATO-s dhe vendëve Euroatlantike për formimin e Ushtrisë?

Kadri Kastrati: Inicimi i 3 draft ligjeve nga Qeveria e Republikës së Kosovës të cilët kanë kaluar nëpërmjet komisionit për mbikëqyrjen e FSK-së deri në parlament dhe leximi i parë i tyre me konsensus të plotë politik sigurisht që nuk është bërë pa koordinim me partnerët tanë strategjik dhe NATO-n në përgjithësi, ashtu që kjo forcë ushtarake do ta ketë mbështetjen e plotë të NATO-s dhe miqve tanë ndërkombëtarë.

Unë pres që Parlamenti i Republikës së Kosovës gjatë këtij muaji ta ketë në rend të ditës dhe në fund të këtij muaji pres që të dekretohen këto 3 ligje nga Presidenti si komandant suprem.

“ Bota sot”: Për ti plotësuar të gjitha kapacitetet operacionale FSK-ja dhe për ti arritur të gjitha këto a do të duhen edhe pajisje shtesë përfshirë edhe armatimin e sofistikuar?

Kadri Kastrati: Gjatë rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë 2012-2014 është bërë një studim i thellë nga ekspertët e Ministrisë së FSK-së, dhe ekspertëve të SHBA-ve se çfarë i duhen kësaj force ushtarake:

-armatim

-pajisje ushtarake

-automjete

-infrastrukturë

-buxhet dhe

-pajisje tjera të nevojshme.

Të gjitha këto të lartcekura janë planifikuar si të nevojshme për ta përmbushur misionin dhe detyrimet që dalin nga ligji i ri.

“Bota sot”: Forca e Sigurisë së Kosovës ka dërguar në shkollim një numër të konsiderueshëm të oficerëve të saj. Sipas jush, a do të mjaftoj kjo dhe çka është parësore në këtë moment?

Kadri Kastrati: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nëpërmjet Gardës Kombëtare si partneri jonë  kryesor  dhe shtetet tjera të NATO-s si dhe rajonit kanë shkolluar e trajnuar dhe stërvitur në mënyrë permanente pjesëtarët e Forcës së Sigurisë dhe unë jam shumë i bindur që këto shtete dhe qendrat e NATO-s nëpër Evrope do ti ofrojnë Forcës Ushtarake shkollime, trajnime dhe stërvitje edhe në të ardhmen, sepse është interes edhe i NATO-s që Kosova nga një konsumues i sigurisë të kalojë në eksportues të sigurisë. Gjithashtu, duhet pasur parasysh që misioni i NATO-s në Kosovë është misioni më i gjatë në historinë e NATO-s të përmbyllet dalëngadalë dhe taksapaguesit e këtyre shteteve mos të harxhojnë paratë duhet mbajtur personelin, armatimin dhe pajisjet tjera në Kosovë, por Kosova duhet ti merr ngadalë kompetencat dhe të bëhet zot shtëpie në shtëpinë e vet.

“ Bota sot”: Qytetarët e Kosovës dëshirojnë që Ushtrinë ta kanë me ndryshime kushtetuese, por që nga viti 2014 e deri me sot, Lista Serbe apo dora e zgjatur e politikës së Beogradit, kanë dhënë vetëm mesazhe negative? Cili është mendimi juaj në lidhje me këtë?

Kadri Kastrati: Të gjithë ne do të dëshironim që Ushtrinë e Kosovës ta bëjmë edhe me ndryshime kushtetuese por, të gjithë e dimë që Beogradi nëpërmjet përfaqësuesve të serbeve të Kosovës (Lista Serbe) nuk dëshirojnë që ti votojnë ndryshimet kushtetuese.

Ne kemi qenë të detyruar që FSK-së nëpërmjet ligjeve ti japim mandat ushtarak. Lista Serbe jo që nuk dëshiron ti votojë këto ndryshime, por janë duke bërë presion të madh negativ pjesëtareve të komunitetit serb, nëpërmjet kërcënimeve me likuidim fizik, presion familjeve të tyre, burgosje dhe marrje në biseda informative për ta lëshuar FSK-në dhe një mënyrë apo tjetër për të penguar FSK-në që ta bëjë transformimin e saj në Forcë Ushtarake.

Miqtë tanë ndërkombëtar e kanë kuptuar që Kosova në përgjithësi dhe FSK-ja në veçanti përmbushin të gjitha të drejtat e komuniteteve jo shumicë.

“ Bota sot”: A do të duhej FSK-ja të ishte Ushtri e obligueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës apo ushtritë profesioniste?

Kadri Kastrati: Shumica e shteteve të NATO-s por edhe rajonit kanë hequr shërbimin obligativ për ti shërbyer në ushtri për arsye që është shumë e kushtueshme dhe e pa nevojshme ashtu që edhe Forca Ushtarake e Kosovës, nuk do ta ketë shërbimin obligativ. Forca Ushtarake do të jetë forcë multi-etnike, vullnetare dhe profesionale.

“Bota sot”: A shihni ju përplasje të përgjegjësive mes FSK-së së transformuar dhe KFOR-it në Kosovë?

Kadri Kastrati: NATO sigurisht që do ta rishikojë mandatin e vet në të ardhmen dhe nuk shoh ndonjë përplasje të përgjegjësive për arsye që me aprovimin e ligjeve kësaj force do ti duheshin 7 vite, deri në kompletimin e kapaciteteve operacionale për ti marrë detyrat nga KFOR-it.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test