Kur vajza martohet, nëna nuk e humb bijën, por shtëpia humb zërin e saj…

Kultura

Kur vajza martohet, nëna nuk e humb bijën, por shtëpia humb zërin e saj…

Nga: Nijazi Halili Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 13:18
Nijazi Halili

Të dashur lexues dhe miq,

Këtë shkrim ua kushtoj nga zemra të gjitha nënave dhe motrave tona, atyre grave që shpesh e fshehin dhimbjen pas buzëqeshjes dhe sakrificën pas heshtjes.

Kur një vajzë martohet, ajo nuk lë pas vetëm një shtëpi. Lë dhomën ku ka ëndërruar, pragun ku ka hedhur hapat e parë, përqafimin e nënës, dorën e babait dhe kujtimet me vëllain. Shkon për të ndërtuar një jetë të re, por një pjesë e shpirtit të saj mbetet aty përgjithmonë.

E kam të vështirë ta përfytyroj një nënë që, pas largimit të vajzës, hyn në dhomën e saj dhe e gjen gjithçka në vend, por jo atë që ia mbushte shtëpinë me jetë. Sa herë vallë e shikon telefonin, duke pritur një telefonatë? Sa herë i mbushen sytë me lot kur sheh një fotografi të saj?

Sa e dhimbshme është kur një vajzë, pasi martohet, duhet të mendojë dy herë para se ta vizitojë nënën, sikur po kërkon leje për t'u kthyer në shtëpinë ku është rritur.

Më dhemb ky mentalitet që nganjëherë e trajton martesën si shkëputje nga familja e lindjes. Asnjë zakon, paragjykim apo autoritet familjar nuk duhet ta fshijë lidhjen e një bije me nënën, babanë dhe vëllain e saj.

Unë besoj se gruaja nuk duhet të zgjedhë ndërmjet bashkëshortit dhe prindërve. Ajo meriton të ndërtojë familjen e saj pa humbur familjen që e rriti.

Një nënë nuk kërkon që vajza t'i kthehet përgjithmonë në shtëpi, ajo kërkon vetëm të mos ndihet e harruar. Një telefonatë, një vizitë, një përqafim,  ndonjëherë këto janë të gjitha që i duhen zemrës së saj.

Të dashur miq, mos ua bëni nënave pleqërinë më të vetmuar dhe mos ua bëni bijave mallin më të rëndë.

Sepse një ditë, kur nëna të mos jetë më te dera, do ta kuptojmë se sa shumë vlente ajo derë e hapur dhe ai zë që na thërriste, Bija ime, kur do të vish?

Respektojeni nënën, mos e harroni motrën, mos ia kufizoni gruas rrugën drejt familjes së saj. Aty ku ka dashuri, nuk duhet të ketë ndarje.

Me respekt e përulësi për të gjitha nënat, motrat dhe gratë tona.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat