Nuk është fare e lehtë të flasësh për një POETE si BAJAME HOXHA (ÇELIKU). Ajo sikur ka dalë nga terri më i thellë sesa mund ta mendosh. Nuk e teproj po të them: nga thellësitë e vdekjes. Nëse po shkruaj për një POETE si BAJAMJA, jam nisur nga fakti se asaj ia vranë fëmijërinë; ia vranë rininë; ia vranë dashurinë; ia sakatuan jetën, por me atë ndodhi ajo që thotë NIÇE: “Po nuk më vrave, më bën më të fortë”. Jo vetëm doli më e fortë, por e sfidoi diktaturën dhe ka të drejtën e pamohueshme që jo vetëm të bërtasë “Të munda, diktaturë!”, por edhe të ulërijë sa jehona të zërë qiellin.
Për ata që nuk e njohin diktaturën komuniste (diktatura më e egër në të gjitha vendet e ashtuquajtura socialiste), vetëm me një vështrim sipërfaqësor, lexoni më poshtë:
45-vjet izolim.
45-vjet skllavëri.
45-vjet mashtrim.
45-vjet luftë klasash.
45-vjet spiunim.
45-vjet shkatërrim.
BAJAME HOXHA (ÇELIKU) ka jetuar gjithë këtë FERR që, po të ishte gjallë DANTE, do të ulërinte dhe do t’i shtonte edhe një shkallë tjetër FERRIT të tij.
Kur lexon poezitë e këtij vëllimi, nuk ke se si të mos emocionohesh: janë 300 poezi që bëjnë “anamnezën” e një jete plot privime, që nga fëmijëria e deri në infinit të jetës. Me të ka ndodhur ashtu siç ka shkruar portugezi FERNANDO PESSOA: “Ma ka ënda të ulërij brenda kokës sime”. Vuajtjet dhe privimet e POETES nuk janë vetëm të sajat, por ajo ngre zërin nëpërmjet vargjeve dhe i bën ato kambanë për të shurdhuar veshët e atyre që dje, në kohën e diktaturës, i kishin të zënë me dyllë. Revolta e POETES është plotësisht e ligjshme. Qysh në lashtësi, ARISTOTELI thotë: “Mos hidhërohesh, kur lypet, është marrëzi”. Në vargje, POETJA polemizon edhe me shkrimtarët që i këndonin “oborrit partiak” dhe, me të drejtë, jo vetëm pyet, por edhe klith: “Ku ishit ju, ADAMË?”, kur para syve tuaj gëlonin deri në agoni jo qindra, por mijëra të ashtuquajtur “armiq të klasës”. Poezitë e saj nuk janë vetjake, por marrin një forcë përgjithësuese, sepse jo më kot MISTALI thotë: “E vërteta e poezisë është më e vërtetë se historia”.
Natyrisht, vuajtjet dhe persekutimet i ka hequr në kurriz dhe, sado që tregon me vargje, nuk tregon vetëm për vete, por edhe për dhjetëra bashkëvuajtëse si ajo dhe bashkëvuajtës. Nëse e fillon nga vetja, më kujton piktoren e madhe meksikane FRIDA KAHLO, që thotë: “Unë vizatoj më shumë veten time, se atë e njoh më mirë”. Vlera e këtij vëllimi qëndron, veç të tjerash, në faktin se ajo sjell për lexuesit personazhe që diktatura i masakroi, si Avdulla TATA, Kurt KOLA, Frateli e të tjerë.
Libri është goxha voluminoz, çdo poezi goxha e gjatë, sepse nëpërmjet vargjeve, sa i këndon dashurisë, po aq ia çjerr maskën diktaturës. Por mesazhi më me vlerë është se nuk urren. E vret urrejtjen me dashuri. Në përfundim, mund të thuash se tragjedia më e madhe nuk është britma dhe klithmat e njerëzve që vuajtën familjarisht, por heshtja lemeritëse e njerëzve të mirë. Ky është edhe qëllimi final i POETES BAJAME HOXHA ÇELIKU: “Kurrë të mos harrojmë atë ‘luftë të ndyrë klasash’ dhe kurrë të mos përsëritet”.
Poetja BAJAME HOXHA ÇELIKU i meriton fjalët e STEFAN CVAJGUT, që thotë: “E dua shumë njeriun që bën të pamundurën”.
Jeta, thotë SAMUEL BUTLER, nuk është shkencë ekzakte, por është art. Është art, por diktatura komuniste ta kthen në ferr e kaluar ferrit. BAJAME HOXHA ÇELIKU e përballoi me guxim atë ferr dhe as nuk u frikësua. Kur thotë PAULO KOELHO: “Nëse e jeton jetën plotësisht, do të vdesësh vetëm një herë. Nëse frikësohesh për çdo hap, frika do t'ju vrasë ditë pas dite”. Ajo jo vetëm e ka vrarë frikën, por edhe inspiron. Një notë që e lartëson POETEN është se dhimbjen e të tjerëve e trajton si të sajën. Kur thotë OSKAR WILDE: “Kur fillon e ndjen dhimbje për të tjerët, atëherë lind njeriu”.
Dhe BAJAME HOXHA ÇELIKU e meriton fjalën “NJERI”, që në çdo pozicion duhet shkruar me germë të madhe.