Akuzohet për dy atentate, Gjekson Pusi, kthehet në qeli për shkeljen e arrestit të shtëpisë - Bota Sot
Akuzohet për dy atentate, Gjekson Pusi, kthehet në qeli për shkeljen e arrestit të shtëpisë

Kronikë e zezë

Akuzohet për dy atentate, Gjekson Pusi, kthehet në qeli për shkeljen e arrestit të shtëpisë

Më: 2 korrik 2020 Në ora: 17:27
Gjekson Pusi

Gjekson Pusi, 33-vjeçari  i dyshuar pjesëmarrjen në vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë dhe atentatin ndaj të riu në Shkodër, do të qëndrojë në burg. Por gjykata e Shkodrës e la në qeli vetëm për shkelje të arrestit të shtëpisë, ndërsa për sulmin Fatjon Harushës nuk ka akuzë.

Gjykata e Shkodrës riktheu në qeli, Gjekson Pusin, 33-vjeçarin e dyshuar si atentator i Fatjon Harushës në Vukatanë dhe bashkëpunëtor në vrasjen e Hekuran Billës në Tiranë gjatë kohës që duhet të ishte në arrest shtëpie.

Por masa e sigurisë ndaj të riut dhënë këtë të enjte i referohet vetëm shkeljes së arrestit të shtëpisë për veprën e armëmbajtjes pa leje për të cilën ishte arrestuar në vitin 2019.

Edhe pse policia e arrestoi si autor i dyshuar i sulmit ndaj kushëririt të deputetit të PS, Luan Harusha, ditën e hënë, ku i 30-vjeçari u qëllua me armë në makinën e tij, prokuroria nuk paraqiti në gjykatë kërkesë për ta fajësuar.

Vetë i pandehuri në dëshminë në Polici por edhe në Gjykatë ka mohuar akuzën e atentatit në tentativë ndaj Fatjon Harushës.

Edhe ky i fundit mësohet se e ka shfajësuar, duke deklaruar se nuk ishte Gjekson Pusi njeriu që sulmoi me breshëri arme në Vukatanë.

Në këto kushte, gjyqtarja Ermira Dedja vendosi ta kthejë atë në burg vetëm për akuzën e kërkuar nga prokurori Xhevahir Lita.

Në vijim, Gjekson Pusi pritet të dale edhe para gjykatës së Tiranës për tu njohur me masën e sigurisë si bashkëpunëtor në atentatin ndaj 40 vjecarit Hekuran Billa, ngjarje e ndodhur më 11 qershor në Komunën e Parisit.

33-vjeçari ka mohuar përfshirjen edhe në këtë ngjarjen, por burime pranë grupit hetimor thonë se ai është fiksuar nga kamera e sigurisë si drejtues i makinës që u përdor për ekzekutimin e Billës nga i dyshuari Viktor Marku.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat