(I plotësuar) - Një përplasje e vërtetë ka ndodhur mesditën e djeshme në ambientet e Policisë Bashkiake të Tiranës, ku është plagosur me thikë polici i fortë i Erion Veliajt, polici që goditi një protestuese që ishte kundër ndërtimit të parkut tek Liqeni Artificial i Tiranës.
Burime nga policia e kryeqytetit kanë bërë të ditur se mesditën e djeshme është plagosur me thikë Dritan Hardhia, polici i bashkisë së Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në oborrin e Policisë Bashkiake në rrugën e Kavajës dhe autor i kësaj ngjarje është një 54-vjeçar.
“Rreth orës 21:00, është vënë në pranga në flagrancë Bujar Shehu, 54 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 14:30, në oborrin e Policisë Bashkiake, ka tentuar të vrasë me thikë, punonjësin e Policisë Bashkiake Dritan Hardhia, 37 vjeç”, thanë burimet nga policia e kryeqytetit.
Hardhia mësohet se ka pësuar disa plagë dhe është i shtruar në spital. Pas arrestimit të Shehut, burimet policore thanë se kanë sekuestruar si provë një thikë me mbishkrimin “Lord Stainless”.