Në Kino ABC në Prishtinë është shfaqur premierë dokumentari “And Then She Went Silent”, i cili trajton dhunën ndaj grave, pasojat te familjet e viktimave dhe sfidat me të cilat përballen ato në kërkim të drejtësisë.
Në këtë ngjarje, të organizuar nga UNMIK-u, u diskutua për rastet e femicidit në Kosovë, dështimet institucionale dhe nevojën për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Peter Due, tha se mesatarja e grave të vrara në Kosovë është më e ulët se ajo botërore, por theksoi se dallimi qëndron te vendi ku ndodhin vrasjet.
Due: Filmi, thirrje për veprim, që të fuqizohet parandalimi, të përmirësohet reagimi institucional
"Filmi është një thirrje për veprim, që të fuqizohet parandalimi, të përmirësohet reagimi institucional, të mbështeten të mbijetuarit dhe të sigurohet llogaridhënia. Këto objektiva janë të lidhura për së afërmi me atë çka, për çka qëndron vetë Kombet e Bashkuara, përmes punës tonë për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, të mbështesim viktimat dhe të mbijetuarit, dhe qasjen e tyre në drejtësi, përfshirë përmes iniciativave të ndihmës ligjore dhe asistencës për shtyrjen e rasteve deri në Gjykatën Kushtetuese. Punojmë në rritjen e vetëdijesimit për dhunën e bazuar në gjini dhe stereotipat.”, tha Due.
Pas shfaqjes së dokumentarit, babai i së ndjerës Diana Kastrati, Gëzim Kastrati, falënderoi organizatorët dhe shprehu shpresën që dokumentari të shërbejë si kauzë për parandalimin e rasteve të tilla.
Kastrati: Shpresoj që ky dokumentar të shërbejë si një kauzë për raste të tilla dhe ato të mos përsëriten
“Desha t’ju falënderoj në emër të familjes, juve dhe Amondën, dhe shpresoj që ky eveniment, ky dokumentar, të shërbejë si një kauzë për raste të tilla. Dhe të njëjtat të mos përsëriten.
Qoftë i fundit rasti i Arlinda Zekaj", tha Kastrati.
Regjisorja e dokumentarit, Amanda Fisher, tha se në Kosovë janë 67 gra që kanë humbur jetën si pasojë e vrasjeve nga partnerët apo ish-partnerët e tyre, ose dhunës në familje.
Fisher: 67 gra kanë vdekur dhe janë vrarë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre ose si pasojë e dhunës në familje
“Ka 67 gra që kanë vdekur dhe janë vrarë nga partnerët apo ish-partnerët e tyre, ose si pasojë e dhunës në familje. Megjithatë, shumë pak njerëz kanë guximin dhe janë në gjendje të flasin, të shprehen dhe të ndajnë pasojat, ndikimin dhe plagët që janë lënë.
Ka qenë një proces ku jemi përqendruar veçanërisht në rastet kur ka pasur aspekte të dështimeve institucionale. Kështu që u jemi qasur një numri të anëtarëve të familjeve dhe i kemi pyetur nëse janë në gjendje të flasin për ndikimet, pasojat dhe luftën e tyre të vazhdueshme për drejtësi”, tha Fisher.
Ndërsa, avokatja Fehmije Gashi tha se do të vazhdojë ta ngrejë zërin për mobilizimin e shoqërisë në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten.
Gashi: Zërin tonë do ta çojë çdo kund që të mobilizohet shoqëria kosovare në mënyrë që të mos ndodhë një tragjedi
“E di që zërin tonë do ta çojë çdo kund, që të mobilizohet shoqëria kosovare në mënyrë që të mos ndodhë një tragjedi, siç e thashë dhe në film, në fillim tri ditë bisedohet, vajtohet, edhe mandej lihet në harresë”, tha Gashi.
Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se aktivizmi i saj për kriminalizimin e femicidit dhe për t’u dhënë zë familjeve të viktimave ka nisur që nga rasti i Diana Kastratit.
Demolli: Secila ka qenë një vrasje më e rëndë se tjetra
“Aktivizmi im për ta kriminalizuar femicidin dhe për t’u dhënë zë familjeve të cilave u janë vrarë vajzat për shkak se janë vajza, për shkak se janë gra, ka filluar që nga momenti i Diana Kastratit.
Për mua ka qenë një moment i vështirë të kërkoj falje, sepse unë kam qenë te familja në atë kohë. E kam takuar familjen dhe e kam pasur si peng. E njëjta gjë ndodhi edhe me Arlindën… Secila ka qenë një vrasje më e rëndë se tjetra dhe nuk ke pasur ku të thuash se ndoshta kjo kishte mundur të ndodhte kështu apo ashtu.
Thjesht, ato vrasje që kanë ndodhur në duart e shtetit kanë qenë, për mua, më të rëndat.”
Burim Ramadani, deputet i Aleancës, bëri të ditur se Komisioni hetimor do ta ndajë punën në dy pjesë: hetimin e reagimit institucional në rastin e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e përgjithshëm institucional të dhunës në familje, ndaj fëmijëve dhe grave.
Ramadani: Komisioni Hetimor të dalë jo vetëm me identifikimin e përgjegjësive ligjore, por edhe me rekomandime
“Pjesa e parë e komisionit e ka mandatin ligjor edhe me vendimin e Kuvendit, me ligjin për hetimin parlamentar. Pjesa e parë do të jetë vetëm për Arlindën dhe rastin se si ka reaguar shteti në tërësi, prej QPS-së e deri në nivelin gjyqësor, për rastin e Arlindës.
Dhe pjesa e dytë e punës së komisionit ka me qenë totale, pra trajtimi institucional në raport me parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj fëmijëve dhe dhuna ndaj grave. Kjo është në dy pjesë, pra ka me qenë tepër punë e madhe.
Shpresoj që në fund të dalë jo vetëm me identifikimin e përgjegjësive ligjore, por edhe me rekomandime, duke përfshirë, shpresoj, edhe kriminalizimin, përkatësisht sanksionimin e femicidit brenda Kodit Penal.”
Dokumentari “And Then She Went Silent” u shfaq premierë në Prishtinë, duke sjellë rrëfimet e grave për humbjen e jetës si pasojë e dhunës, përfshirë Diana Kastratin, Arlinda Zekajn, Sebahate Morinën, Gjyljeta Ukellën. Përmes historive të tyre dhe dëshmive të familjarëve, dokumentari riktheu në vëmendje pasojat e dhunës ndaj grave, dështimet institucionale dhe luftën e vazhdueshme të familjeve për drejtësi.