Shqiptari rreh brutalisht gruan australiane pse porositi raki

Kronikë e zezë

Shqiptari rreh brutalisht gruan australiane pse porositi raki

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 06:32
ilustrim

Vendimi për të porositur një teke raki rrushi duket se i ka kushtuar shumë një gruaje australiane në Shqipëri pasi është dhunuar barbarisht nga burri i saj.

Bëhet fjalë për shtetasin shqiptar V.Gj., i cili punon si banakier në një nga baret e Tiranës. Ai është kallëzuar nga e shoqja, një shtetase australiane, se e ka dhunuar ashpër, pasi ajo kishte dalë një natë për t’u dëfryer.

Edhe pse Gjykata e Tiranës e dënoi atë me 4 muaj burgim, ia konvertoi dënimin në shërbim prove, pasi i pandehuri shfaqi pendesë të thellë në Gjykatë. Ngjarja e dhunës ka ndodhur më 28 maj të këtij viti, rreth orës 4:00 të mëngjesit, ku V.Gj. ka goditur me grushte në fytyrë bashkëshorten e tij australiane, e cila prej vitesh jeton dhe punon në Tiranë.

Një natë para dhunës, ajo kishte dalë me disa miq të saj dhe kishte shkuar te lokali ku punonte bashkëshorti si banakier. Sipas dëshmisë së australianes, ajo është afruar te banaku dhe ka porositur një gotë raki rrushi.

Mirëpo, bashkëshortit të saj nuk i ka pëlqyer aspak kjo sjellje dhe i është afruar të shoqes duke i kërkuar që të largohet nga lokali ku ai punon. E ndodhur në këto kushte, shtetasja australiane është larguar bashkë me miqtë e saj dhe ka vijuar jetën e natës në lokale të tjera.

Ajo është kthyer në banesë rreth orës 4:00 në gjendje të dehur. V.Gj. e ka pritur zgjuar dhe ka nisur t’i kërkojë llogari se përse ishte vonuar dhe se përse kishte konsumuar alkool. Në debat e sipër, ai e ka goditur me grushte në fytyrë dhe e ka kapur prej fyti bashkëshorten e tij duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme.

Sipas aktit të ekspertimit mjekoligjor, nr. 492 të datës 31.05.2017, paraqitur edhe në Gjykatë si provë kundër V.Gj., dëmtimet konsiderohen të llojit që shkaktojnë humbjen e aftësisë së përkohshme për punë deri në 9 ditë. Pasi i ka shpëtuar dhunës, shtetasja australiane ka bërë kallëzim në Polici ndaj të shoqit, përkatësisht në Komisariatin e Policisë nr. 2. Ndaj saj është lëshuar edhe një urdhër mbrojtjeje.

Megjithatë, shtetasja australiane ka biseduar edhe gjatë kohës që ishte në mbrojtje me bashkëshortin dhunues, dhe nga SMS-të, sipas vendimit të Gjykatës, shprehet pendesa e thellë e të pandehurit, e cila është marrë edhe si rrethanë lehtësuese shkruan panorama. Edhe vetë i pandehuri, në sallën e gjyqit ka shprehur pendesë të thellë për aktin dhe ka kërkuar një dënim sa më të lehtë, duke qenë se është i padënuar më parë.

VENDIMI

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues vendosi që të deklarojë fajtor të pandehurin V.Gj., për veprën penale “dhuna në familje” dhe e ka dënuar atë me 6 muaj burgim. Mirëpo, për shkak të gjykimit të shkurtuar, V.Gj. iu ul 1/3 e dënimit dhe u dënua përfundimisht me 4 muaj burgim. Duke qenë se i pandehuri ka qëndruar katër muaj në paraburgim, ai vendoset nga Gjykata e Tiranës në shërbim prove, ku i kanë mbetur edhe katër muaj. Gjatë kohës së provës, sipas Gjykatës, V.Gj. nuk duhet të kryejë asnjë vepër tjetër penale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat