Akademik Prof. Dr. Skënder Rizaj historian i përmasave botërore

Kultura

Akademik Prof. Dr. Skënder Rizaj historian i përmasave botërore

Nga: Prof. Dr. Sadri Rexhepi Më: 4 janar 2022 Në ora: 22:59
Foto e ditës kur Prof. Skenderi mori Dekoratën ,,Mësuesi i merituar’’ (2010)

Prof. Dr. Skënder Rizaj, si një lis shekullor me rrënjë të thella, asnjëherë nuk i kërkoi leje furtunës që të qëndronte në këmbë, por ai i shtriu thellë rrënjët nën shkëmbinjë. I tillë ishte dhe do të mbetet gjithnjë deri para pak kohësh kur ndërroi jetë. Prof. Rizaj, ishte profesori më liridashës dhe më i paepur i Universitetit të Prishtinës, veprimtar, shkencëtar, i burgosur politik.

Që në rininë e hershme djaloshare, shkëmb graniti në rrugën e çlirimit e pavarësisë së Kosovës, biri i shtrenjtë i Kosovës së martirizuar, Prof. Dr. Skënder Rizaj, u lind në Pejë, ndërsa shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, Shkollën Normale në Prizren. Ai në moshë të re djaloshare, Prof.Skënder Rizaj, mbante pseudonimin “Fishkëllima”, pas një aktiviteti kombëtar e antijugosllav në organizatën ilegale “Besa Kombëtare”, të cilën e udhëhiqnin Marie Shllaku dhe Bernard Llupi u arrestua dhe bashkë me Ramiz Kelmendin e disa të tjerë për disa kohë qëndruan në burgun e Pejës. Ndërkohë, Gjykata e Qarkut në Prizren në nëntor të vitit 1946 i shqiptoi dënimin me një vit burgim në bazë të nenit 3/1 të ligjeve të atëhershme jugosllave në fuqi.

Studimet i filloi dhe i mbaroi në Shkup në Fakultetin Filozofik, në Degën e Historisë, kurse studimet pasuniversitare dhe doktoratën i përfundoi në Sarajevë te profesori i tij, osmanologu i njohur i përmasave evropiane, Branisllav Gjurgjev, për të cilin fliste me pietet të lartë si njeri dhe si shkencëtar. Kjo donë të thotë se ai shkoi në Sarajevë për ngritje profesionale në fushë të dijes historiografike. Doli nga gjiri i popullit tonë dhe që në djalërinë e tij shkëlqeu si një dritë dielli në errësirën e kobshme të skllavërisë dhe terrorit fashist serbosllav.

Për herë të parë në procesin edukativo-arsimor, në cilësi të mësuesit u angazhua në Pejë e rrethinë. Për pesë vjet me radhë punoi në Gjimnazin e Pejës, ku përshtypje të jashtëzakonshme i kishte lënë një nxënës, më vonë ish rektor i UP-së, Prof. Dr. Mujë Rugova. Gjatë zhvillimit të demonstratave të vitit 1981 ne disa ish studentë të asaj kohe, gjatë bisedave që kishim me te haptazi i përkrahte demonstruesit.

Së këndejmi, Skënder Rizaj ishte profesor guximtar që kishte marrë kurajo tej mase të vëhej në mbrojtje të rinisë liridashëse shqiptare në valën kur pjesa dërrmuese e intelektualëve jo që nuk guxonin t’i përkrahnin demostratat, por nuk guxonin t’i theksonin as shkronjat KR që simbolizonin Kosovën Republikë. Ishte pikërisht Prof. Dr. Skender Rizaj që kishte një biografi të pastër kombëtare që nga rinia e hershme e tij. Ishte betuar në tokë e në qiell që do të punonte kundër regjimit serbosllav, regjim i cili organizoi disa atentate kundër Skënderit. Së këndejmi, kishte shumë arsye të ishte një ndër përkrahësit e demonstratave të vitit 1981.

Në vjeshtën e vitit 1981 në Fakultetin Filozofik, Komiteti Krahinor i asaj kohe kishte organizuar një mbledhje për dënimin e demonstratave të cilën e udhëhoqi shumë mirë, Prof. Dr. Masar Kodra. Mirëpo, pas fjalimeve të anëtarëve të Komitetit Krahinor, të cilët i dënuan demonstratat, madje me tone shumë kërcënuese, profesorët diskutuan në mënyrë konstruktive, kurse nga ana e studentëve diskutuan vetem tre studentë, Sadri Rexhepi, Sejdi Bytyqi nga Suhareka dhe Sylejman Hani nga Struga, të cilët e hodhën poshtë termin ‘kontrarevolucion’, i cili u mvishej pa të drejtë demonstruesve paqësor.

Nuk dua të citoj veten, por e kërkon vendi të konstatoj këtë fakt për vërtetësi argumentuese. Pas demonstratave të vitit 1981, profesori syshqiponjë Skënder Rizaj, shpresë e ardhmërisë sonë ishte vazhdimisht në shënjestër dhe në vitin 1984 prapë Komiteti Krahinor organizon një mbledhje të cilën e udhëhoqi Prof.Dr. Emine Bakalli, pa asnjë vrejtje, ku Prof. Skenderi u diferencua me akuza shumë qesharake! Po cili ishte ‘faji’ i Prof. Skenderit dhe përse e diferencuan?! Sipas anëtarëve të Komisionit për Diferencim, të formuar nga ish Komiteti Krahinor, atëherë ishte një “pakujdesi” në interpretimin e burimeve ballkanike, evropiane dhe osmane në veprën mbi të ashtuquaturën ‘Dyndjen e Madhe Serbe më 1690’, për mitin mbi Betejën e Kosovës, se Kosova duhet të quhet Dardani, THOT-TAT PARLAVA ALBANESE (THOTI-TATI FLISTE SHQIP) e shumë ngjarje të tjera që kishin të bënin me historiografinë kombëtare shqiptare. Në bazë të të dhënave që pati prezantuar në atë mbledhje Prof. Skenderi, dilte qartë se historiografia serbe kur kishte të bënte me çështjen shqiptare, ishte krejtësisht e falsifikuar e kjo don të thotë se ajo ishte krijuar mbi bazën e përrallave, legjendave dhe miteve. Dhe shpesh herë përsëriste fjalën duke thënë ‘nuk po thotë Skenderi, por po thotë defteri’.

Nga diskutimi i Prof. Skenderit, veç tjerash del qartë se manipuluesit dhe falsifikuesit serbë të fakteve historike, gjuhësore, demografike, onomastike, në interes të borgjezive pushtuese, veçmas nga koha e sundimit të Obrenoviqëve dhe të Karagjorgjeviqëve, bëhej me qëllim që të “vërtetojnë” mos ekzistencën historike, etnike dhe kulturore të shqiptarëve në Kosovë. Pas akuzave që i bënë anëtarët e Komisionit Diferencues, unë aq sa pata mundësi e mbrojta profesor Skënderin, duke thënë se është profesor i mirë, i drejtë, i sinqertë, mirëpo njëri nga anëtarët e Komisionit Diferencues, mua m’u turr me fjalët: “Ose ndërpreje ose të nxjerrim jashtë!”

Ndërsa, profesorët serbë thanë se ky e mbron vetëm se e ka mentor. Për këtë profesori më ka falënderuar pas disa kohësh. Mjerisht, në radhët e komisionit ishin edhe dy intelektualë shqiptarë servilë. Një përplasje të ashpër e kishte pasur në një Simpozium të mbajtur në vitin 1985 në Beograd, të cilin e kishte organizuar Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë në bashkëpunim me Akadiminë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Gjithashtu, edhe në Deçan i shpërfaq në sipërfaqe, si në pasqyrë falsifikimet e historiografisë serbe lidhur me autoktoninë e kishave në Kosovë e që sipas Prof. Skënderit ishin kisha shqiptare. Këtu në përkrahje i dalin Akademiku Mark Krasniqi dhe Prof. Dr.Selim Daci. Mbështetje të fuqishme Prof Skënderi kishte pasur edhe nga Prof. Hasan Mekuli dhe Prof. Dr.Isak Shema.

Në janar të vitit 1987 me një vendim ad-hoc i lëshuar nga Komiteti Krahinor, me rekomandim të Kolë Shirokës, Prof. Skënder Rizaj u suspendua nga procesi mësimor, nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës. Së këndejmi, ai është diferencuar dhe larguar nga detyra, nga procesi mësimor shkencor si i pa dëshiruar potencial për regjimin serbosllav.

Pas viteve të 90-ta, Prof. Dr. Skënder Rizaj, jo vetëm që i demaskoi gojarisht, por edhe përmes shtypit të atëhershëm haptas të gjithë diferencuesit dhe përkrahësit e politikës diskriminuese dhe antishqiptare që vinin nga Beogradi për t’u zbatuar nga Papoviqët dhe ata shqiptarë që e kishin votuar Papoviqin.

Ta kritikosh në ato vite shovinistin antishqiptar Papoviqin dhe përkrahësit e tij servilët shqiptarë, ishte vështirë, si të ecësh nëpër tehun e shpatës. Mirëpo, Prof. Rizaj, kritikat ua adresonte servilëve, edhe pse e dinte se vazhdimisht kokën e kishte në rrezik. Ai u dëshmua dinjitoz në mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës, veçmas pasi regjimi pushtues serb i shpalli të mbyllura të gjitha nivelet e shkollimit shqip në Kosovë dhe largoi dhunshëm nga objektet shkollore dhe universitare pedagogët dhe personelin shqiptarë. Gjatë viteve të stuhishme 1990-1999, Prof. Rizaj me guximin dhe kurajon kombëtare nuk pushoi së vepruari për mbrojtjen e çështjes shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që jetonin ata në të gjitha hapësirat etnike shqiptare.

Angazhimi i tij shumë dimensional ishte një busollë e mirë për të orientuar autoritetet vendimmarrëse të arsimit dhe shkencës në Kosovë e po ashtu edhe të institucioneve studimore se ku duhet të orientojnë punën në të mirë të konsolidimit dhe zhvillimit sa më të shpejt të Universitetit të Prishtinës. Mirëpo, Skënder Rizaj u bë emër i njohur nga qarqet intelektuale kombëtare dhe ndërkombëtare, veçmas në vitet e 90-ta kur arriti të emërohej këshilltar i 300 shkencëtarëve osmanologë në Stamboll.

Ai ngritej kundër padrejtësive, por ishte edhe njëri ndër shtyllat kryesore të mbrojtjes së çështjes shqiptare përmes intervistave që u jepte mjeteve të informimit në Stamboll. Në Stamboll bashkëpunoi ngushtë me ambasadorin e Kosovës, poetin e mirënjohur kosovar Enver Talin dhe organizuan demostrata me shqiptarët e Turqisë para ambasadave evropiane e botërore për sensibilizimin e çështjes së Kosovës. Së këndejmi, ashtu siç e mbështeti Parisi shkrimtarin shqiptar me renome botërore Ismail Kadaren, po ashtu edhe Stambolli e mbështeti historianin me renome botërore, Akademik Prof. Dr. Skënder Rizajn. Pas përfundimit të luftës që ndodhi në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, ai u kthye prapë të ligjëronte në Degën e Historisë, ku mbajti ligjërata për disa vite, derisa u pensionua. Ai me punimet e tij shkencore ka marrë pjesë në të gjitha kryeqytetet e vendeve ballkanike dhe evropiane. Kontributi shkencor është vlerësuar lart nga institucionet e larta vendore shkencore evropiane dhe botërore.

Veç veprave për shkolla fillore dhe të mesme, ka botuar edhe shumë monografi ndër të tjera edhe këto: “Rudarstvo Kosova i susednih krajeva od XV do XVII veka”, Prishtinë, ZNUKM, (1968).

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente angleze, (1978),

“Kosova gjatë shekujve XV, XVI dhe XVII”, (1982),

Teksti Universitar “Historia e përgjithshme - Koha e Re (1453-1789), Universiteti i Kosovës, Prishtinë (1985), (përkthyer në arabisht,Jordani 1991),

“Bullgaristan meselesi”, 1989,

“Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë”, Prishtinë, 1991,

“Kosova, Shqiptarët dheTurqit dje sot dhe nesër (Kosova Albanians and Turks Yertestday, Today, Tomorrov Kosova, Arnautlarun dunu bugunu ve yarini Istambull,1993,

“Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1877/1878-1881/85),1998,

“Falsifikimet e historiogrfisë serbe”, Prishtinë, 2004,

“E drejta e shqiptarëve për vetëvendosje”, Prishtinë, 2007,

“Gazetat turke dhe amerikane për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve më 1999, /The Turkish and Amerikan Neëspa pers about Serbian Genocide on Albanians 1999/, Prishtinë 2008,

Shqiptare, Vilajeti i Kosovës1864-1912, /Albanian Villayetes-Vilayetet of Kosova1864-1912, I dhe II,” Prishtinë, 2008, etj., etj. Në gjuhë të ndryshme botërore ku ka marrë pjesë në simpoziume dhe konferenca shkencore ka shkruar dhe botuar edhe mbi 300 punime shkencore. Prof. Rizaj ka lënë në dorëshkrim edhe rreth 30 vepra monografike shkencore të pa botuara. Ai hulumtoi në Arkivat Evropiane dhe shquhet si gjurmues i historisë botërore në përgjithsi e në veçanti asaj shqiptare për çka do të dekorohet me 2010 me Dekoratën më të larë të Presidencës së Kosovës. Së këndejmi, për vlerat e veprës së tij historiografike flet qartë Dekorata “Mësues i merituar”, që u ndahet njerëzve për merita të jashtëzakonshme në arsim dhe shkencë. Prof. Dr. Skënder Rizaj për shumë vite ishte mësimdhënës në të gjitha nivelet e shkollimit.

Në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë, në Universitetin e Prishtinës, ka ligjëruar për shumë vite dhe është i madh numri i studentëve të cilët kanë marrë dije prej tij. Së këndejmi, shumë studentë kanë mbrojtur temat e diplomave para tij, shumë të tjerë kanë mbrojtur temat e magjistraturës e disa kanë mbrojtur tezat e doktoranturës para tij. Njëri nga ata që pati fatin ta kishte mentor në të gjitha nivelet, isha edhe unë. Ai kishte arsye për t’u dëshpruar, sepse ai edhe pse u diferencua ideopolitikisht dhe u suspendua nga UP-ja, sulmet politike ndaj tij nuk kishin të ndalur nga përfaqsuesit e ish Komitetit Krahinor, Kolë Shirokës dhe Ali Shukriut.

dy servilë vazhdimisht e akuzonin me akuza banale që për një dijetar me renome botërore, siç ishte Prof. Skënderi, politikisht ishin tepër të rënda. Edhe më e rëndë për te ishte kur edhe shumë shokë e kolegë të tij servilë, xhelozë dhe demagogë, bëheshin sikur nuk po e shihnin dhe nuk i flisnin fare se gjoja Skënderi ua paska prishur vëllazërim-bashkimin jugosllav!? Jam i vetëdijshëm se me një punim të këtij lloji nuk mund të përmblidhet e tërë veprimtaria shkencore, kombëtare e pedagogut shumë të respektuar, intelektualit të mirëfilltë e luftëtarit të pa epur për të drejtat dhe liritë kombëtare të Prof.Skënderit, por ky boshllëk mund të plotësohet pas botimit të monografive që i ka lënë në dorëshkrim, nëse nuk keqperdorën nga ndonjë plagjiator matrapazë i historisë.

Së këndejmi, Prof. Skënderin duhet falëndëruar për punën e madhe pedagogjike, humane, njerëzore, kombëtare, arsimore dhe për kontibutin e dhënë në shkencën e historiografisë mbarëshqiptare. Ne tani fizikisht jemi ndarë nga ai, por vepra dhe personaliteti i tij, kurrë nuk do të vdesin dhe gjithmonë do të mbesin në kujtimet tona. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të cilën aqë shumë e deshti dhe tërë aktivitetin intelektual e profesional ia kushtoi pavarësisë së saj dhe ribashkimit gjithëkombëtar. Zoti e shpërbleft me parajsë Prof. Dr. Skënder Rizajn! Shpirti i tij pastë dritë!

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat