Policia e Kosovës është detyruar që të qëllojë me armë zjarri ndaj një veture civile, e cila nuk u është bindur urdhrave për t’u ndalur.
Siç njofton zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, rasti ka ndodhur rreth orës 16:30, në lagjen Kodra e Trimave.
Komunikata e Policisë:
Rreth orës 16 e 30 Policia e Kosovës ka tentuar të ndalojë dy të dyshuar me veturën e tyre “Citroen”, me targa të falsifikuara. Mirëpo të dyshuarit nuk i janë bindur urdhrit të policisë dhe me veturën e tyre janë nisur në drejtim të “Kodrës së Trimave”, duke rrezikuar vazhdimisht kalimtarët dhe policët. Policia me të marr informatën se vetura është në drejtim të “Kodrës së Trimave” e ka bllokuar rrugën, por vetura e dyshuar ishte futur më pas në trotuar, ka goditur një shtylle dhe rrethojat e stacionit policor duke vazhduar ne drejtim te zyrtareve policor. Zyrtarët policor duke marrë në konsideratë faktin se veprimet e të dyshuarit (ngasesit) përbenin një kërcënim të drejtpërdrejtë, potencialisht të rrezikshëm për qytetaret dhe jetën e tyre, domosdoshmërish janë detyruar të përdorin armën e zjarrit me qëllim të neutralizimit të veprimeve të tilla të rrezikshme, duke shtënë në drejtim të gomave te automjetit.
Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar dy personat e dyshuar që ndodheshin ne automjet, të cilët janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK, pasi të njëjtit kanë pësuar lëndime nga aksidenti.