Nga Shqipëria në Britani në bagazhin e makinës! Si trafikonin emigantët shqiptarët për 6 mijë euro

Kronikë e zezë

Nga Shqipëria në Britani në bagazhin e makinës! Si trafikonin emigantët shqiptarët për 6 mijë euro

Më: 26 nëntor 2016 Në ora: 21:05
Ilustrim

5 persona, mes tyre edhe 3 shqiptarë akuzohen për trafik të jashtëligjshëm emigrantësh nga Shqipëria drejt Britanisë së Madhe, përmes kanalit anglez. Ata u arrestuan pak ditë më parë në Francë, si pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar që ishte nën vëzhgim nga autoritetet që prej shtatorit të këtij viti.

Sipas mediave franceze, trafikantët u merrnin emigrantëve nga 6 mijë euro për t'i kaluar në Britani, përmes portit Roscoff. Ata i merrnin emigrantët në Shqipëri dhe për të mos krijuar dyshime i fusnin në bagazhin e makinave dhe futeshin mes trafikut.

Por autoritetet franceze u vunë në gjurmët e tyre pasi trafikantët nisën të përdorin makina të mëdha. Fillimisht një 39 vjeçar francez u ndalua nga policia e cila zbuloi 3 emigrantë shqiptarë, një grua dhe dy burra, pas mobiljeve në furgonin e tij me qera.

Një tjetër trafikant u arrestua pak ditë më pas ndërsa kthehej nga Britania, çka bëri që autoritetet franceze të nisnin hetimet që përfunduan me arrestimin e 3 shqiptarëve të moshave 19, 20 dhe 25 vjeç, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur.

Sipas mediave franceze, që të 3 shqiptarët ishin të njohur për policinë pasi ishin arrestuar për vjedhje, dhunë apo armëmbajtje. Madje dy prej tyre ishin deportuar në korrik të këtij viti, ndërsa i treti kishte bërë kërkesë për azil.

Gjatë kontrollit në shtëpitë e tyre, policia sekuestroi 9 mijë paund, mbi 2 mijë euro, një pistoletë me 18 fishekë dhe 15 gram kokainë. Aktualisht hetimi po vijon, ndërsa media franceze raporton se autoritetet kanë zbuluar vetëm majën e ajsbergut të këtij rrjeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat